Fantazma e Enver Hoxhës është këtu

 

Nga Mesila Doda

Sot është 16 tetori…Ditë shiu, krejt e zakonshme.

Për aktivistët e të drejtave të njeriut ditë e mirë për të sensibilizuar gratë për një përkujdesje më të mirë për veten, që të vuajnë më pak e të jetojnë më shumë në luftë me kancerin e gjirit…kauzë e dobishme, kauzë jetike për gruan…

Kur pyeta time bijë se a e dinte çfarë ishte 16 tetori, me pasiguri dhe si e zënë në fajë mu përgjigj… mos është përvjetori jot dhe i babit???

Në të vërtetë ajo nuk ka nga ti dijë e as që duhet ti mësojë datat e rëndësishmë të fantazmave të liga që bredhin në mendjen dhe historinë e këtij vendi. Ndërkohë unë nuk qëndroj dot heshtazi përballë historisë tonë të djeshme, që qëndron pezull dhe e lidhur fort me fije të padukshme me të sotmen e pandritur.

Vendi ynë ka një të kaluar kriminale. Askush nuk e gjykoi krimin e djeshëm, pakkush e dënoi…shumë e përdorën si çamçakiz a si gargarë për të shpëlarë hallet e të kaluarës a të tashmes së tyre. Por megjithë tualetin e rëndë që vuri mbi fytyrë, ky vend nuk u nda kurrë nga e kaluara e tij. I soditëm heshtazi ish-oficerët, ish-sigurimsat, ish-komunistët, ish-krerët e krimit të rregjimit të djeshëm të ndërronin lëkurën brenda ditës e të shpalleshin shtetarë të denjë, politikanë të përkorë, nëpunës të dedikuar. Atë që ky vend nuk bëri kurrë ish një katarsis i vërtetë kombtar, një çlirim nga pengmarrja e së kaluarës, një analizë dhe dënim historik për të shkuarën e shpifur që fshihej pas burgjesh, internimesh, denigrimesh, intrigash, spiunimesh, arrogance, hipokrizie, servilizmi, dembelizmi, thikash pas shpine e gjyqesh publike,një historie krimi që zgjati gjysëm shekulli, ku një popull i tërë ishte vuajtës por edhe bashkjetues i një krimi publik.

Shumë prej atyre që mund të lexojnë këto rreshta, mund të ripërsërisin togfjalshat e lodhur e të ripërsëritur pafundsisht…po kjo nuk u lodh duke folur për diçka që ka vdek prej kohësh në ktë vend? Kërkon ende të bëj politik më punë që kanë kohë që kanë përfunduar? A nuk e din qe njerzit kanë halle shumë më të mëdha, mes një jete që shtrenjtohet përditë, mes një presioni shtetëror në rritje, mes borxhesh publike marramendse dhe shërbimesh iluzive që shkëlqejnë në ekrane e që janë një zero me hiç në realitet????

Në të vërtetë unë nuk do lodhem kurrë së përsërituri që ajo çka jetojmë sot është frut i një të kaluare që zgjat e përsërit veten pafundsisht. Ne nuk jemi njerëz rebelë. Jemi nervoz, vritemi mes hallexhinjsh për asgjë, por ulim kokën dhe nuk zgjedhim përfaqsues, nuk zgjedhim politikë e drejtues me mend…ne zgjedhim mbretër, ne zgjedhim zotër që i adhurojmë, që kanë nevojë për këtë absurd dashurie masive, që rriten e miklohen në adhurimin tonë e më pas na kthehen kundër, siç ka bërë përgjatë historisë çdo qënje e adhuruar si Zot mes vdekatarësh. Ne besojmë pak por adhurojmë shumë, krijojmë mite të rreme e më pas shtrojmë kurrizn për të puthur tokën ku kalojnë mostrat që krijuam vetë. Ky është qerthulli absurd ku na drejton historia jonë tragjike, krimi kolektiv ku marrim pjesë herë si autorë e herë si personazhe tragjikë.

Në këtë përvjetor të ditlindjes së diktatorit Enver Hoxha, mendimi i vetëm që më vjen ndër mend është…Fantazma jote o njeri i lig, vërdalloset ende rrugve të këtij vendi. Krimi, urrejtja që ti mbolle në këtë vend, është fara e keqe që po na merr frymën edhe sot. Ikja jote nga kjo botë ishte dita më e mirë për ktë vend, por Ti litarin e së keqes e le jashtë varrit. Ky vend po vazhdon dhe do vazhdojë gjatë të shumojë ligësinë e kohëve në të cilin njeriu hante njeriun, që ti dhe rraca jote e ligë të jetonit si Zotër. Ky vend do vazhdojë të pjellë shkatërrim, varfëri, intrigë, hipokrizi, pabesi për sa kohë nuk do vendosë të fillojë një histori të re njerzore.

Që të ndërpritet ky qerthull krimi, ky vend ka nevojë të shkundet. Më së pari ka nevojën immediate të gjykojë dhe të japë zyrtarisht verdiktin Krim mbi të kaluarën e tij. Nuk ka dënim krimesh për trafikantët e të korruptuarit e sotëm, pa bashkvlersuar dhe ata që janë me duar në gjak në krimin e djeshëm. E më pas këtij dënimi publik, politik e penal do duhet të vlersojme e të vendosim rregullat tona në politikë, administratë, vendimarrje, që krimi dhe e keqja e dikurshme të mos përsëritet Kurrë Më… Nëse nuk do arrijmë të sjellim një produkt real që të ndajmë veten nga e kaluara, druaj se e ardhmja do jetë edhe më e trishtuar se e sotmja.

SHKARKO APP