Fanatikët e kryetarokracisë janë pakicë
Forum E Diel, 25 Tetor 2020 14:33
Nga Astrit Patozi –
Fati i Shqipërisë nuk mund të mbetet në dorën e një grushti militantësh radikalë, të cilët janë shumë pak në raport me të gjithë shqiptarët e tjerë.
Ata janë komisionerë, numurues, protestues, duartrokitës, doganierë, tatimorë, janë policë, por edhe të burgosur politikë, janë blerës, por edhe shitës votash. Në të gjitha rastet me mëlçitë e varura në qafë, si trofe për shërbimet e ulëta dhe të paligjshme, që kryejnë.
Kjo tufë, që sa vjen e zvogëlohet, por duke përqëndruar më shumë pushtet në duar, është në fakt krijesa më e shëmtuar e kryetarokracisë. Është, si të thuash, garda e saj, për të cilën është punuar vite me radhë.
Ata nuk mendojnë, nuk vënë asgjë në diskutim, por vetëm zbatojnë verbërisht urdhërat e shefave, ndërkohë që fuqinë okulte e marrin gjatë zgjedhjeve tona, gjithmonë e më problematike. Duke funksionuar si batalione jeniçerësh në mbrojtje të sulltanateve të tyre, që bëhen përherë e më kërcënuese për qytetarët normalë dhe të parreshtuar politikisht.
Ndaj këto zgjedhje janë një ftesë e hapur për të gjithë shqiptarët e lirë që ta refuzojnë këtë model të neveritshëm politik. Ku partitë e vjetra janë shndërruar në reparte paramilitare fanatikësh, të cilët mbrojnë apo sulmojnë për interes dhe llogari të 3-4 personave, që kanë marrë peng gjithë Shqipërinë.
Ata janë pakicë dhe si të tillë duhet të trajtohen, por që kjo të realizohet, shumica nuk mund ta lërë të ardhmen e vet në mëshirën e tyre.
Ka vetëm një mënyrë për ta bërë këtë: votë kundër tyre, që t’i ndalim më 25 prill!