Fakte pikante rreth stafit të shërbimit në Shtëpinë e Bardhë
Libri “The Residence” i autores Kate Anderson Brower, është një portretizim i shërbëtorëve, hidraulikëve, dhe shefave të kuzhinës të cilët udhëheqin punët e Shtëpisë së Bardhë. Libri është i hartuar me mbi 100 intervista, dhe i dërgon lexuesit në ditën tragjike kur Jackie Kennedy u kthye në shtëpi me rroba të mbuluara me gjak, çfarë bëri Richard Nixon pasi dha dorëheqje dhe se si është t’i shohësh presidentët lakuriq. Më poshtë gjeni 11 fakte interesante rreth stafit të shërbimit në Shtëpinë e Bardhë.
Duhet një staf i gjerë që të kujdeset për Shtëpinë e Bardhë
Shtëpia e Bardhë është më e madhe se që mendoni. Sipas Brower, kjo shtëpi ka 132 dhoma, 147 dritare, 28 oxhaqe, 8 palë shkallë, dhe 3 ashensorë të shpërndarë nëpër 6 katet, plus dy kate të ndërmjetme sekrete, të gjitha të futura në atë se çfarë shihet si shtëpi 3 katëshe. 96 njerëz punojnë me orar të plotë në rezidencë, dhe 250 që punojnë me orar të shkurtër.
“Devotshmëria” është motoja e stafit
Anëtarët e stafit të shërbimit kanë aftësi “të shkrihen” nëpër mure, duke qëndruar të vëmendshëm dhe modestë. Gjërat si: rregullimi i shtratit, fshirja e qilimit me fshesë korrenti, dhe ngjyrosja e mureve ndodhin si me magji. Një këmishë e hequr nga presidenti në momentin që ai vë këmbën në dush, zhduket për t’u larë deri sa ai del nga dushi.
Kushtet intime ndonjëherë çojnë tek momentet e sikletshme
Stafi i shërbimit ruajnë me ashpërsi privatësinë e familjes së parë. Pa besimin e familjes, do të ishte e pamundur për stafin ta kryenin punën e tyre me efikasitet. Duke punuar në këso lloj kushtesh intimiteti, ndonjëherë çon në momente të sikletshme. Njëherë një rojtar porte është dashur ta ndërpresë dushin e presidentit Regan për t’ia dërguar një mesazh. “E gjitha çfarë ai kishte veshur ishte një sasi të ujit”, kishte thënë portieri.
Pozicionet e hapura për punë nuk reklamohen
Pozitat e hapura për të punuar në stafin e Shtëpisë së Bardhë mbushen nga punëtorët të cilët sjellin vet njerëz të rinj për të cilët ata garantojnë. Ndonjëherë disa gjenerata me radhë të familjeve punojnë në atë shtëpi, dhe zakonisht ata punëtorë qëndrojnë aty me dekada.
Shefat e kuzhinës së Shtëpisë së Bardhë janë më të mirët në botë
Shtëpia e Bardhë ka shefat e klasit botëror, dhe për të punuar për të, do të thotë t’i refuzosh punët e tjera që të ofrohen të kësaj natyre që paguhen me mijëra dollarë dhe më shumë. Por këta shefa deklarojnë se ja vlen t`i refuzosh për Shtëpinë e Bardhë.
Ata rimbushin pije, rregullojnë sistemin hidraulik, dhe gjejnë terroristë
Shërbimi sekret nuk janë të vetmit që merren me sigurinë. Shërbëtorët e Shtëpisë së Bardhë janë të trajnuar të jenë vigjilentë për shenja të aktiviteteve të pazakonta të cilat mund ta rrezikojnë familjen e parë.
Zgjedhjet presidenciale për ta janë si fillimi i një lige futbolli
Kur zgjedhet një president i ri, ai merr në pronësi Shtëpinë e Bardhë në orën 12:00, ditën e inaugurimit. Kur të gjithë ndodhen në inaugurim, stafi shërbyes ka vetëm 6 orë në dispozicion për ta transformuar Shtëpinë e Bardhë për pronarët e rinj. Është një përpjekje tepër e madhe dhe kërkohet prezenca e çdo anëtari të stafit. Të gjitha gjërat e familjes në largim duhet të paketohen, dhe të gjitha gjërat e familjes në ardhje duhet të shpaketohen. Kur presidenti vjen në shtëpinë e tij/saj të re, shtëpia duhet të ridekorohet me të gjitha tapetet, shtretërit, dyshekët, lulet, pikturat zëvendësohen, varen rrobat, vendosen brushat e dhëmbëve. Gjithashtu, fotografitë familjare të presidentit në largim zëvendësohen me ato të presidentit të ri.
Ata nuk paguhen lirë, dhe presidenti është ai i cili paguan për të gjitha
Presidenti është ai që paguan për shpenzimet personale dhe për ato të mysafirëve të tij/saj. Për ushqimin, pastrimin kimik, mentet mbi jastëk, dhe verën. Kur organizohen festa në mbrëmje, përveç që duhet paguar për qindra mysafir, duhet t’i paguajë edhe stafin shërbyes me orë, shkruan Mentalfloss.
Ushqimi i presidentit është çështje serioze
Linjat furnizuese të ushqimit të presidentit janë të kontrolluara nga FBI dhe shërbimet sekrete. Nëse presidenti sheh diçka që i pëlqen kur është në udhëtim, ai ushqim dërgohet në shtëpinë e dikujt nga stafi i Shtëpisë, në mënyrë që askush të mos e dijë se është për presidentin.
Ata punojnë në një muze
Mobiliet dhe punimet artistike janë të pazëvendësueshme në Shtëpinë e Bardhë. “Jeni duke punuar në një muze”, thotë një anëtar i stafit. Nuk është aq lehtë sa mendoni të lëvizësh gjëra për kamera e për televizione. “Nuk janë vetëm dy karrige të thjeshta për intervista, por janë dy karrige në Dhomën Blu të cilat janë më të vjetra se ti – me shekuj duhet që ato të lëvizin”, raporton Express.
Me çdo familje të re që vjen në detyrë, ata duhet ta rimësojnë punën e tyre
Presidentët shkojnë e vijnë, por stafi mbetet i njëjti. Por detyrat e tyre ndryshojnë. Shefat duhet të mësojnë pjata të reja, një luleshitës duhet të mësoj preferenca të reja, etj.