Fjalë, fjalë, sa shumë fjalë…

 


Nga Skënder Minxhozi

Një panel i madh ministrash e zyrtarësh të lartë të qeverisë është ulur përballë vartësve të tyre, ndonjë ambasadori të huaj dhe mediave të rreshtuara në fund të sallës. Objekti i aktivitetit: çfarë kemi bërë, pse e kemi bërë dhe si e kemi bërë! Natyrisht që në krye të vendit qëndron kryeministri, i cili merr rregullisht gjysmën (ose më shumë) të kohës së takimit.

Është ky një refren thuajse i përditshëm këto kohë, i cili nuk kursen as të shtunat, si ajo e djeshmja. Kur sërish ministrat kanë zënë ekranet e televizioneve, për të folur për ekonominë, financat dhe informalitetin. Dhe sërish shfaqet e njëjta sëmundje: ato që janë detyra funksionale të një dikasteri apo institucioni, ato që janë themeli i punës dhe i arsyes se përse i paguajmë këto struktura dhe këta funksionarë me taksat tona, na numërohen nga mëngjesi në darkë si suksese të padëgjuara, si mrekulli të zbritura nga qielli për herë të parë, si akte që nuk do të kishin asnjë shans të ndodhnin po të mos ishte në zyrë ky apo ai ministër a drejtor.

Një sasi e frikshme fjalësh po prodhohet nëpër foltoret e shtetit këto muaj. Dhe si gjithmonë, kur fjalët janë kaq të shumta, vjen momenti që ato i kalojnë veprat, punët dhe rezultatet. E gjitha kjo ka kaluar prej kohën cakun e normales. Ministrat që na thonë për të njëqindtën herë sesi kanë mbledhur taksat, sesi po punojnë për të rritur performcanën fiskale, janë një gjë mjaft e shëmtuar për t’u parë.

Është mëse e kuptueshme që pozita dhe opozita do të bëjnë luftën e tyre politike për mënyrën sesi ecin gjërat në një vend. Ky është një mekanizëm i praktikuar në të gjitha vendet demokratike, u ekzekutivi punon dhe opozita ruan. Por që në Shqipëri, ku demokracia ekziston si procedurë por jo ende si mendësi dhe si praktikë, edhe ky raport deformohet. Ne shqiptarët i kemi shumë qejf ekstremet. Pasi mësojmë diçka, kemi maninë t’i futemi dhe ta çojmë atë përtej normales, përtej caqeve të lejuara. Kështu ndodh edhe me debatin politik, i cili kthehet në një spektakël të shëmtuar sharjesh, duke e humbur kësisoj dallimin mes asaj që është një periudhë e qetë qeverisjeje dhe asaj që është një fushatë elektorale. Shikoni lajmet, do të kujtoni se ndodhemi në një fushatë elektorale të pandërprerë.

Dhe shfaqjet me rezultate dhe shifra janë pjesë e kësaj fushate të paqenë. Qeveria Rama ka kryer shumë punë në dy vjet, as që diskutohet. Lazarati, arsimi i lartë, faturat e energjisë, informaliteti, janë beteja pozitive, qoftë edhe me gabimet e pashmangshme që mbartin. Por ashtu siç ka bërë punë, qeveria ka bërë e po bën edhe shumë gabime, disa prej të cilave, si tenderi i Jaguarëve, mund dhe duhet t’ja kishte kursyer reputacionit të saj.

 

Të dalësh e të flasësh përditë se çfarë ke bërë, kur zgjedhjet më të afërta janë një vit e gjysëm larg, kjo nuk vetëm sa shton malin e fjalëve, duke rrezikuar të kthehet gradualisht në bumerangun e indiferencës dhe të bezdisë së opinionit publik. Qeveria duhet të punojë, para se të flasë. Nëse i mbledh zyrtarët nëpër mbledhje të pambaruara, kush do të mbetet nëpër zyra që të bëjë punën?! (Javanews.al)

SHKARKO APP