Festa e Republikës dhe miqësia e dy vendeve tona
Nga Massimo Gaiani
Fjala e ambasadorit italian në Tiranë, sot gjatë festës së republikës italiane.
Para së gjithash dëshiroj t’Ju falenderoj që pranuat ftesën për të ndarë me ne festën e 2 qershorit. Jemi këtu për të përkujtuar lindjen e Republikës italiane si dhe për të kremtuar lidhjen që bashkon dy Vendet tona. Prania Juaj këtu përbën dëshminë më të qartë të miqësisë së veçantë e të intensitetit të lartë të marrëdhënieve mes Italisë dhe Shqipërisë.
Marrëdhënie kjo që ndër vite është emërtuar në mënyra të ndryshme: strategjike, e natyrshme, e privilegjuar.
Kemi: ngjashmëri kulturore, afërsi gjeografike, intensitet në marrëdhëniet politike, ngjashmëri gjuhësore, interesa të përbashkëta të forta që lidhen me komunitetin e madh e të vlerësuar shqiptar në Itali, me sipërmarrësit gjithnjë e më të shumë si dhe me operatorët e tjerë italianë të pranishëm këtu, me shkëmbimet tregtare që po lulëzojnë.
Përsa më lart, më duhet të theksoj se marrëdhënia mes Italisë dhe Shqipërisë është thjesht unike e nuk ekzistojnë askund tjetër shembuj ku dy popuj të jenë të aftë të kuptohen në mënyrë kaq të thellë e të drejtpërdrejtë.
Të dashur miq, zakonisht, në të tilla kremtime kalohen në revistë ngjarjet që gjatë vitit të fundit kanë lënë gjurmë mes dy Vendeve tona e në marrëdhëniet dypalëshe, duke hedhur vështrimin drejt ngjarjeve kryesore në të ardhmen.
Vitin e kaluar, pikërisht gjatë po së njëjtës periudhë, ndodheshim në prag të dy ngjarjeve të rëndësishme: Shqipëria ishte në pritje të njohjes së statusit të Vendit kandidat; Italia përgatitej të merrte kryesimin e rradhës së Këshillit të Bashkimit Europian. Mund të hedhim vështrimin me kënaqësi kah përparimeve të arritura: Shqipëria tashmë është kandidat zyrtar dhe ka ditur të vijojë rrugëtimin drejt reformave të ndërmarra për t’u gjendur në kushte sa më të favorshme me synim çeljen sa më shpejt të negociatave. Bëhet fjalë për një rrugëtim të gjatë e kompleks që kërkon angazhim e këmbëngulje me vetëdijen se nuk ekzistojnë rrugë të tjera apo më të shkurtra.
Italia ka dashur që kryesimi i Bashkimit nga ana e saj të karakterizohej nga parimi i përparimit dhe i nxitjes kah politikave sa më pranë nevojave të shtetasve të saj, duke nisur prej atyre që kanë të bëjnë me rritjen ekonomike dhe punësimin, e – përsa i përket marrëdhënieve të jashtme – nga vëmendja ndaj Ballkanit dhe Mesdheut.
Kjo qasje do të vijojë të udhëheqë politikën tonë të jashtme. Shqipëria dhe Vendet e Rajonit mund të kenë gjithmonë besim në mbështetjen tonë në rrugëtimin e tyre drejt integrimit në Bashkimin Europian, faktor i vetëm i konsolidimit vendimtar të atyre ekuilibrave që janë arritur me aq mund.
Javën e shkuar Tirana ishte në qendër të një veprimtarie të ngjeshur diplomatike, duke mirëpritur takime të rëndësishme mes Vendeve të Rajonit, dëshmi kjo e rolit thelbësor që Shqipëria mund të luajë në këtë skenë. Të gjithë protagonistët e kësaj jave të veçantë ditën të projektojnë imazhin e një Rajoni që tashmë ka lënë pas krahëve konfliktet dhe është angazhuar të ndërtojë një të ardhme më të mirë për popujt e tij.
Në këtë kah të Adriatikut, e gjitha kjo kërkon angazhim e durim në ndërmarrjen dhe realizimin në praktikë të reformave të kërkuara nga Bashkimi Europian e të nevojshme për vetë zhvillimin e secilit prej Vendeve. Për Shqipërinë janë thelbësore reformat në fushën e drejtësisë dhe të administratës publike, vendimtare në luftën ndaj kriminalitetit dhe korrupsionit.
Ndërsa Europa do të duhet të vlerësojë në masën e duhur përparimet e arritura, në respektim të kritereve objektivë, të veçorive të secilit prej Shteteve pjesë e Rajonit, por pa harruar asnjëherë faktin se perspektiva europiane duhet të mbahet gjithnjë e gjallë pasi për Ballkanin përbën kyçin e kapërcimit të ç’ekuilibrave dhe tensioneve.
Besoj se mund të pohoj që, edhe pse rrugëtimi është i gjatë e vështirësitë nuk do të mungojnë, mund të shohim drejt së ardhmes plot besim e shpresë. Gjatë këtyre tre vjet e gjysëm që kam kaluar në Shqipëri, mund të dëshmoj për përparimet e dukshme të kryera.
Është rritur dhe përmirësuar shkalla e pjesëmarrjes dhe e pjekurisë demokratike, si në rastin e zgjedhjeve politike të vitit 2013 ashtu – eshtë ky një konstatim sikurse dhe një urim – dhe gjatë fushatës që po zhvillohet për zgjedhjet vendore te 21 qershorit. Në të gjitha kahet politike është rritur cilësia e kandidateve dhe kandidatëve, si dhe është afirmuar rëndësia e vlerësimit të ndershmërisë dhe respektimit të rregullave si kusht në zgjedhjen e personave që do t’u besohen funksione publike.
Përparime janë kryer në luftën ndaj krimit të organizuar dhe narko-trafikut. Rezultate të rëndësishme janë arritur në konsolidimin fiskal, falë së cilës Shqipëria gëzon një mbështetje në rritje të donatorëve ndërkombëtarë. Gjithësesi, thelbësore për rritjen dhe zhvillimin e Vendit, mbetet mbështetja e sektorit privat, kombëtar dhe ndërkombëtar. Ky sektor mund të shprehë plotësisht potencialin e tij nëse do të gjejë një klimë sipërmarrjeje të favorshme. Edhe në këtë fushë janë arritur përparime të rëndësishme por gjithësesi mbetet ende shumë për të bërë.
Veprimtaria e sotme, sikurse të gjitha ato të organizuara nga rrjeti diplomatik italian jashtë vendit, renditet në bashkërendim të ngushtë krah veprimtarisë së Milano EXPO, një vend ku mund të përballemi për gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta rreth temës së ushqimit. Parimet e shpalosura nga EXPO, qëndrueshmëria, uji si burim jete, qëndrojnë në themel të zgjedhjeve të sponsorve(Consedin, Mapo, Tepelene, Coca Cola, Villa Alehandro), të cilët kanë dhënë ndihmesën e tyre në realizimin e kësaj mbrëmjeje e që i falenderoj nga zemra.
Do të doja të mbyllja fjalën time me disa vlerësime me karakter personal: gjatë këtyre tre viteve kam ushqyer një dashuri të thellë për këtë tokë e për njerëzit e saj. Këtë ndjenjë si dhe promovimin e marrëdhënieve mes dy Vendeve tona e shndërrova në yllin polar të të gjithë punës sime. Përherë kam marrë në këmbim po kaq dashuri e simpati, çka qëndrimin tim në Shqipëri e ka bërë jashtëzakonisht interesant jo vetëm nga pikëpamja profesionale por dhe njerëzore.
Ju ftoj pra të kremtojmë, të gjithë së bashku festën e Republikës dhe miqësinë mes dy Vendeve tona.