Faleminderit SHBA: “Jo tregti me sigurinë kombëtare”!
Nga Piro Ahmetaj
Po ashtu, midis rreshtave, znj. Moses-Ones u bën thirrje të gjithë aktorëve, faktorëve, ekspertëve, zyrtarëve të të gjitha niveleve, që në adresimin e çështjeve të sigurisë strategjike të mos “keqkapen” nga ethet partiake, diabolizmi, interesat e pushtetit apo qasjet e propagandës së ditës. Për më tepër, meriton mirënjohje të posaçme qeveria e SHBA-ve për projektin 7 milionë dollarësh në mbështetje të përpjekjeve të Shqipërisë për: “Monitorimin dhe mbrojtjen e infrastrukturave kritike të informacionit qeveritar, për vlerësimin e rrezikshmërisë, përditësimin e sistemeve dhe pajisjeve si dhe trajnimin e përdoruesve të rinj”. Të njëjtin projekt dhe shifra të përafërta, SHBA ka financuar edhe në Kosovë. Pra, projekte/vepra në vend të propagandës diabolike.
PAK NJOHURI MBI ZHVILLIMIN E GJENERATAVE TË TEKNOLOGJISË SË INFORMACIONIT
Sot, shumica e shteteve të botës punon me teknologjinë G4, ndërsa disa shtete kanë bërë kërkime dhe po zbatojnë në territoret e tyre teknologjinë e gjeneratës G5. Në krye të këtyre vendeve janë Koreja e Jugut (iniciatore e teknologjisë G5 me kërkimet qysh nga viti 2008), SHBA, Kina, Tajvani, Australia, Gjermania, Anglia, Franca, Italia, Danimarka, Suedia, Norvegjia, Finlanda, Irlanda, Estonia, Zvicra, Austria, Turqia, Rusia, Rumania, India, etj. Madje, disa shtete si SHBA, Koreja e Jugut dhe Kina, etj., kanë filluar kërkimet për teknologjinë e gjeneratës G6.
Për kureshtarët, teknologjia 1G ishte teknologji celulare analoge (me tela), teknologjia 2G ishte gjenerata e parë e teknologjisë celulare dixhitale, teknologjia 3G solli shpejtësi nga 200kb për sekondë deri në disa megabit për sekondë, ndërsa teknologjia 4G bëri një hap të madh përpara, duke siguruar shpejtësi nga disa qindra megabit deri në një gigabit për sekondë.
Teknologjia 5G është teknologjia e gjeneratës 5 e rrjeteve të lëvizshme ose pa “tela”. Ajo përbën një hop të madh evolucionar të teknologjisë G4. Me shpejtësi deri 100 gigabit për sekondë, me frekuenca të larta të bazuara në valët milimetrike, teknologjia G5 parashikohet të jetë 100 herë më e shpejtë se G4, të përballojë shkëmbimin njëherësh të sasive të mëdha të informacionit dhe të sigurojë ndërlidhje “të zgjuar” të shoqërisë së sotme dhe të nesërme, internet për miliona pajisje në rrjet dhe pajisje e platforma të avancuara për përdorim civil dhe ushtarak.
Ekspertët e fushës e kanë paracaktuar se teknologjia G5 do të sjellë në radhë të parë zhvillim dhe oportunitete të jashtëzakonshme, ngritjen e qyteteve “të zgjuara”, të shkollave “të zgjuara”, të spitaleve “të zgjuara”, të arsimimit “të zgjuar”, deri te shtëpitë “e zgjuara”. Koreja e Jugut aplikoi e para disa nga aftësitë e teknologjinë G5 në Lojërat Dimërore Botërore të vitit 2018 në Pjonjang, duke i bërë lojërat shumë zbavitëse për sportdashësit dhe pjesëmarrësit.
Cilat janë disa nga ofruesit kryesorë të teknologjisë G5? Në SHBA kanë filluar në 2019 dhe gjatë vitit 2020, do të shtrijnë më tej mbulimin e tyre nëpërmjet AT&T, “Verizon”, “LG”, “Samsung”, “Vodafone” dhe “T-Mobile”, nëpërmjet teknologjisë 5G. Po ashtu, kompanitë “BT”, “Deutche Telekom”, “Orange”, “Telia”, “Ericsson”, “Nokia” etj., në Angli, Gjermani, Francë, Suedi etj., po bëjnë progres në këtë fushë. Gjithashtu, gjatë 2019, shumë kompani të shteteve të tjera, si “Huawei”, “OnePlus”, “Oppo”, “Vivo”, “Xiaomi” dhe “ZTE”, po ndërtojnë telefona 5G. Telefoni “iPhone 5G” pritet të ndërtohet në 2020, së bashku me “Samsung Galaxy S10 5G”, do të jenë smartfonët e parë që do lidhen me rrjetet 5G. Edhe kompani të tjera po bëjnë të njëjtën gjë.
Sipas Qendrës Bernstein Research, Kina parashikohet të ketë deri në fund të 2019-ës rreth 130 mijë celularë të teknologjisë G5, Koreja e Jugut parashikohet në vend të dytë me 75 mijë, ndërsa SHBA në vend të tretë me 10000. Deri tani, në Kinë ka pasur 10 milionë prenotime, priten 120 milionë abonentë deri në 2020 dhe 465 milionë deri në 2021. Avantazhi i teknologjisë kineze është se kostoja e saj është shumë më e ulët se ajo e vendeve perëndimore.
KONKURRENCA MBI TEKNOLOGJINË 5G
Sipas të dhënave, konkurrenca për teknologjinë G5 është shumë e madhe. Kush dominon në këtë teknologji, do të dominojë tregun, por edhe teknologjinë e përparuar në fusha me përdorim të dyfishtë apo dhe ushtarake. Kompanitë kineze “Huawei” dhe “ZTE”, që supozohet se kanë lidhje me qeverinë kineze, kanë synuar dhe vazhdojnë të synojnë kapjen e tregjeve europiane, aziatike dhe arabe etj. Nga ana tjetër, SHBA po synon ta mbajë teknologjinë kineze G5 larg tregjeve amerikane dhe europiane, kryesisht bazuar në synimin se kjo teknologji dëmton sigurinë kombëtare dhe globale. Përtej konkurrencës (luftës legjitime) për tregje, kërcënimi i përdorimit të këtyre rrjeteve, pajisjeve dhe shërbimeve nga “kundërshtarë të huaj”, çmohet si rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA dhe të aleatëve. Prandaj, Presidenti Trump, në 15 maj 2019, nëpërmjet një urdhri ekzekutiv, ndalon kompanitë e SHBA të eksportojnë këto teknologji dhe shërbime nga territori i SHBA.
I parë në këndvështrimin strategjik, ky urdhër i tejkalon interesat e Sigurisë së SHBA, edhe pse “diplomatikisht nuk është imponues” për asnjë vend. Gjithsesi, është një mesazh i fortë zyrtar, që u adresohet vendeve aleate dhe partnere të NATO-s (përfshi edhe vendin tonë) dhe “bën thirrje për kohezion dhe solidaritet” jo vetëm për 5G, por edhe për projektet, burimet dhe infrastrukturat me peshë strategjike për sigurinë kombëtare të çdo vendi anëtar të NATOn si dhe interesat gjeopolitike të SHBA-ve.
Një qëndrim (vendim/direktivë) të ngjashëm ka mbështetur edhe Kancelarja Merkel, Presidenti Macron, Bashkimi Europian etj., si dhe të gjitha vendet që po rishikojnë planet për programin G5 me kompanitë kineze, duke vendosur çështjen e informacionit si prioritet në Strategjitë e tyre të Sigurisë Kombëtare.
Nga ana tjetër, kompani lokale që po “tregtojnë” dhe testojnë me prodhuesit kinezë, sidomos me kompaninë “Huawei”, e cila ka nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi me kompani të telefonisë celulare në të paktën 8 shtete europiane. Kjo, sepse ka disa vende europiane që nuk e shikojnë Kinën si rival strategjik. Kohët e fundit, për arritjen e synimeve të tij, “Huawei” ka ngritur një rrjet të fuqishëm lobimi në Europë. Vendet europiane duhet të vendosin tani për zgjidhjen e tyre, ndërmjet të cilave Shqipëria, që siç kuptojmë nga fjalët e së Ngarkuarës me Punë në Ambasadën e SHBA, është që kjo fushë e sigurisë kombëtare në Shqipëri, nuk është për shitje.
TEKNOLOGJIA E INFORMACIONIT DHE SIGURIA KOMBËTARE
Teknologjia e informacionit pritet të jetë fuqia e shekullit të 21. Ajo po sofistikohet me shpejtësi dhe po transformon mënyrën e jetesës së njerëzimit ne mbarë globin. Ne pararojë të zhvillimeve të IT janë patjetër vendet e zhvilluara. Prandaj, edhe epoka e sotme shpesh etiketohet si “epoka pasindustriale” ose “epoka e teknologjisë së informacionit”. Dhe kështu, teknologjia e informacionit po transformon edhe Sistemin e Sigurisë Kombëtare të çdo vendi të Aleancës dhe mjedisin gjeostrategjik, ku ne bëjmë pjesë.
Pa mëdyshje, informacioni është një ndër elementët thelbësore të fuqisë kombëtare, krahas ekonomisë, politikës dhe forcës ushtarake. Siguria Kombëtare nuk mund të kuptohet pa komponentin e informacionit. Ai sot konsiderohet si “soft power” ose si fuqia e butë, por shpesh edhe si “smart power”, ose si “fuqia e zgjuar”. Në këto fusha, informacioni i shpejtë dhe i saktë krijon avantazhe mbi kundërshtarët, befasi për vendimmarrje më të shpejtë dhe të saktë. Lufta për informacion është sot ne “krye/ top” të axhendës së sigurisë globale, rajonale dhe kombëtare. Fuqia e Aleancës së Atlantikut të Veriut qëndron te shumatorja, sinergjia dhe ndërveprimi i kapaciteteve të 29 vendeve anëtare. Thënë kështu, prevalon parimi: “NATO është aq e fortë, sa hallka më e dobët e zinxhirit të saj”. Prandaj, në Samitin e Wells/ UK (2014) dhe Varshavë (2016) është bërë thirrje konstante nga SHBA si dhe në 2 samitet e fundit radhazi në Bruksel (2017/2018), Presidenti Trump ka “kërcënuar” që në vend të “solidaritetit në letër/fjalime” dhe në vend “të shtyjnë njëri-tjetrin kush do dalë në foto më afër Presidenti të SHBA”, kryetarët të 29 shteteve të marrin përgjegjësitë duke rritur shpenzimet e mbrojtjes deri në 2 % për të mbështetur zhvillimin e projekteve, infrastrukturave, teknologjisë, personelit, sistemet dhe kapaciteteve të afta për t’u përballuar me kërcënimet ngado/kurdo që t’i vijnë vendeve të Aleancës.
Pa asnjë mëdyshje, siguria elektronike do mbetet në 50 vitet që vijnë kërcënimi Nr.1 i sigurisë në të gjitha dimensionet dhe hallkat e saj. Si e tillë, gjej të domosdoshme përgatitjen e një strategjie mbarëkombëtare midis dy shteteve (Shqipëri-Kosovë), një strategji gjithëpërfshirëse, “konsensuale”, që parashikon rreziqet, përcakton objektivat, mënyrat, mjetet burimet financiare si dhe kapacitetet për t`u përballur me këtë kërcënim për 50 vitet që vijnë.
Në shtesë, çështjet e sigurisë elektronike, edhe pse nuk kanë të bëjnë me kërcënimet konvencionale (tërësinë territoriale, tanket, avionët e anijet luftarake, raketat), mbartin peshë thelbësore për sigurinë kombëtare, që në radhë të parë dhe mbi të gjitha lidhet me legjitimitetin dhe përgjegjshmërinë e pushtetarëve, standardet e sigurisë “360 gradë” të jetës së qytetarëve, sigurinë mjedisore, ushqimore, rrugore, ajrore, bankat, pronat, dhe të dinjitetit të qytetarëve, që e tejkalojnë një, dy, tre mandate, deri në 3 ose më shumë dekadat që vijnë.
Ndërkohë, edhe Kosova e ka zhvilluar një Strategji të Sigurisë Kibernetike me asistencën e SHBA. Ndërsa e çmoj tërësisht të padobishme, jo të mençur dhe joproduktive që dy shtetet (Shqipëri-Kosovë) të kenë dy strategji, dy projekte, dy buxhete, dy paketa kapacitetesh më vete për sigurinë kibernetike dhe çdo aspekt të sigurisë kombëtare. Thënë këtë, i gjej të padobishme, takimet “patriotiko-folklorike mes dy qeverive; propagandën shkel e shko (çorientuese); privatizimin e dashurisë për mëmëdhenë; fjalimet euroatlantike me gjuzarët & co nga ballkoni i Kuvendit; gjetjen e armikut të klasës te kundërshtarët/rivalët politikë; promovimin e sekserëve, servilëve, kamikazëve& militantëve në strukturat e sigurisë kombëtare etj”.
“Kolonat e shtëpisë së sigurisë mbarëkombëtare” (përfshi kërcënimet kibernetike), mbeten JETIKE, gjithëpërfshirja, konsensusi me pozitën dhe opozitën, konsultimi me grupet e interesit si dhe kohezion sa më i gjerë me shoqërinë dhe qytetarët në hapësirën mbarëshqiptare. Së fundmi, dy shtetet kanë nevojë emergjente “të zgjohen”, për të përgatitur një projekt mbarëkombëtar (dhe më gjerë) me strategji, marrëveshje bashkëpunimi, projekte, zhvilluar kapacitete, kulturë bashkëpunimi, rregulla angazhime të përbashkëta për t’i parashikuar, miradresuar dhe balancuar oportunitetet e jashtëzakonshme si dhe mirëpeshuar kërcënimet kritike që paraqesin sistemet e dixhitalizuara (G5/6..), në dobi/ndaj sigurisë dhe prosperitetit të qytetareve si dhe promovimit të interesave mbarë-kombëtare.
Ish-Këshilltar Ushtarak i Presidentit të Republikës;Zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të FA; Përfaqësues Kombëtar në Komandën Supreme të NATO-s