Fjala e Edi Ramës në Asamblenë Kombëtare të PS

Kjo mbledhje është e fundit e këtij cikli. Faleminderit gjithë secilit prej jush për kontributin në këto vite të pazakonshme që sollën rritjen, konsolidimin dhe kalimin e partisë Socialiste nga opozita në udhëheqjen e vendit.
Kanë qene vite ku kemi ndarë sëbashku shumë momente të posaçme, nga më të hidhurat te më të gëzueshmet. Jemi rrëzuar dhe jemi ringritur së bashku. Kemi mësuar shumë në rrugën e kësaj përpjekje të përbashkët. Kemi mësuar edhe nga gabimet tona edhe nga njëri-tjetri. Po asnjëherë mësimet dhe gabimet nuk janë mjaft për të mos gabuar më ndonjëherë. Rëndësi ka që në përgjegjësinë e lartë të të qënit të zgjedhur të Partisë Socialiste, mundohemi sinqerisht që në gabim të mos na yshtë vogëlsia e qënies sonë, por madhësia e ambicies për Partinë Socialiste dhe Shqipërinë që kemi marrë përsipër të udhëheqim.
E megjithatë, askush nga ne njerëzit nuk e ka të mundur ti shpëtojë zvogëlimit kudo dhe kurdoherë. Unë jam i vetëdijshëm për këtë dhe nëse për një arsye apo për një tjetër unë jam treguar qoftë dhe pa dashje i vogël ndaj ndokujt prej jush, sidomos në këta 30 muaj ngarkese të jashtëzakonshme, i kërkoj ndjesë.
Por besoj po ashtu fort, sinqerisht, se në këta 30 muaj kemi treguar shumë për vlerën kombëtare të Partisë Socialiste sepse kemi shumë për Shqipërinë e sotme dhe për atë të gjeneratës tjetër. E pikërisht pse kemi bërë shumë kemi mundur të mësojmë shumë edhe mbi çka mund të bëjmë më mirë dhe shumë më mirë. Një ndër këto mësime ka qënë se sa më shumë se deri përpara zgjedhjeve vendore të 2015, na duhet në rrugën drejt zgjedhjeve të 2017-s një Parti Socialiste e reformuar, e ripërtërirë fizikisht, e riorganizuar territorialisht, e rienergjizuar politikisht dhe mbi të gjitha, e transformuar rrënjësisht në përbërjen e saj sociale. Një Parti Socialiste aktive në komunikimin me çdo komunitet dhe grup interesi dhe ndërvepruese në të gjitha nivelet e organizimit të saj të brendshëm; një rrjet social i shtrirë në mënyrë kapilare në të gjithë territorin fizik të çdo njësie vendore të Shqipërisë dhe në mënyrë virtuale në çdo inbox të anëtarëve dhe anëtareve të partisë sonë. Sepse nuk ka asnjë fuqi tjetër përveç Partisë Socialiste që të mund ta përmbushë misionin udhëheqës për të bëtë shtet në këtë vend. Sepse reformat tona kanë hapur një rrugë të re në një të përpjetë shumë të vështirë, ku asnjë forcë tjetër udhëheqëse përveç Partisë Socialiste nuk mund ta mbajë barrën e lidershipit. Sepse e përpjeta e vështirë do të bëhet më e përpjetë deri në fund të këtij mandati, kur rezistenca kundër reformave dhe lumi i baltës kundër nesh nuk do të vijnë duke u ulur, por duke u ngritur.
Parti politike të vendosura të pengojnë me çdo kusht këtë rrugë të re; tribuna mediatike të rreshtuara kundër për arsye të qarta apo të paqarta; grupe interesash jo legjitime, të prekura nga reformat; individë nga të gjitha rrugët e jetës që i bashkohen këtij fronti me armët e arsyet e tyre krejt personale, do të duan natyrshëm të na sprapsin, shkurajojnë, relativizojnë. Ndërkohë që ne do të vazhdojmë përpara të qeverisim me kurajë dhe vendosmëri, duke zbatuar programin tonë të reformave dhe duke e fuqizuar si asnjëherë më parë forcën udhëheqëse të këtij transformimi, Partinë Socialiste, të cilës duhet ti hapim sa më shumë krahët, ti rrisim sa më shumë dinamikën e veprimit, ti japim sa më shumë zë dhe zemër nga zëri dhe zemra e Shqipërisë që do shtet, do rend dhe siguri, do punësim real, taksim të ndershëm dhe rregulla njësoj për të gjithë në punë dhe në rrugë. Do që mësuesit ta meritojnë vendin e punës, tekstet ta meritojnë mundin e nxënësve, zanatet dhe diplomat ta meritojnë investimin e prindërve. Do që shëndeti të mos jetë mall që blihet, por të drejta të barabarta, për ata që kanë të paguajnë, si edhe për ata që s’kanë të paguajnë. Do legalizime falas, çerfikata të tokës bujqësore për të gjithë ata që kanë 20 e kusur vite që rropaten me tokën dhe ende nuk janë zotër të saj. Qytete që të ngjajnë gjithmonë e më shumë si qytete dhe jo si humbëtira të një kohe që ka perënduar 25 vite më parë dhe fshatra që nuk vuajnë për ujë të pijshëm dhe as ujë vaditës dhe nuk mbyten nga uji i tepërt.
Qeveria jonë e Aleancës për Shqipërinë Europiane e ka nisur rrugën e një fillimi të ri drejt arritjes të këtyre qëllimeve për Shqipërinë.
Kjo rrugë ka imponuar natyrshëm edhe një fillim të ri për Partinë Socialiste që mori udhë në mbledhjen e fundit të kësaj asambleje verën e shkuar, kur së bashku vendosëm të riorganizohemi duke u hapur, të rimblidhemi duke u shtuar, të rizgjedhim duke u reformuar. Kjo mbledhje mbahet sot pas 6 muajsh të mirë pune të pazakonshme, në gjithë territorin e vendit ku gjithçka ka ristartuar nga e para. Anëtar më anëtar janë ripërtërirë kontaktet. Organizatë më organizatë janë shtuar radhët. Fshat më fshat, qytet më qytet është reformuar struktura sociale e organizatës socialiste. Njësi më njësi janë zhvilluar zgjedhje të reja për çdo organizatë. Bashki më bashki janë zgjedhuar me parimin një anëtar një votë delegatët dhe delegatet e Kongresit. Qark për qark është ndërtuar baza dixhitale e platformës së anëtarësisë së partisë sonë dhe ndarja e punës në 6 rajone organizative ka dhënë rezultate shumë domethënëse për ti pasur parasysh për të ardhmen në tre aspekte. Angazhim më i madh dhe harmonik i deputetëve dhe të zgjedhurve vendor të Partisë Socialiste; lexim më i mirë i performancës së qeverisjes në territor dhe reagim më efikas ndaj problemeve të konstatuara; përgjegjshmëri më e lartë në funksionimin e koalicionit në territor dhe monitorim më cilësor i tij.
Janë rezultate inkurajuese që nuk tregojnë sa shumë është bërë në këto tre aspekte, por që flasin qartë se nevoja për ti adresuar të treja këto aspekte me një aftësi të re, që sot për hir të së vërtetës nuk e kemi, ende është një shtysë themelore për ta çuar përpara me shpejtësi dhe me cilësi punën e nisur. Falë kësaj pune kemi sot një parti me shumë më pak fiktivitet se gjysmë viti më parë. Me më shumë potenciale në dispozicion se sa gjysëm viti më parë dhe mbi të gjitha me më shumë energji, vullnet dhe impakt shoqëror në rrugën e reformave shtetbërëse sesa 6 muaj më parë. Falë kësaj pune kemi sot 969 pjesëtarë më shumë në familjen socialiste të qarkut Kukës; 1301 në radhët e socialistëve të qarkut Shkodër; 2557 më shumë socialistë dhe socialiste në qarkun Lezhë; 2953 më shumë vajza e djem, gra e burra të moshave dhe të grupeve të ndryshme shoqërore mes socialistëve të qarkut Durrës; 5051 më shumë ndër socialistët e qarkut Tiranë; 3950 më shumë socialistë dhe socialiste të regjistruar në qarkun Elbasan; 3020 më shumë qytetarë dhe qytetare të bashkuar me Partinë socialiste në qarkun Korçë, 4846 më shumë anëtarë dhe anëtare të familjes sonë të madhe në qarkun Fier. 4176 më shumë banorë dhe banore, në vend apo edhe në emigracion, në Gjirokastër, në radhët tona. 9994 më shumë socialistë dhe socialiste të përfshirë në regjistrin e qarkut Vlorë.
Edhe një kuriozitet të bukur, dua ta ndaj me ju, krenar për Partinë Socialiste. Kemi pasur një debat kur po ndaheshin kuotat e delegatëve, për rastet kur bëhej fjalë për një numër tek dhe meqenëse kuotat ishin të ndara dhe janë të ndara, 50% burra dhe 50% gra, debati ishte se kush e merr numrin tek. Unë kam këmbëngulur që numri tek të ndahet mes gruas apo burrit që marrin më shumë vota. Një mik i mirë këtu reagoi duke thënë se kjo nuk është e mundur në disa zona sepse numri i grave është i vogël. E pra, aty ku për një vend delegati në Kongres kanë kandiduar një burrë dhe një grua, kanë fituar gratë në shumicën dërrmuese. Po ashtu, aty ku lista e delegatëve ka qenë numër tek, gratë kanë fituar vendin tek, në shumicën dërrmuese të rasteve. Pra, ne do të kemi 50 % gra dhe vajza dhe 50% burra dhe djem në Kongresin e fundjavës së ardhshme më një avantazh të lehtë të grave dhe vajzave të fituar me votim të fshehtë. Armiqësisht duan të na baltosin si partia që solli kriminelët në parlament. E vërteta është që ne jemi partia që solli në parlament më shumë gra dhe vajza se të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Shqipërisë të marra sëbashku. Jemi partia që solli në qeveri më shumë gra se të gjithë qeveritë e tranzicionit të marra sëbashku. Jemi partia që solli në këshillat bashkiakë të Shqipërisë detyrimet për barazi të plotë gjinore. Jemi partia që do të çojmë përpara axhendën e rritjes së përfaqësimit të grave dhe të vajzave në Kuvendin e Shqipërisë. Kurse, sa për kriminelët mbetet vetëm keqardhja që janë bërë vizion, program dhe zhargon i një politike që mllefin e ka më të madh se turpin dhe gjuhën e ka më të gjatë se shikimin.
Problemi i madh i politikës së këtij vendi nuk është dekriminalizimi, por kriminalizimi. Nuk janë 19 kriminelët imagjinarë që krijoi balta e Shqup-it, në grupin tonë parlamentar, por janë shpifjet e pafundme, akuzat e pakufishme, denoncimet e paskrupullta ndaj çdo ideje që hap një rrugë të re, çdo vendimmarrje që mbështet një zhvillimit të ri, çdo pune që sjell një produkt real më shumë. Nuk kundërshtohet ideja, baltoset njeriu. Nuk kundërargumentohet vendimmarrja, inkriminohen autorët.
Nuk dëgjohet kush përpiqet të sjellë ndryshimin, ai vetëm paragjykohet dhe linçohet publikisht. Sa më e madhe përpjekja, aq më i madh paragjykimi, aq më i pamëshirshëm linçimi.
Në emër të lirisë së shprehjes, ky i yni është bërë vendi i lirisë së fyerjes. Dhe tempulli i demokracisë, Parlamenti, është bërë varreza e respektit të njeriut për veten dhe tjetrin. Për të zgjidhur problemin e dekriminalizimt mjaftoi një ligj. Për të shpëtuar nga kriminalizimi, do të duhet ende shumë kohë. Shumë më shumë kohë se ç’ka Shqipëria që s’mund të presë më asnjë ditë. Prandaj motra dhe vëllezër, me hir apo me pahir, le ta flemë mendjen njëherë e mirë që s’kanë shans të na baltosin po shkuam pas një ideje që ha një rrugë të re.
S’ka gjasa të mos na inkriminojnë po morën një vendim që sjellë një zhvillim të ri. S’ka asnjë mundësi të mos na paragjykojnë dhe linçojnë, po punuam me këmbëngulje për të sjellë ndryshimin kudo qoftë dhe me mendje të fjetur të mos merremi më me ta, por ta bëjmë karvanin të ecë më shpejtë përpara.
Koha që jemi marrë me ta ka qenë kohë e humbur dhe më keq akoma ka qenë një kohë që ua kemi hequr padrejtësisht njerëzve tanë, njerëzve të zakonshëm që janë arsyeja e qenies dhe motivi i betejave të Partisë Socialiste. Kështu që më shumë kohë dhe mbi të gjitha më shumë përkushtim dhe durim për njerëzit, duke vazhduar me edhe më shumë angazhime dhe këmbëngulje rrugën e fillimit të ri në Partinë Socialiste. Për një parti si e jona që udhëheq një vend me probleme dhe vështirësitë e Shqipërisë që trashëguam dy vjet e gjysmë më parë dhe që prej dy vjet e gjysmë të qeverisë, duke reformuar përmes operacionesh aspak të lehta çdo sektor të jetës së vendit, nuk ka test më inkurajues sesa niveli kaq i lartë i prurjeve të reja të radhëve tona, mu në mes të një mandati me peshë kaq kritike.
Por jam shumë larg së menduari se kjo punë e mbarë na mjafton për te realizuar qëllimet tona. Nuk mjafton. Aspak! Kjo puna na mjafton vetëm për të parë dhe kuptuar sesa të mëdha janë mundësitë tona, të cilat duhet ti shfrytëzojmë sa më gjerësisht, në çdo cep të vendit dhe me çdo shtresë dhe grup interesi, duke vazhduar punën me edhe me shumë cilësi dhe ritëm mbi bazën e mirë që kemi krijuar në këta gjashtë muaj.
Kur e nisëm këtë punë mbas mbledhjes së shkuar të asamblesë, ne bëmë fillimisht një anketim për të kuptuar terrenin dhe për të kuptuar potencialin e kësaj ndërmarrje të madhe organizative. Rezultatet ishin aq surprizuese sa nisëm ti besojmë vetëm kur pamë realitetin e prurjeve të reja. 11 % e qytetarëve të anketuar, pra 11% e kampionit që përfaqëson popullsinë mbi 16 vjeç u shprehën se janë gati të anëtarësohen në Partinë Socialiste dhe 16 % të tjerë u shprehën se janë gati ta konsiderojnë një ftesë për anëtarësim nga Partia Socialiste. Sa për t’ju krijuar një ide të domethënies së këtyre shifrave ju them se vetëm 3 % e të anketuarve thonë së janë gati të anëtarësohen në Partinë Demokratike dhe vetëm 7% e tyre shprehen se janë gati ta konsiderojnë një ftesë të mundshme për t’u anëtarësuar në PD.
Dallimi është i qartë, diferenca është e thellë por sfida jonë është shumë më e jashtëzakonshme sesa përfytyrimi ynë për potencialin e Partisë Socialiste. Ky është një tregues për mundësitë, potencialin tonë të rritjes por le ta marrim ndryshe. Nëse duam të rritemi sa është e nevojshme për sfidën që kemi, le ta shohim gotën gjysmë bosh, pra le ta lexojmë potencialin tonë të rritjes si tregues sesa mbrapa jemi, krahasimisht me mundësitë, sesa akoma e madhe është diferenca mes nesh këtu, mes nesh lart dhe territorit poshtë, njerëzve që në territor janë të gatshëm të na bashkohen dhe bashkë me ne, ti japim një cilësi të re kësaj beteje historike për Shqipërinë.
Sigurisht që nëse e shohim kështu, kjo nismë e ndërmarrë në mbledhjen e shkuar, ishte e vonuar dhe këtu natyrisht nuk e kam fjalën për zgjedhje në parti, sepse ato u bënë të gjitha në kohën e tyre, por e kam fjalën për këtë ndërmarrje të madhe hapjeje, zgjerimi, rritje numerike cilësore të partisë që nisëm vetëm gjashtë muaj më parë dhe për këtë dua të bëj një ‘mea culpa’ krejt të sinqertë. Është fakt që kjo puna e mbarë duhet të kishte nisur më parë ashtu siç është fakt që dy vjet e gjysmë më parë duhet të ishte trajtuar edhe çështja e rinovimit të mandatit tim si edhe në këta dy vjet e gjysmë, kjo asamble dhe kryesia e partisë duhet të ishin mbledhur rregullisht. Unë jam përgjegjësi kryesor. Jo thjeshtë për faktin që sot është hapur një diskutim krejt i panevojshëm pas dy fitoreve të mëdha, në dy palë zgjedhje radhazi, por në radhë të parë për faktin se duke parë sesa shumë kemi përfituar në këtë gjashtë muaj pune serioze me partinë, merret me mend se sa më shumë do të kishim përfituar, po të ishim kujdesur çdo ditë për përtëritjen dhe mbarëvajtjen e organizmit të partisë. Kërkoj sinqerisht për këtë ndjesën e çdo pjesëtari dhe pjesëtareje të familjes sonë politike, të kësaj familje politike dhe absolutisht të askujt tjetër sepse askush tjetër nuk ka tagrin dhe nuk i ka as kushtet të më bëjë mua apo aq më pak ne të gjithëve moralin e vlerave dhe parimeve demokratike.
Duan, s’duan kundërshtaret tanë të lodhur apo përgojuesit tanë të shumtë, pa këtë parti, demokracia në Shqipëri do kishte avulluar si ujët e pulës dhe pa forcën udhëheqëse të kësaj partie në qeverisjen e vendit, Shqipëria do ishte sot duke mbaruar se ngrëni vetveten. Duan apo s’duan të gjithë ata që nuk na duan kjo parti ka disa merita që nuk i ka, jo vetëm asnjë organizatë tjetër politike, po asnjë organizatë politike ose jo politike në këtë Shqipërinë tonë.
Ndër këto merita është dhe merita evidente se në këtë mjedisin tonë plot inperferksione dëgjohesh dhe durohesh si në asnjë mjedis tjetër bashkëjetese shoqërore, në atdheun tonë.
Në këtë mjedisin tonë ka dhe gjykatë të posaçme, të zgjedhur me votë të fshehtë për të ndihmuar në zgjidhjet e mosmarrëveshjeve mes nesh. Në këtë mjedisin tonë qëllon, po, të ketë dhe mosmarrëveshje, të ketë dhe këmbime fjalësh me tension të lartë që pastaj na vjen keq që ndodhin. Madje arrijnë madje edhe në fishkëllima të pasjellshme nga stoli rezervave për skuadrën e qeverisë në fushë apo nga shkallët e pallatit të sportit për rezervat që fishkëllejnë skuadrën. Natyrisht, të pasjellshme te dyja. Më mirë të mos ndodhte asgjë nga këto, por asgjë nga këto nuk e bën më të vogël vlerën e shërbimit të madh që kjo parti i bën atdheut tonë dhe shoqërisë sonë. Asnjë nga këto nuk e bën më të vogël vlerën e punës së madhe që qeverisja jonë po bën për vendin, për njerëzit dhe gjeneratën tjetër të këtij vendi. Asgjë nga këto nuk e bën më të madhe vogëlsinë e dritës së gjykimit të kujtdo që s’na do dhe pikërisht pse s’na do përpiqet përditë të errësojë imazhin e kësaj familjeje politike.
Ama, po ashtu s’ka diskutim, kemi dhe një virtyt tjetër në këtë parti që qofsha unë i gabuar, por se kam parë askund tjetër, edhe kur fishkëllehemi padrejtësisht brenda nesh për një punë apo një tjetër, nuk i fshehim të metat apo gabimet tona pas fishkëllyesve të radhës. E në këto vite që kam patur privilegjin t’a drejtoj këtë parti, e kam kuptuar edhe pse-në e këtij virtyti kaq të rëndësishëm dhe kaq të rrallë, në këtë jetën plot imperfeksione, të atdheut të vogël apo të madh sa një fshat. Quhet përgjegjshmëri. Përgjegjshmëri ndaj interesave dhe fateve të kësaj familjeje të madhe me të cilën janë të lidhur pazgjidhshmërisht fatet e vendit dhe të miliona njerëzish. Përgjegjshmëri që e ka imunizuar më kohë e me vakt këtë parti, nga rreziqet e autoritarizmave vulgarë dhe që e mbron këtë familje nga çdo mundësi që papërgjegjshmëria të bëhet vijë sjelljeje individuale apo kolektive e që një njeri apo një grusht njerëzish të sundojë nga lart partinë, duke shkelur vlerat dhe parimet që na bashkojnë, apo ta shantazhojë nga poshtë duke abuzuar me lirinë e shprehjes dhe me demokracinë, si flamur që valëvitet në shkopin e interesave personale.
Kjo përgjegjshmëri e bën të detyrueshme për mua që ta pranoj sot botërisht, që nuk kam qenë i aftë të gjej qysh në fillim të rrugës tonë të re, pas zgjedhjeve, vëmendjen, energjitë, kohën e nevojshme për ta bërë dhe këtë detyrë, detyrën e punëve të brendshme të partisë, me të njëjtin angazhim dhe besoj efektshmëri që kam bërë detyrën e kryeministrit. Sepse kjo e dyta më pushtoi me pahir, tërësisht, të gjithë ekzistencën time, në kushtet shumë të rënda që mora dhe morëm detyrën për të qeverisur vendin, ashtu siç na pushtoi të gjithëve, besoj, natyrisht, secilit dhe secilës sipas peshës së barrës në kurriz.
Mjafton t’i kujtoj këtu çdo deputeti dhe çdo deputeteje çfarë ka hequr qysh të nesërmen e zgjedhjeve, pa dalë rezultati i zgjedhjeve, nga dyndja e njerëzve në derën e shtëpisë që në pikë të mëngjesit, nga telefonat e mesazhet, deri në mes të natës. Ka qenë një presion i paparë për ne që vinim pas aq shumë vitesh në opozitë.
Do të kishte qenë shkëlqyeshëm që të ishim dhe në zyrën e partisë rregullisht qysh në ditën e parë pas zgjedhjeve, siç kemi qenë 6 muajt e fundit. Por gjërat kanë shkuar siç e dimë të gjithë dhe nuk dua që kushdo nga ju ta marrë si përpjekje që unë të shpërndaj barrën e përgjegjësisë time, nëse ju sjell në vëmendje faktin se as unë nuk munda, nuk dita dhe nuk e bëra faktikisht këtë pjesë të detyrës siç do të duhej dhe do kisha dashur, por s’është se pati të tjerë, nuk pati tjetër, që tërhoqën vëmendjen time, apo tonën për nevojën e mos largimit të vëmendjes nga punët e brendshme të organizmit të partisë, për nevojën e zgjedhjes së kryetarit, apo zgjidhjes së kësaj çështjeje statutore për të shmangur një shfaqje elektorale brenda partisë, komplet pa vend për publikun, pas zgjedhjeve të përgjithshme, apo për nevojën e mbledhjes së kryesisë, ose qoftë edhe të kësaj Asambleje.
Unë besoj shumë sinqerisht se kjo ndodhi për shkak se të gjithë u gjendëm nën presionin e madh të një ndryshim cilësor në jetën e gjithsecilit prej nesh, në gjithë mënyrën e organizimit të ditës dhe të natës të gjithsecilit prej nesh, të gjithë qenies tonë politike, nga pakica opozitare në shumicë qeverisëse.
Sfidat e jashtëzakonshme dhe imediate me të cilat u përballëm, na larguan të gjithëve vëmendjen nga detyrimet statutore të jetës organizative të partisë, ky është fakt, e është po ashtu fakt, sipas meje, se të paktën gjatë periudhës së drejtimit tim në parti, që e njoha në çdo faqe të historisë së përbashkët, ne kemi shkruar rregulla për partinë në opozitë, por nuk kemi arritur ta parashikojmë këtë që na ndodhi e të parashikojmë rregulla për një situatë krejt të re, ku praktikisht partia gjendet dhe merr përgjegjësinë për të qeverisur vendin dhe s’është një parti, është Partia Socialiste e Shqipërisë. Është forca më e madhe tek e cila i kanë sytë të gjithë, ata që e duan dhe ata që se duan, ata që e votojnë dhe ata që nuk e votojnë dhe prej të cilës presin shtet dhe përgjegjshmëri në qeverisje, të gjithë, sepse ne jemi prova e asaj fjalës së urtë të krijuar në vite të tëra ballafaqimesh mes të majtës dhe të djathtës.
Kur qeveris e djathta njerëzit thonë: “Ka dhe më keq”. Kur qeveris e majta, njerëzit thonë: “Ka dhe më mirë”. Edhe në Shqipëri, kur qeveriste e vjetra njerëzit thoshin: “Të paktën nuk po na vrasin”. Tani që qeverisim ne, thonë: Po, po janë bërë ca gjëra, por janë shumë pak”.
Unë besoj, por jo vetëm unë, por askush këtu, sepse praktikisht këtu, askush nuk u kujtua që këto çështje statutore, as dy vjet e gjysmë më përpara, as një vit e gjysmë më përpara, nuk e la pas dore punën e partisë për mos kokëçarje, aq më pak mund të mendohet se kjo ka ndodhur për neglizhencë të qëllimshme, e ta harrojmë fare se kjo ndodhi për autoritarizëm vulgar. Ndërkohë, hiri i të vërtetës e do të thuhet se, mbledhjet e rregullta javore të grupit e të kryesisë së grupit, të kryetarëve të komisioneve e ministrave, nuk është se kanë lënë që ne të ndjejmë ndonjë boshllëk të pazëvendësueshëm se nuk mblidhet kryesia.
Ne u përgatitëm jo pak për të qeverisur vendin. Të gjithë këtu janë dëshmitarë se të gjithë kanë marrë pjesë në përpjekjen për të përgatitur jo fitoren, por qeverisjen, e për t’u përgatitur jo me një pamflet elektoral, por me një program qeverisës. Besoj se puna qe ne bëmë pas krizës së zgjedhjeve 2009-2010, për të ndërtuar një program të mirëfilltë qeverisës është më e spikatura në këtë drejtim për një parti opozitare në historinë e këtyre 25 viteve. Por nuk mjaftoi ama, për t ë na lënë kohë dhe kapacitet frymëmarrje që të mund të merreshim edhe me punët e mirëfillta partiake, sepse kur morëm në dorëzim çelësat e qeverisë u gjendëm në kushte e emergjencës përballë një kërcënimi real për financat e vendit.
Është e njohur botërisht, askush nuk merr merita për atë që nuk ndodh por nëse ka një gjë që është në krye të gjërave që unë do të rendisja për çka kemi bërë në këtë vend është që nuk kemi lejuar të ndodhte ajo që mund t’i ndodhte vendit nëse nuk do ishim angazhuar duke thirrur zjarrfikëset e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe duke u marrë dy muaj e ca rresht, me një plan të parandalimit të përhapjes së zjarrit, e në këto kushte, në pamundësi për të na shkuar ndërmend të çelim procesin e zgjedhjeve për kryetar në parti. Aq më pak me parimin një anëtar-një votë.
Parafytyroni, ju lutem, të gjithë atë që unë kam parafytyruar para zgjedhjeve. Më është dukur një absurditet total që ta lija parzmoren dhe shpatën e luftës për të cilën u votuam në qershor, të merrja flamurin e Partisë Socialiste, një shpatë druri dhe të bridhja Shqipërinë në shtator a në tetor që të rizgjidhesha kryetar i partisë, në një garë me vetveten, me parimin një anëtar-një votë. Ndërsa ju të gjithë t’ju thonit zgjedhësve në të gjitha zonat e Shqipërisë: “Prisni një muaj tani, se ne kemi statutin dhe ky statut na detyron t’ju japim një shfaqje demokracie, pavarësisht se ju sapo na dhatë mandatin të qeverisim me një fitore plebishitare”. Bën vaki të ketë njerëz që mendojnë se unë e kam pasur dhe vazhdoj ta kem gabim që jo vetëm nuk e dhashë atë shfaqje, por mendoj dhe sot që kam bërë gjënë e duhur, e që askush nuk duhet të ndihet përgjegjës pse nuk e bëmë atë shfaqje.
Më vjen keq, po ashtu, por kështu mendoj dhe nuk shoh asnjë mundësi ta ndryshoj atë mendim. Bën vaki që të kenë të drejtë disa të tjerë nga ne që mendojnë se këtë që duam të bëjmë ne sot, pra adaptimin e modelit laburist britanik, duhet ta kishim bërë atëherë. Po, edhe mund t’u jap të drejtë. Por fakti që jo vetëm unë, por askush nuk e mendoi atëherë këtë është fakt dhe në qoftë se rrimë merremi me ç’bëmë dhe nuk bëmë atëherë është humbje kohe.
Por ama nuk bën dot vaki që unë dhe kush këtu në këtë betejë të madhe që jemi përfshirë prej dy vjetësh për të rilindur Shqipërinë, me mish e me shpirt, në shërbim të kauzës të reformimit rrënjësor të vendit dhe me shijen e baltës të shpifjeve në gojë sa gdhihet e deri kur ngryset dita e perëndisë ta pranojmë që një diskutim legjim për statutin të kthehet në një debat hileqar për qeverisjen. Sepse për statutin mund të kemi opinione të ndryshme. Bujrum, le ta cojmë deri në fund debatin, madje më fërshëlleni mua sa të doni. Dha hallall ua bëj dhe gjithë retorikën për njeriun e vetëm që paska frikë të votohet në parinë socialiste. Mund të kemi opinione të ndryshme, edhe për qeverisjen sigurisht, ti ballafaqojmë, po e drejtë për këtë duhet të kishim funksionuar edhe kryesi, edhe asambleja e me radhë.
Por ama nuk mund të kemi në këtë parti kurrsesi jo, fakte të ndryshme mbi qeverisjen. Ky është një problem i madh që jo ne, por Shqipëria e ka pasur, e ka dhe do ta ketë me Saliun, deri sa Saliu ta ketë peng partinë Demokratike, dmth deri sa të jetë gjallë. Por ky problem nuk mund të importohet në PartinëSocialiste, si një kobure e fshehur brenda librit të statutit, për të qëlluar mbi qeverisjen, duke e kthyer të drejtën për një ballafaqim opinionesh për statutit, në një abuzim spektakolar për të goditur qeverisjen, me të gjithë fishekët e manovrave të Saliut. Në PS mund të ketë opinione të ndryshme e po të doni, edhe diskutime, patjetër, për ekonominë. Por në Partinë Socialiste nuk mund të ketë fakte të ndryshme për rritjen e ekonomisë. Sepse ndryshe nga sa thotë Saliu, është fakt dhe jo opinion, që ne e kemi kthyer ekonominë në rrugën e rritjes, e këtë vit jemi në rrugën e trefishimit të rritjes ekonomike, krahasuar me fundvitin e vitit 2013.
Ne mund të kemi opinione të ndryshme për qasjen ndaj borxhit, por nuk mund të kemi fakte të ndryshme për sa borxh kemi marrë, e sa borxh kemi larë. Sepse nëse Saliu thotë që kemi rritur borxhin, ka një fakt, që përkundër rreth 1.6 miliardë borxh që kemi marrë, kemi larë deri tani 2.2miliardë! Pra Shqipëria sot nuk është e zhytur më thellë në borxh, po ka larë më shumë borxh se ka marrë, dhe ka hyrë pas shumë vitesh në rrugën e uljes së borxhit. Po ashtu nuk është opinion, por është fakt që nëse në 2013 një shqiptar paguante për interesat e borxhit publik, 107 euro në vit, sot paguan 10.7% më pak. Ka midis nesh “magjistarë” që mund ta ulin më shumë borxhin dhe barrën e interesave, bujrum, jemi të hapur për çdo “magji”. Por jo me fakte të ndryshme, me opinione të ndryshme, me receta të ndryshme. Ne mund të kemi opinione të ndryshëm për shpejtësinë dhe thellësinë e reformës në energji, por nuk mund të kemi fakte të ndryshme për çmimin e energjisë, që Saliu thotë është rritur, kur në fakt është ulur.
E kaq e vërtetë është që është ulur, saqë gjithë përpjekja për të organizuar protestën e shekullit me energjinë, avulloi dhe ajo, si ujët e pulës, sepse faturat i erdhën njerëzve në xhep. Fakti, jo opinionet!
Ashtu sikundër, s’mund të kemi fakte të ndryshme për nivelin e taksimit, që sipas Saliut është rritur, kur në fakt është ulur, e është ulur pikërisht për të gjithë ata që kemi parashikuar ne të ulet, në programin tonë qeverisës. Për çdo shqiptar që merr deri në 1.3 milionë lekë të vjetra, e për çdo biznes të vogël. Ne mund të kemi opinione të ndryshme, për sa më shumë investime të huaja mund të thithim në këtë fazë tranzitore reformash, nga Shqipëria rrumpallë, tek Shqipëria me shtet. Por s’mund të kemi fakte të ndryshme për nivelin e investimeve të huaja, qoftë në raport me kohën e qeverisë së vjetër, qoftë me rajonin. Gënjeshtrat e Saliut, dalin e teprojnë, nuk mund t’ia përsërisim ne njëri tjetrit. Aq më pak s’mund ti përsërisim përpara opinionit publik, e pse nuk është opinion, por është fakt që në Shqipëri, investimet e huaja, janë rritur, edhe në raport me Maqedoninë. Edhe në raport me Serbinë, e me radhë.
Ne mund të kemi opinione të ndryshme për punësimin, por nuk mund të kemi fakte të ndryshme, për rritjen reale të punësimit. E bën shumë mirë Saliu, gjithë misionin baltosjes së qeverisjes sonë. E përbaltjes së të gjithë atyre që janë në vijën e parë për të reformuar vendin.
Nuk e kemi ne luksin të pranojmë që nga brenda nesh ta ndihmojmë përbaltjen, me fakte të fabrikuara. E për çfarë? Që të luftojmë qeverinë tonë? Si prurësen e fatkeqësive, të varfërisë, papunësisë, Për këtë? Ku është parë kjo? Ku ndodh kjo? Në cilën parti demokratike të planetit? Është fakt, nuk është opinion që në librat e llogarive të këtij shteti sot figurojnë 170 000 njerëz të punësuar më shumë se në fundvitin 2013. Është fakt, nuk është opinion që nëse në 2013 raporti i të punësuarve ishte 35% në sektorin shtetëror, dhe 65% në sektorin privat, sot është 77% në sektorin privat dhe 23% në sektorin shtetëror. E këto, nuk janë fakte që i shkruan partia. Janë fakte që lexohen në librat e llogarive të shtetit. Nuk ka asnjë diskutim që ne mund të kemi opinione të ndryshme, se si ti ndihmojmë të varfërit, e s’kemi si e shmangim dot sepse jemi partia socialiste, jemi parti e majtë, hipokrizinë që shpërthen hera herës në gjirin e partive të majta që marrin përsipër sfidat historike të reformizmit, siç po bëjmë ne në këtë periudhë.
Është hipokrizi tipike elitiste, e të majtës të ikur për rrush e kumbulla, bashkë me shekullin e kaluar, të murit të ndarjes ideologjike e që ringjallet diku këtu, diku aty, nëpër Europën e çoroditur, si për të riprovuar që e vetmja gjë që di të bëjë, është të shkatërrojë pasurinë, jo të luftojë varfërinë.
Një hipokrizi që nuk ka asnjë problem të bashkëjetojmë, bashkëjetojnë të gjitha partitë e majta demokratike të planetit. Sepse për më tepër, partia jonë është shumë e madhe, për të pretenduar se nuk ka vend për një stendë arkeologjike të së majtës e për këdo që dëshiron të vajtojë para stendës për të varfërit, sa herë që në sheshin e betejës për të rilindur Shqipërinë, ne luftojmë për një reformë.
Por ama jo, nuk ka sesi të bashkëjetojmë normalisht nëse ndahemi për faktet përveç se për opinionet. Sepse është fakt, nuk është opinion, që kjo qeveri, në dy vjet, ka marrë masa fiskale lehtësuese që kanë lënë në xhepat e familjeve 150 milionë dollarë plus, të cilat në buxhetin e 2013, shkonin në arkën e shtetit. Sepse është fakt, nuk është opinion, që kjo qeveria ka lënë në xhepat e shqiptarëve përmes taksimit të ndershëm 80 milionë dollarë plus, që deri në buxhetin e 2013, shkonin në arkën e shtetit, nuk rrinin në xhepat e qytetarëve. Sepse është fakt, nuk është opinion që kjo qeveri, vetëm nga ulja 30% e imponuar me pulitka, e çmimit të ilaçeve dhe heqja 10% e taksës mbi çdo ilaç, i ka lënë në xhepat e familjeve shqiptare që kanë njerëz të sëmurë, 70 milionë dollarë plus. Është fakt, nuk është opinion, që kjo qeveri ka lënë në xhepat e konsumatorëve të energjisë, 40 milionë dollarë plus nga reduktimi drastik i kamatvonesave. E nuk është opinion, është fakt, që ne paguajmë çdo vit 16 milionë dollarë nga buxheti i shtetit, për çdo konsumator të varfër të energjisë elektrikë, për të zbutur 100 % masën e pasojës nga heqja e fashës 300 kw. Këto janë fakte, si mund të bëjmë diskutime në këtë parti, duke thënë, “jo, çmimi i energjisë është rritur, jo papunësia është rritur! Jo, shqiptarët janë më të varfër! Jo, jo, jo!” Ku ndodh kjo? Mbi çfarë? Mbi c’bazë?
Është fakt, nuk është opinion, janë 83 300 familje sot, tani që flasim, që jetojnë me biznes të vogël. Zero taksë! …. dhe 19 50 të tjerë, e kanë 50% më të ulët. E nuk është as ky opinion, që këto para, janë të gjitha para që nuk vijnë nga zoti, por hiqen nga buxheti i shtetit. Hiqen nga buxhetet e njësive dhe të agjencive. E si kompensohen këto? Këto kompensohen duke bërë reforma, e duke imponuar ligji, ligj, ligj, shtet, shtet, shtet! S’ka asnjë rrugë tjetër!
Është fakt, nuk është opinion që në 2 vjet e gjysmë, ne kemi shtruar 207 kilometra rrugë. Jo asnjë! Rrugë nacionale. Saliu thotë asnjë kilometër rrugë. Por ky nuk është fakt, dhe mund të bëhet fakt në partinë socialiste, e nuk mund të jetë arsye për të sulmuar qeverinë e partisë socialiste nga brenda partisë socialiste. Sepse këto i thotë Saliu. Nuk ka nevojë ti dëgjojmë nga njëri tjetri. E është fakt nuk është opinion që në 8 vjet të qeverisë së vjetër, dëgjoheni këtë, janë shpenzuar 895 milionë lekë për pagesat e papunësisë. Në këta dy vjet, janë shpenzuar 905 milionë lekë. Nëse ndihma ekonomike për ata që vajtojnë për të varfërit e të varfërve nuk i dinë as ku e kanë shtëpinë, ka qenë 150 milionë dollarë në vitet e qeverisë së vjetër, është 210 milionë dollar në këto dy vjet, ndihma ekonomike, pra për të varfërit. Pra, 60 milionë dollarë më shumë. Por ky është buxheti i Shqipërisë. Sigurisht, mund të ndajmë opinionin që nuk mjaftojmë, mund të ndajmë opinionin që të gjitha këto nuk mjaftojnë, mund të ndajmë edhe opinionin që mbase ka ende më shumë, ende më ndryshe. Patjetër! Por nuk i është opinion, është fakt që në këta 2 vjet e më tutje, kush ka dalë në pension, përfiton një pension nga 2% deri në 40% më të lartë, seç ishte i dënuar të merrte nën atë tavanin 240 mijë lekë të vjetra, për të gjithë, që la Saliu.
Po të zgjatem me listën e fakte mund të vazhdojmë deri nesër. Jo metaforikisht, po faktikisht, mund të vazhdojmë deri nesër. Por nuk po zgjatem, sepse lista e fakteve që kjo parti nuk mund t’i diskutojmë mes vetes, e të thotë, “jo, nuk është fakt ky, fakt është ai që them unë!” dhe mundësisht duhet të humbë kohë sa më pak, duke i diskutuar dhe me vetë Saliun. Është shumë e gjatë, e në ketë listë, ka dhe një fakt tjetër për ata që thonë me Saliun në krye, s’keni rritur pagat, skeni rritur pensionet. E vërteta është që pagat mesatare dhe të ulëta, pra për ata të mesmit e të varfëri, janë rritur me 7.5% si rezultat i politikës së re me taksat e rregullimet që kemi bërë në sistemin e pagesave. E nuk kemi gjetur një fushë me lule, ku na takonte vetëm ti mblidhnim lulet, e ti stivonim nëpër vazo. Kemi gjetur një terren të minuar. E ç’mino nga njëra anë, mbill nga ana tjetër, sigurisht që nuk mund të presësh, që të korrësh gjithçka ke ëndërruar kur ke hedhur votë. Kështu që le të diskutojmë mbi këto fakte, dhe të ballafaqojmë ide, mendime, rrugë, se si mund ta bëjmë më shumë të efektshme forcën e PS, duke e bërë fakt çdo rezultat edhe shumë më bindes të qeverisjes sonë. Kjo është jo vetëm çfarë mundet, por edhe çfarë duhet të bëjë më mirë kjo parti, por ama si një parti, një parti e vetme, me një vizion, që ndan të njëjtin qëllim, që lufton mbi të njëjtin program dhe natyrisht që mundohet të adresojë të njëjtat fakte. Jo si një hapësirë debati që bashkë me ne debaton dhe Saliu me faktet e veta, në mjedisin tonë të debatit. Ku ndodh kjo? Kjo nuk shkon. Kjo nuk lejohet. Nuk ka demokraci dhe liri që këtë e lejon.
Por sigurisht këtë nuk mund ta zgjidhim këtu, ose nuk mund ta zgjidhim pa zgjidhur çështjen që është bërë sebep apo përdoret si sebep. Kjo nuk ka asnjë rëndësi. Për të sulmuar në mënyrë jo solidare dhe as parimore qeverisjen, sepse është fakt edhe ky dhe nuk është opinion, që statuti nuk është respektuar lidhur me zgjedhjet time si kryetar i PS. Pandi ka të drejtë pavarësisht se është me mua. Por pse nuk është respektuar. Opinionet janë të ndryshëm, por pse nuk është respektuar këtë nuk mund ta diskutojmë dot. Por sipas meje e mbështes me bindjen më të plotë rregullimin e ri statutor sipas modelit laburist dhe arsyet do ti them më qartë në Kongres në varësi se si do të zhvillohet ky debat. Kështu që nuk kalohet me votim shumice, nuk kalohet as në Kongres, sepse mandati im është marrë me votim një anëtar, një votë dhe nuk mundet të rinovohet me votën e Kongresit. Por nga ana tjetër nuk ka asnjë rrjedhim logjik që të çon në përfundimin se shumica dërrmuese që mbrojnë opinionin se nuk duhet shkuar në zgjedhje, u dashka të nënshtrohet opinionit të një numri shumë të vogël shokësh dhe shoqesh për të shkuar në zgjedhje, ashtu sikundër nuk ka shansa që kjo parti ta ndalojë apo ta relativiziojë sadopak punën e vet kryesore, udhëheqjen e vendit në këtë moment kaq të rëndësishëm reformash, po edhe zgjedhjesh vitin e ardhshëm dhe këtë ju lutem të mos ta harrojë askush dhe dhe të hyjë në një palë zgjedhje, jo vetëm të kota ,por sipas meje edhe shumë joserioze përballë atyre që nga ne duan të qeverisen, jo të torolisen, në kurthin e nje procedure të brendshme statutore. Aq më tepër dhe unë do ta them deri në fund procedurën këtu, kur statuti është bërë gjithnjë e më shumë alibia, e kur qëllimi i shpallur haptas është rrëzimi i qeverise, ndryshimi kursit qeverisës, ndryshimi i programit të qeverisjes për të cilin kanë votuar 1 milion njerëz.
E të tjera barsaleta si këto, të cilat mund të argëtojnë sallonet dhe portalet e llogjeve politike por s’mund ta shfokusojnë anjë milimetër PSSH në rrugën e reformave për të bërë shtet. Atëherë si i bëhet që shumica sado dërrmuese të mos imponohet dhe pakica sado e patërfillshëm numerikisht të respektohet? Ka vetëm një fuqi që e bën këtë më mirë se të gjithë ne, PSSH. Shkojmë në referendum dhe ta vendosin socialistët çështjen e mandatit tim, as ju, as unë, as ne, por socialistët dhe socialistet në të gjthë Shqipërinë me votë të lirë dhe të fshehtë. Në përgjigje të pyetjes nëse mandati im duhet të ndërpritet dhe të shkojmë tek ata për të zgjedhur kryetari me një anëtar, një votë, apo mandati im rinovohet automatikisht në bazë të modelit të ri statutor sipas modelit laburist. Këtë ja kemi për detyrë PS dhe për një arsye më shumë sot se dje, që ata që nuk na duan, të mos na duan edhe më shumë, ndërsa ata që na duan, ta duan, ta besojnë dhe ta mbështesin më shumë këtë parti dhe ta mbështesin dhe më shumë këtë parti sepse jo parti sido që ta rrotullojmë gjuhën, ngado të na e çojnë vështrimin interesat e momentit, dëshirat aspiratat mllefet, nuk është e Edi Ramës, nuk është e Gramoz Rucit, nuk është e asnjë deputeti të PS. Nuk është as e forumeve. Kjo parti është e çdo burri dhe gruaje, e çdo djali dhe vajze që sot kanë në zemër përkatësinë në PSSH, një parti e papërsour, një parti shqiptarësh në tranzicion, por ama jo vetëm që nuk ka të krahasuar në të mirë me asnjë organizatë tjetër politike apo jopolitike në Shqipëri, por është në nderin tonë më të madh e vetmja pasqyrë publike në këtë vend që nuk ka vetëm dy dimensionet e ekranit të TV apo faqeve të gazetave.
Kështu që të rrojë Partia Socialiste, qentë le të lehin, karvani le të eci përpara.

SHKARKO APP