Euronews: Ballkani Perëndimor, një test për “oreksin” e zgjerimit të BE-së
Ballkani Perëndimor ndodhet në një udhëkryq. BE-ja dëshiron që këto vende të kthehen drejt Brukselit.
Për herë të dytë, Komisioni Europian ka rekomanduar hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Kjo e fundit ndryshoi dhe emrin edhe pas një mosmarrëveshjeje të gjatë me Greqinë për të fituar pikë me shtetet europiane.
Megjithatë, për Shqipërinë, vendimi vjen në një kohë tensionesh. Vendi ndodhet në një krizë të thellë politike, ku opozita e mbështetësit e saj protestojnë kundër qeverisë “Rama”, që sipas tyre, është e mbytur në korrupsion. Dhe pas një incidenti midis Kosovës dhe Serbisë, BE bëri thirrje që mundësia e anëtarësimit të shihej me mençuri.
“Nëse sot përdoret në një mënyrë të zgjuar, mund ta bëjmë këtë ndryshim të pakthyeshëm. Nëse e humbasim këtë mundësi, ekziston rreziku që të kthehen forcat e errëta të së kaluarës që mund të na çojnë në përplasje, madje edhe ne konflikt,- tha për gazetarët Federica Mogherini, shefja e Politikës së Jashtme të BE-së.
Megjithatë, jo të gjitha vendet e BE-së besojnë tani është koha për të mirëpritur anëtarë të rinj.
Franca, e mbështetur nga Holanda, tha se blloku duhet të reformojë veten së pari. Megjithatë, diplomatët e BE thonë se Parisi është kryesisht i shqetësuar për emigrantët në vend.
“Numri i popullsisë nuk është kërcënim për ekonomitë evropiane apo për stabilitetin evropian. Përkundrazi, kërcënimi i vërtetë për stabilitetin në Europë është ta mbash këtë rajon pa një të ardhme të qëndrueshme. Ky është kërcënimi i vërtetë dhe ne e dimë se mospëlqimi i Holandës dhe Francës është shumë i lidhur me politikën e brendshme”, shpjegon Edouard Joseph, ekspert i politikës së jashtme nga Qendra për Marrëdhëniet Transatlantike.
Profesori, i cili ka jetuar për vite në Ballkan, gjithashtu theksoi edhe rrezikun e ndërhyrjes së Rusisë në rajon.
“Ne e dimë se Rusia është shumë aktive në Republikën e Bosnjës dhe në Serbi duke u përpjekur të shfaqet si një alternativë që tenton, mbi të gjitha, të pengojë politikën e Perëndimit që kërkon integrimin euroatlantik të Ballkanit. Është e rëndësishme të përmendet se duke përforcuar mesazhin që, nëse këto vende i përmbushin reformat e kërkuara, atëherë e ardhmja e tyre është drejt Bashkimit Europian”,- thotë Joseph.