Faleminderit Sandër!
Nga Çim Peka.
(syri.net)
Dy janë pronarë-gazetarët që kanë pas më së shumti nën kontrollin e tyre analistët e shtypit dhe TV-ve shqiptare këto vite pluralizmi. Të dy nga Lezha. Nikoll Lesi e Aleksandër Frangaj. Nuk kam punuar me asnjërin dhe nuk besoj se kam humbur gjë.
Por që të dy me të mirat e me veset e tyre kanë kontribut në median pluraliste shqiptare. Njëri thonë se kur ishte në ditë të mira financiare, më shumë se si gazetar e pronar mediash, sillej si një human i cili nuk pranonte që mobiliet e shtëpisë së tij të ishin më të shtrenjta se të analistëve që paguheshin prej tij. Edhe portofolin e ndante me gazetarët dhe analistët në darkat e shpeshta me ta. Njëlloj si i zoti dasmës që e hedh portofolin për Sinan Hoxhën, Perlat Sheqerin, Gjyste Vulajn, ashtu e hidhte Niko për gazetarët e tij.
Tjetri, Sandri tregojnë se ishte më “fin” me analistët e tij. Nuk shpërndante, por i mbante të lidhur. I mbante për ti përdorur si “Klan”.
Dhe prandaj, Nikoll Lesi ka përfunduar herë si botues e herë si politikan, prapë si botues e së fundi pronar i një restoranti ku sërish e përdor për të gostitur tashmë analistët e tregut që vetë e krijoj. Ndërsa Sandri përveç se pronar mediash është shndërruar në një biznesmen me ndikim mbi firmën e çdo kryeministri.
E bëra këtë parashtrim, pasi pikërisht një pronë e Aleksandër Frangaj është bërë sebep për të nxjerr në pah të gjitha të palarat, xhelozinë, mllefet, pasurinë, pse jo edhe ligësinë e atyre që e sundojnë opinionin politik prej më shumë se dy dekadash. Janë pikërisht këta konstatues dhe sensibilizues të injorancës se disa zonave të thella ku vriten për një vijë uji apo për një gardh, por që sot po zihen për gardhin me Sandrin në “Lagunën Blu”. Për tu vrarë, jo se nuk kanë bythë, por nisur nga diarreja që po nxjerrin për njeri-tjetrin do ta bënin po të kishin pak më shumë guxim.
Arsyeja që po shkruaj për luftën e gardhit në “Lagunën Blu”, nuk është pushtimi që Sandri po i bë një fushe tenisi në Qerret, pasi këtë ka bërë gjithmonë. E ka bërë në mes të kryeqytetit pas stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, ku ka kafshuar një pjesë të mirë të aneksit të stërvitjes për një shumëkatësh të shëmtuar me lejen e Edi Ramës.
Prandaj nuk më bën përshtypje asnjë sjellje e Frangajt si biznesmen. Është njëlloj si të gjithë biznesmenët shqiptarë, që po ju le mundësi ndërtojnë edhe në bulevard.
Çfarë po më bën përshtypje në luftën me banorëve “firmato” të “Lagunës Blu”?
Reagimi i analistëve, banorë të “Lagunës” dhe servirja e këtij reagimi si shqetësim për zbatimin e ligjit e ruajtjen e bregdetit. Kjo më tërhoqi vëmendjen, këtë nuk mund ta bëjnë. Mund të zihen, shajnë, gjuajnë me vezë, tregojnë borxhet e njeri-tjetrit në çdo media që kanë mundësi, por në asnjë rast nuk mund të na bindin se e kanë betejë për ligjin.
Pse nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë?
Ata sëbashku me Aleksandër Frangaj janë grabitës të asaj lagune. Ajo tokë ka pronarë, por u pushtua prej tyre me ndihmën e kryeministrit Ilir Meta si shumica e rezidencave në bregdet. Në vitet 2000 janë dhënë leje ndërtimi në prona me pronarë privat në një pjesë të mirë të Adriatikut. Dhe përfituesit e kësaj padrejtësie janë edhe këta që sot po na shesin sherrin për gardhin me fqinjin e tyre, si shqetësim për ligjin.
Jo më larg se këtë vit, bash në zemrën e parkut kombëtar në Tiranë ka ndërtuar sarajet e veta, ndërtuesi i sarajeve të Edi Ramës në Surrel. Keni dëgjuar të shqetësoheshin për ligjin dhe parkun kombëtar këta analistë?
Asnjë prej tyre, se nuk është gardhi i tyre. As ata gazetarë që po ulërijnë me të madhe për gardhin e Sandrit e që nuk janë fqinjë me të dhe banor të lagunës nuk kanë folur. Po flasin nuk e durojnë faktin që u zhgarraviten me mediat e tyre që të vijë Edi Rama në pushtet, e tani sërish përfiton Sandri e jo ata. Nuk e kanë për ligjin. E kanë për “Maliqin”. E duan vetëm për vete dhe kanë të drejtë më shumë se të parët.
Kur akuzat arritën momentin kulminant deri në porositje vrasjesh për gjyqtar, foli si mbi palët e vendosi t’i përgjigjej akuzave të Andi Bushatit që kishte bërë në një intervistë me e-mail për të edhe gazetari Blendi Fevziu.
Fevziu ishte i parimit “të gjithë përfitues e të gjithë fajtorë”. Gjë që sigurisht nuk mund të jetë e vërtetë. As nuk janë të gjithë fajtorë e as nuk janë të gjithë përfitues.
Në letrën e hapur për Bushatin, gazetari i “Opinion” vetëdekorohej si më i pavarur se Andi Bushati pasi po i botonte intervistën me akuza për Aleksandër Frangajn dhe se portali i Bushatit nuk kishte publikuar një lajm për dializën, ndërsa portali i Fevziut po. Në rastin konkret ndoshta ka të drejtë Blendi Fevziu, por duhet parë kur të marrë reklamë nga “Spitali Amerikan” a do të jetë i shqetësuar nga tenderi për dializën.
Dhe meqë jemi tek pavarësia e Fevziut, dje ishte i vetmi portal që nuk publikoi letrën e një ish-analisti, publicisti e politikani me shumë emër në Kosovë e Shqipëri. Letrën e Veton Surroit për kryeministrin Rama, pasi ajo letër i bënte thirrje Edi Ramës të distancohej nga Frangaj. Edhe Vetoni për gardhin e vet e kishte, por meqë ishim tek pavarësia e pretenduar e Fevziut po e marrim si shembull letren e tij për kryeministrin dhe të censuruar nga portali i Fevziut.
Së fundi, unë mendoj se Aleksandër Frangaj duhet falënderuar për dhunën me ekskavator, zaptimin e fushës dhe gardhin e “Lagunës”. Duhet falënderuar pasi nxori në sipërfaqe gjithë llumin e mllefin që është mbledhur aty. Me gardhin e “Lagunës” Aleksandër Frangaj solli për opinionin publik gazetarët dhe analistët kryesorë shqiptarë ashtu siç janë. Klientelistë e primitiv si në zonat e thella ku vriten për vijën e ujit e për një gardh. “Një gjellë që s’është për mua, i raftë miu brenda” është një thënie në Shqipërinë e mesme. Këta janë banorët e “Lagunës”. Ata shqetesohen për gardhin e tyre, jo për gardhin e ligjit.
Prandaj duhet falënderuar Aleksandër Frangaj. Gardhi i Sandrit ju tregoj të gjithëve se reagimi i gazetarëve nuk është për ligjin por gardhin e tyre.
Se po të ishte për ligjin minimalisht do ti bashkoheshin Sazan Gurit në protestë kundër 13-katëshit të Samir Manës e Sandrit brenda parkut kombëtar që do të filloj këto ditë, e jo ta ftonin në studion si parashikues tërmetesh. E kanë për gardhin e tyre, jo për bregdetin tonë.
Po e mbyll duke i huazuar një shprehje të një tjetri banor të “Lagunës”:
Faleminderit Sandër,
faleminderit që ekziston!