“Fëmijë” të viteve 1930, Noam Chomsky e Edgar Morin kanë frikë nga rivendosja e totalitarizmit

Kudo po shtrohen dy pyetje: Si do të jetë planeti pas pandemisë? A do ta shfrytëzojnë regjimet autoritare krizën aktuale për të imponuar modelin e tyre të qeverisjes? Të intervistuar nga Radio Televizioni Zviceran RTS, bashkëkohësit e viteve 1930, Noam Chomsky dhe Edgar Morin shqetësohen nga shfaqja e sjelljeve e veprimeve autoritare gjatë pandemisë COVID-19.

Sipas tyre, Pandemia e Covid-19 ka lejuar disa regjime shtypëse të forcojnë autoritetin e tyre.  Në Filipine, Presidenti Rodrigo Duterte ka përdorur masa drastike e shtypëse  për të “luftuar” kundër virusit. Madje, ai nuk ka ngurruar të përdorë policinë për të goditur e dhunuar qytetarët që nuk respektojnë masat drastike të izolimit dhe të karantinimit. Madje ai ka mbyllur disa televizone për ti mbyllur gojën opozitës dhe cdo kundërshtari. Sipas tyre, kjo krizë i ka dhënë krah shumë rregjimeve shtypëse por edhe demokracive të tunduara nga autoritarizmi.

Noam Chomsky: “Ngjashmëritë” me vitet ‘30

Gjuhtari i famshëm amerikan Noam Chomsky, i cili ka përjetuar lindjen e totalitarizmit në vitet 1930 kujton në intervistën e tij disa elemente ngjashmërie të periudhës aktuale me atë të viteve ‘30. Për të, ekziston një rrezik real që disa regjime të përfitojnë nga kriza për të imponuar modelin e tyre të qeverisjes. “Në vitet ’30, pas krizës ekonomike, pati dy zgjedhje. Një nga këto zgjedhje ishte ajo e demokracisë sociale, sic veproi Ruzvelt në Shtetet e Bashkuara”. Dhe zgjedhja tjetër ishte ajo e Hitlerit; të gjithë e dimë sot se çfarë rezultoi nga rregjimi i Hitlerit. “Natyrisht, situata nuk është saktësisht identike, por ka ngjashmëri “, ka deklaruar intelektuali Naom Chomsky, aktualisht 91 vjeç, i intervistuar nga RTS.

Kjo krizë përbën për regjimet autoritare një rast të shkëlqyer që të paraqesin modelin e tyre të qeverisjes, si më efikas sesa demokracitë për menaxhimin e krizës sanitare, të cilat sipas tyre janë shumë të buta e të papërshtatshme në menaxhimin e kësaj krize. “Por në fakt, masat më efektive për menaxhimin e pandemisë COVID-19  janë marrë në shtetet demokratike; për shëmbull Tajvani ose Koreja e Jugut kanë rezultatet më të mira se të gjithë vendet e tjera. Ajo që duhet edhe në rastin e menaxhimit të krizës së krijuar nga COVID-19 është një shtet funksional që kujdeset për interesat e qytetarëve të tij “, vazhdon Noam Chomsky.

Edgar Morin: “Do të ketë diçka të re, më keq apo më mirë?

Ky shqetësim i pas-Covid-19 gjendet edhe te filozofi francez Edgar Morin, i cili gjithashtu ka përjetuar Depresionin e  Madh: “Unë në fëmijërinë time kam jetuar pasojat e krizës së 1929; kam jetuar rregjimin e Hitlerit. Kam frikë se e ardhmja është shqetësuese, sepse edhe para krizës koronavirus, në botë pati një prirje regresive, e cila u manifestua nga një krizë e demokracive, e zëvendësuar nga sistemet neo-autoritare “, ka dëshmuar Edgar Morin, e cili ka lindur para 99 vjetësh.

“Nuk është e mjaftueshme të mendojmë, gjatë një krize shumë të fortë si kjo që po përjetojmë, se pas krizës do të dalë një botë e re. Sepse me siguri do të ketë një botë të re, cështja është nëse bota e re do të jetë më e keqe apo më e mirë”” shton Edgar Morin.

Ai kujton vitet pas Luftës së Dytë Botërore. Dhe shpreson se kjo krizë të ngrejë ndërgjegjen e qytetarëve për probleme të caktuara, përfshirë edhe ndaj një “politike që synon të zvogëlojë kapacitetin e spitaleve e t’i shndërrojë ato në ndërmarrje tregtare, ku pacientët trajtohen si mallra të një magazine”. Edgar Morin, nëse është i shqetësuar, nuk është pesimist: “Kjo krizë ka bërë të mundur verifikimin e fatit të të gjithë njerëzve. Shpresoj se do të ketë një vetëdije të re, të ushqyer nga përvoja e izolimit, e cila do të na tregojë veset e mangësitë e shoqërive tona dhe përpiqet t’i korrigjojë ato, për të gjetur një mënyrë të re, e cila shkon përtej kufijve të neo-liberalizmit ” shton ai.

Burimi: Rts.ch

 

 

SHKARKO APP