Ethet elektorale ndryshojnë “fundin e marrëzisë” së Edi Ramës

Nga Xhovan SHYTI –

Nën efektin e etheve elektorale për të rimarrë një mandat të tretë me pa tjetër dhe 74 deputetë “rilindas”, në Parlamentin 2021-2025, kryetari e pjesës “rilindase” të socialistëve, Edi Rama, duke shfrytëzuar funksionin e të parit të qeverisë ka dhenë të enjten një tjetër provë të motos “për vota bëj gjithçka”.

Fjala është për vendimin e publikuar dje në Fletoren Zyrtare, që rijetëzon të drejtën ligjore për licensimin e kazinove në zonat më prioritare të kryeqytetit.

Referuar ish ligjit hapja e kazinove lejohej vetëm në hotelet me pesë yje, që duhet të ishin akredituar nga institucionet ndërkombëtare dhe mbajtëse të markave të njohura në rang global, për këtë kategori.

Nën këtë ish ligj numri i këtyre kazinove ishte pothuajse inekzistent, kurse shpallja e aksionit qeveritar “Rama”, rreth dy vite më parë nën moton “fundi i marrëzisë” ia shtoi edhe më shumë shpresat shqiptarëve për një “rilindje” të vërtetë…

Në ato ditë të mbushura me ekipe tatimorësh e gjithfarë lloj policish që vendosnin shiritat e mbylljes së kazinove e lojrave të fatit, Edi Rama nuk rreshtëte së ngrefosuri dhe lëshuar deklarata e komente bombastike për të këqijat që i shkaktonin popullsisë, veçanërisht familjeve me mundësi të pakta financiare e grave të gjora, burrat që nga vesi i kumarit linin nëpër këto ambiente bixhozi paratë e bukës.

Gjithë kjo “mrekulli” e inicuar nga vetë Rama dhe e propoganduar bujshëm prej agjipropëve të tij, të kryesuar nga ish ministri i Financave të asaj kohe, Arben Ahmeti, ndodhi pas 31 dhjetorit 2018, pra në janarin e vitit 2019, kur ligji hyri në fuqi.

”Fundi i marrëzisë” vërtetë ndikoi për mirë në financat e familjeve kryeshtëpiakët e të cilave zbraznin xhepat nëpër kazino e lojëra fati edhe pse nxorri të papunë mbi katër mijë vetë dhe i hoqi buxhetit të shtetit miliarda lekë taksa e tatime të rrjedhura nga ky aktivitet, ndalimi i të cilit duhet klasifikuar si arritje pozitive, nisur nga e mira që i solli publikut shqiptar.

E theksojmë: nga e mira që i solli, pasi në javët vijuese vesi i të etiketuarve nga kryeministri Rama gjatë ditëve të antimarrëzisë si “llum që marrin paratë e shqiptarëve” do të shëtis ndër gjashtë rrugët kryesore të kryeqytetit, që janë kërthiza e Tiranës dhe me dendësi tejet të shtuar popullsie.

Mirëpo ske çfarë bën..! Për sa më shumë vota, nga ish të ngjashmit e Edi Ramës, pra Sali Berisha, Fatos Nano, Pandeli Majko, Aleksandër Meksi e Bashkim Fino, ne po vuajmë sot pasoja edhe më të tmerrshme, si legalizimi i territoreve të pushtuara e pronave të zhvatura, mohimin e pronarëve të vërtetë dhe legalizimin e pronarëve ilegalë etj.

Për ca më shumë vota! dhe 74 deputetë, me çdo kusht, kartonët përherë “pro” të të cilëve e bëjnë Parlamentin shpk të kryetar-kryeministrave partiakë.

SHKARKO APP