Festa e Partisë pa themelues!
Nga Artur Zheji/Rama kishte nevojë për një Festë partie, sepse kishte nevojë për një fasadë për të mbuluar me fjalime, drita dhe nostalgji, zhgënjimin e madh që është tashmë sundues rreth Kryetarit të një Partie që po humbet dinjitetin e saj të dikurshëm.
Themeluesit nuk ishin aty. Fatos Nano, si edhe e deklaroi më parë në 360grade.al, nuk donte ti jepte dorën një Kryetari, që vetëm e ka gënjyer dhe tallur mbas krahëve.
Ilir Meta, nuk ishte aty. Aspak aksidentalisht, pamvarsisht angazhimeve në Malin e Zi. Është kjo normale?!
Në politikë kështu ndodh edhe brenda një partie. Ka ndodhur kështu edhe në PD, kur kryetari është i vetmjaftueshëm dhe nuk kërkon ti diskutohet fjala, mendimi apo “vizioni”. Dikur Partia Socialiste, pamvarsisht se trashëgimtare e një partie të zymtë dhe të egër, pa demokraci të brendshme dhe vrasëse e bijve të vet, trashëgimtare e Partisë së Punës pra, u shndërua në një model krejt të kundërt.
E hapur. Me fraksione. Me “grindje” të shëndetshme” për pushtet dhe për ide. Me një aftësi të brendshme për të mos krijuar struktura të ngurta. Me një dikskutim të brendshëm agresiv, ku pothuajse askush nuk kish frikë të sfidonte Kryetarin e saj.
E bëri këtë Ilir Meta me Fatos Nanon. E bëri Majko. Së fundi e bëri edhe Edi Rama. Dhe PS e asaj kohe merrte frymë dhe jepte frymë demokracie, edhe në krahun tjetër, ku qëndonte sovran dhe i përjetshëm Sali Berisha.
Modeli të cilin Rama adhuron në fshehtësi, ndërsa e lufton me fjalë, si një antitezë publike. Festa e Partisë Socialiste ishte më shumë një funeral i demokracisë së saj. Me një Kryetar të ngrefosur, që adhuron veteveten dhe i sheh socialistët si delet e veta. Të nënshtruara dhe nevojtare simbas tij, për Bariun e Gjatë dhe largpamës.
Mjaft prej themeluesve nuk ishin aty. U munduan të flasin me mungesën e tyre. Dhe folën, por kjo nuk mjafton. Madje bariu i vetshpallur i kësaj partie, dikur rrebele, që merrte dhe jepte frymë demokracie në vend, e ka për shtat mungesën e tyre, që është shumë më e lehtë se sa përballja me ta. 360grade.al