Faji ynë historik ndaj komunizmit

Nga Afrim Krasniqi –
Europa ka një ditë përkujtimore për viktimat e regjimeve totalitare. Është 23 gusht. Sot ka një mori aktivitetesh në Gjermani, Poloni, Hungari dhe shumë vende të tjera ish komuniste. Në Shqipëri prej vitesh nuk ka pasur, nuk ka dhe pritet të ketë. Siç vendosëm me Kodin Zgjedhor që nuk bëjmë më zgjedhje në dimër dhe as në verë, mbetet të marrim vendim që në dimër dhe në verë nuk do kemi përkujtime, aktivitete apo pune serioze. Sepse politikanët janë në pushim dhe ne, mbi të gjitha mendojmë për politikanët, për hobet e familjet e tyre, si po i përjetojnë pushimet dhe vapën, e pastaj nëse na del kohë mendojmë edhe për hallet e problemet tona si shtet e shoqëri.
Por 23 gushti është një ditë serioze për vende, shoqëri e shtete serioze, sic duhej të ishte Shqipëria. Ne patëm një regjim represiv që la pas shumë dhimbje, shumë varfëri, shumë dhunë, vrasje e varre të pagjetura. Ndryshe nga shumica e vendeve të tjera, diktatori e kasta e tij nuk u imponua apriori nga jashtë nga ndonjë fuqi apo ushtri, por në tërësi ishte produkti ynë fatkeq dhe ndofta faji ynë më i madh historik gjatë shekullit XX. Duke e pasur produkt në tërësi “vendor”, në dallim nga disa vende të tjera, ne e kemi gati të pamundur të ndahemi me drejtësi, vizion dhe mentalitet prej saj. Për pasojë, ne, në njëfarë mënyre e vijojmë “fajin” dhe gabimin historik dhe sot, nostalgjikë dhe anti-nostalgjikë, edhe pas 30 vitesh sillemi me vendin, pushtetin, pronën, të drejtat qytetare dhe mendimin ndryshe, gati si standardet e Byrosë Politike por me dallimin, se këtë e bëjmë në kushtet e internetit!
Brezave të rinj u kemi borxhe shumë, midis të tjerash, sepse nuk u flasim dot me zë të lartë sesi gabuam, ku gabuam, kush ishin përgjegjësit, si krijuam një sistem dhune brutale, si e shndërruam një vend në zemër të Evropës në një burg të madh fizik e shpirtëror, sesi humbëm më shumë se dy breza, sesi emëruam elita ca mediokritete dhe mbushëm brigjet e lumenjve me eshtrat e atyre që përbëjnë identitetin tonë kulturor, sesi hoqëm dorë nga e drejta për të zgjedhur, për të menduar, për të besuar, për tu lutur, për të ëndërruar dhe në fund, sesi krijuam një jetë virtuale absurde të ngjashme me “Fermën e kafshëve” duke u zhytur në mjerimin tonë përmes fitoreve të vazhdueshme historike kundër armiqve të jashtëm e të brendshëm, kundër botës, kundër Zotit!

SHKARKO APP