Fitorja si forcë dhe si dobësi
Nga Skënder Minxhozi/
Të gjitha sondazhet që fushata elektorale prodhoi gjatë rrugës së saj, ndërsa ndahen në aspekte të ndryshme shifrore, bashkohen në një pikë të vetme: e majta fiton më shumë se gjysmën e 61 bashkive në 21 qershor. Pra, është i qartë trendi, por jo rezultati i saktë.
Kjo e dhënë mbetet për t’u provuar më 21 qershor, pasi si e tillë, ajo është vetëm një indikacion. Por fushata e zgjedhjeve lokale ka lindur dhe po mbaron në shenjën e forcës dhe të dobësisë. Nga njëra anë kemi një panel të gjatë partish dhe siglash politike të pozitës, të cilat kanë zhvilluar një fushatë elektorale të zhurmshme, intensive dhe plot fytyra e emra, të shpërndarë në të katër anët e vendit. Nga ana tjetër, shohim një koalicion të mpakur të opozitës, ku në Tiranë garon thuajse i vetëm Halim Kosova, ku mungojnë praktikisht disa nga figurat qëndrore të opozitës (përfshi Berishën) dhe Basha e ka të vështirë të afirmohet me zë dhe figurë, si lideri i aftë politik që e nxjerr varkën në anën tjetër të lumit.
Si e tillë, kjo fushatë ofron një rezultat që tashmë dihet. Më së paku, pozita nuk do të dalë e dobësuar nga zgjedhjet e 21 qershorit. Si e tillë, ajo do të konfirmojë edhe në takimin elektoral të mes-mandatit, mbështetjen popullore të shumicës së shqiptarëve. Nëse e shohim më në detaj garën, mund të thuhet se e djathta bëhet gati të lëshojë kryeqytetin, pas katër vitesh qeverisjeje. Po ashtu, gara është e fortë në Durrës, ku nuk përjashtohet fitorja nga njëra ose tjetra palë, ashtu siç duket se do të jetë e vështirë që Bazhdari në Shkodër të kryejë surprizën. Sa për pjesën tjetër, duket qartë se Verilindja do të mbetet, me shumë gjasë, një ndër bastionet e vetme të opozitës, kurse pjesa tjetër e vendit mund të dominohet nga ngjyra rozë e Rilindjes.
Forca dhe dobësia e qeverisë dhe opozitës, është emëruesi i përbashkët i këtyre zgjedhjeve. Ky raport është i dukshëm dhe përcaktues në atmosferën që ka mbizotëruar në këto zgjedhje. E që mesa duket do të bëjë që tensionet të jenë të ulëta në ditën e votimit. Kur gara është e dobët, edhe tensionet fashiten, na thotë përvoja e 24 vjetëve.
Javanews.al