Fajin e ka populli!
Gara politike ka ardhur në këtë pikë: Populizëm! Atëherë edhe krimi më i fundit i elitave, vjen nga populli (populizëm). Një botë e tërë po tronditet nga populizmi; aq sa tani popujt e dobët si në Shqipëri, nuk shikojnë më shpresë se mund të ketë më qiell të pastër mbi kokë. Përderisa qytetërimi më i zhvilluar, Perëndimi, po vuan në sëmundjen e populizmit, atëherë çfarë?!
Nga Frrok Çupi
Faji më i fundit u ndëshkua nga “Nobeli” në Oslo.
Do të ishte tragjike për njerëzimin sikur “Nobeli” ta ketë bërë këtë akt me idenë se “ne- elita jemi kundër popullit”. Jo, kjo nuk është e besueshme, por që në “Nobel” kulmon një ndarje e vërtetuar mes popullit dhe elitës- kjo është e qartë. “Nobeli”, d.m.th., Komiteti i Çmimit të famshëm, “Nobelin për Paqe” e la për në fund, pas fizikës, pas mjekësisë, pas kimisë…; dhe më në fund e shpalli: Santos, president i Kolumbisë! Presidenti Santos ishte rrëzuar nga populli i tij një javë para se të bëhej “Nobel”. Kolumbia thërriti një referendum mbi veprën e Santos: Marrëveshja e paqes së shtetit me marksistët terroristë të FARC; në referendum fitoi “jo!”, nuk e duam”! Vepra e Santos u rrëzua nga populli, por Nobeli i dha çmim Santos për këtë vepër të rrëzuar.
Çështja nuk është thjesht Çmimi; çështja është raporti elitë- popull.
Ndarja e elitave nga popujt është sëmundja më e rëndë e kësaj epoke. Elitat kanë hyrë, në mos në krime të mëdha, të paktën në rrugët e ferrit, ku po tërheqin shumicat. Ky është i vetmi moment kur elitat dhe popujt duket se janë afër, momenti në parmendë: Vetëm kur i tërheqin drejt të keqes. Ndërsa në pjesën tjetër të jetës, elitat guxojnë të manifestojnë hapur se “Popullin? Ç’popull, ore? Nuk e shikoj me sy!”.
Elitat janë pasuruar me pasurinë e popullit, kanë garantuar një të ardhme në saje të popullit, kanë ndërtuar mekanizmin e blerjes së pushtetit të popullit, kultivojnë drogë në interes të popullit(!); në disa vende si në Shqipëri, kanë ndërtuar edhe ligje “demokratike”, ku garantohet ndarja qysh prej fillimit e elitës me popullin. Ja, kujto ligjin për zgjedhjen e Parlamentit, ç’lidhje ka me popullin?! Pas kësaj, ç’lidhje ka qeveria me popullin?; po drejtësia me popullin?; po Buxheti i Shtetit me popullin?; po ligji me popullin?… Të gjitha këto burojnë nga Parlamenti, i cili nuk ka lidhje me popullin.
Edhe kur zbulohet krimi i elitës; edhe në këtë rast elitat kanë një strehë: Te populli. Populizmi është kthyer në strehën ku fshihen, ose jo veç fshihen por kthehen në vlerë, krimet kundër popullit. Shiko çfarë ndodh veç këtu në Tiranë, para se t’i referoheshim Nobelit. Këtu qeveria i ka prerë thuajse krejtësisht investimet e mëdha; por deklaron se e kam bërë “mirë”. Mirë a keq!- kush e di, por një krim kundër popullit, pa dyshim. Investimet e mëdha, si p.sh., rrugët, janë edhe depozita që i dërgojnë ujë çdo bime në rrënjë; d.m.th., i dërgojnë buxhet çdo familjeje në popull. Pa këto, çfarë?… Qeveria thotë se krimin ndaj “rrënjës” e bëri “për mirë”; ndërsa paratë shkojnë për punë hiç: O për zyra luksoze pushteti, o për fasada, o për foto me Obamën, o për sheshin që ndërtohet sot e prishet nesër. Krimin e mbysin me populizëm. Elita nuk e shikon dot të lirë popullin e vet. Tre sheshe që ka kryeqyteti, të tre sheshet janë okupuar nga qeveria; O me ndërtim, o me lojëra fëmijësh ku nuk ka fëmijë dhe me stërvitje policësh… Puna është që ta shikojnë popullin t’i rrjedhë djersa dhe t’i ikë mendja nga ngushtësia. Aty ku është hapësira “Nënë Tereza”, mu aty e bëjnë njeriun sa të mallkojë edhe shenjtoren!
Kush e ka në dorë populizmin?
Gara politike ka ardhur në këtë pikë: Populizëm! Atëherë edhe krimi më i fundit i elitave, vjen nga populli (populizëm). Një botë e tërë po tronditet nga populizmi; aq sa tani popujt e dobët si në Shqipëri, nuk shikojnë më shpresë se mund të ketë më qiell të pastër mbi kokë. Përderisa qytetërimi më i zhvilluar, Perëndimi, po vuan në sëmundjen e populizmit, atëherë çfarë?!
Franca e Deklaratës së të Drejtës së Njeriut ndodhet para një dileme, që filozofët e saj po i thonë se quhet populizëm. Po cili është? Të majtët që ndodhen në pushtet akuzojnë të djathtën, alias Marine Le Pen; dhe vice- versa. Po cili është populisti? Më pak populist është presidenti Holande, i cili pas 11 janarit 2015 (gazeta Charlie Hebdo) ftoi një botë të tërë rrugëve të Parisit për të manifestuar populizëm kundër vrasjeve në gazetë? Apo Marine Le Pen, apo Sarkozy apo Alain Jupe?
Apo në Shtetet e Bashkuara… Lëvizja e Trump po sulmohet si “populiste”. Po cili qenka populisti më i madh, kampi Donald apo kampi Hillary? Hillary operon mbi seksizmin kundër Trump, Trump operon me “First make America!”. Zëvendësi i Hillary është një “prift” që kthen faqen andej nga gjuan populizmi: abortin e trumbeton, por nuk e lejon; lëvizjen gay e lejon, por e ndëshkon….
Të gjithë e shtyjnë njëri -tjetrin për në strofkën e “populizmit”, si dënim. Po e futën aty, do të thotë se e mundën duke e quajtur “armik i popullit” (prapë populli!). Me këtë po luftojnë elitat, në tymtajën filozofike të krijuar për populizmin. Ose vetë elitat, të paqarta në ide dhe të pasinqerta, me populizmin ngjiten në pushtet por edhe e shajnë duke e quajtur: “populizëm”. Cila është mirë e cila është keq? Edhe këtë çështje mbetet ta zgjidhë populli!
Në qoftë se do të ishim në një epokë të lashtë, para-politike, në atë moment do të hynte në fuqi paradigma se vetëm “populli ka të drejtë të gabojë”. Jo pse populli nuk gabon, por gabon dhe e pëson vetë.