Fevziu: Shqipëria dhe Kosova kanë një borxh që duhet kthyer
Nga Blendi Fevizu
E di që të dy vendet kanë shumë probleme. E di që kriza ekonomike na ka kapluar thellë; e di që Parlamenti shqiptar është mbushur me banditë dhe që Kosova është po kaq e zhgënjyer, por ne kemi një borxh.
Shqiperia e Kosova duhet ta presin një numër refugjatësh. Jo aq për të zgjidhur një krizë që edhe kështu vështirë se merr rrugë, por për të qenë sot solidarë me ata njerëz që ikin me dëshpërim.
Askush më mirë se ne nuk e njeh atë tragjedi. Askush më mirë se shqiptarët nuk e di rrezikun që marrin në sy ata njerëz duke lundruar në ujrat e frikshme të Mesdheut me varka të vjetra dhe rrangalla peshkimi; askush më mirë se shqiptarët e Kosovës nuk e di se ç'do të thotë të ikësh nga lufta.
Të shpëtosh fëmijët nga plumbat dhe vajzat nga përdhunimi. Ne jemi një popull që e njohim deri në dhimbje emigrimin. Ne jemi një popull që kemi emigruar masivisht.
40% e popullatës sonë ndodhet jashtë. Europa na priti në atë moment që kishim nevojë. Ne gjetëm shpëtim në mikpritjen e saj. Sot, jemi ne që duhet të mirëpresim. Për të treguar se dimë të jemi aq dinjitozë dhe mos harrojmë që drama e këtyre njerëzve sot, ka qenë jo shumë vite më parë drama jonë. Ndaj le të jemi solidarë me ta dhe jo vetëm me fjalë. Por me veprim.