Europa qendrore në presion për të marrë më shumë azilkërkues
Shtetet më të reja të BE në Europën Qendrore dhe Lindore, po përballen me presion për të marrë më shumë azilkërkues teksa Gjermania ka shprehur irritimin rreth numrit të imigrantëve që janë drejtuar vetëm në disa shtete.
Kancelarja Gjermane, Angela Merkel, fitoi mbështetje për një ndryshim në sistem të mërkurën pasi Jean-Claude Juncker, presidenti i Komisionit Europian, i cili do t’i shtrojë për bisedim propozimet e reja së shpejti. Planet e fundit mund të përfshijnë një shpërndarje të aplikantëve për azil nëpër Europë.
Vitin e shkuar, rreth një e treta e 626,000 kërkimeve për azil në BE u bënë në Gjermani, më shumë se kudo tjetër në Europë.
Gjermania dhe Suedia së bashku merren me rreth 45 për qind të të gjithë azilkërkuesve në BE, tha Merkel në samit, duke bërë thirrje për një skemë të vogël pilot të ndarjes së disa mijëra imigrantëve në 28 shtete të tjera të BE-së.
Ndërsa Gjermania mori më shumë se 200,000 kërkesa vitin e shkuar, Suedia konsideroi 80,000 ndërsa Italia më shumë se 64,000.
Finlanda ndërkohë u mor me vetëm 3600 kërkesa, Republika Çeke me 1000, Kroacia me 450, Bullgaria 2000 dhe Rumania 400.
Donald Tusk, presidenti i Këshillit Europian, kryesoi një samit emergjence në Bruksel javën e shkuar në përgjigje të mbytjes së 800 imigrantëve në Mesdhe dhe për thirrjet për të bërë më shumë.
Numri total i aplikimeve të azilkërkuesve në 28 shtete në BE u rrit me një të katërtën në vitin 2014 krahasuar me 2013.
Përpjekjet për ndarjen e barrës me pjesët më të varfra të Europës do të ndërlikohen nga fakti se azilkërkuesit i drejtohen shteteve më të pasura, ku përfitimet që marrin janë më bujare dhe më të mundshme.
Mijëra imigrantë zhvendosen nëpër Ballkan çdo vit, por pak regjistrojnë kërkesa për azil, për shkak të mungesës së mundësive që shohin atje.