Fjalimi i plotë i Ben Blushit në Kumanovë: Nëse lagja s’është më, trimat do mbeten

 

“Shpreh dhimbjen e trishtimin, solidaritetin për të gjithë këta banorë që i takova sot vetë, që kanë vuajtur një padrejtësi, dhe në fakt një pabesi, se kur shteti është i pabesë ky është fundi i shtetit, megjthëse kam një besim dhe një shpresë se kjo quhet Lagja e Trimave, dhe nëse lagja s’është me, trimat do mbeten dhe Kumanovë dhe shqiptarë pa trima s’do ketë”…

Nga Ben Blushi

Së pari, dua të shpreh ngushëllimin tim edhe solidaritetin tim të gjithë atyre që kanë vuajtur atë ditë kur shteti ka sulmuar civilë të pafajshëm këtu në Lagjen e Trimave në Kumanovë. Këto janë pamje lufte që i kishim harruar në Ballkan, edhe ndoshta që nga konflikti i vitit 2000 s’kemi parë akte kaq të dhunshme.

Polica e Maqedonisë ka sulmuar shqiptarë të pafajshëm, burra, gra, fëmijë, në mëngjes herët, pa njoftim, pa paralajmërim edhe kjo është ajo që shohim sot. I ka marrë atyre gjithçka që kishin në radhë të parë i ka dhunuar si shtetas të barabartë të Republikës së Maqedonisë.

Unë besoj që kjo qeveri, duhet detyrimisht qeveria e Maqedonisë t’i kthejë këtyre qytetarëve të Lagjes së Trimave, qytetarë të Maqedonisë, besimin se mund të vendosë drejtësi duke hetuar ngjarjen dhe duke nxjerrë para ligjit ata që kanë dhunuar civilë të pafajshëm, sepse Maqedonia s’mund të bëhet një shtet i drejtë, demokratik, nëqoftëse nuk ka drejtësi, nëse nuk ka barazi, mes

shqiptarëve dhe maqedonasve, nëse s’ka barazi përpara ligjit për të gjithë qytetarët të Maqedonisë, dhe unë shpresoj që orë më të mira do vijnë për shqiptaret e Maqedonisë, për gjithë qytetarët e Maqedonisë se ajo nga e cila vuan sot Maqedonia është demokracia, po të ketë më shume demokraci, më shumë respektim të ligjit, të respektohen të drejtat e civilëve, do jetë më mirë për shqiptaret këtu, për maqedonasit për gjithë qytetarët e Maqedonisë që ndihen qytetarë me të drejta të barabarta në shtetin e tyre të përbashkët.

Dua të them ngushëllimet e mia, dua të shpreh dhimbjen e trishtimin, solidaritetin për të gjithë këta banorë që i takova sot vetë, që kanë vuajtur një padrejtësi, dhe në fakt një pabesi, se kur shteti është i pabesë ky është fundi i shtetit, megjthëse kam një besim dhe një shpresë se kjo quhet Lagja e Trimave, dhe nëse lagja s’është me, trimat do mbeten dhe Kumanovë dhe

shqiptarë pa trima s’do ketë.

Unë kam folur me shumë banorë që atë ditë kanë qenë në sulm, në terror, ata më kanë treguar historitë e tyre personale, fëmijë burra, gra, njerëz të cilët pa asnjë lloj paralajmërimi janë sulmuar në dat 9 Maj, në të gdhirë. Historitë e tyre janë tragjike, por çështja s’është ça ka ndodhur, por ça do ndodhi. A do ketë mundësi Republika e Maqedonisë të na njohë si qytetarë

me të drejta të barabarta? Dhe pikëpyetja tjetër është a përfaqësohemi siç

duhet? A kanë sot shqiptarët e Maqedonisë përfaqësimin e duhur?

Shumë prej tyre thonë jo. Duhet detyrimisht që paritë shqiptare në Maqedoni ta ngrenë zërin, të mbrojnë të drejtat e shqiptareve të Maqedonisë, dhe në fund fare të jenë demokratë, shqiptaret e Maqedonise kanë nevojë për demokratë të vërtetë që i mbështesin dhe i përfaqësojnë në parlamentin e Maqedonisë.

Kush ka mundësi të ndihmojë, të solidaroizohet me të gjitha mundësitë qofshin materiale për shqiptaret e Kumanoves, për Lagjen e Trimave. Unë kam ardhur sot si deputet i Parlamenti të Shqipërisë, për të parë çfarë ka ndodhur në Kumanove, çfarë thonë njerëzit dhe çfarë mundësie ka që të drejtat e shqiptarëve të respektohen.

Shqipëria është në zgjedhje por jam i bindur, kushdo që votohet në Durrës do kishte për nder ta binjakëzonte qytetin e Durrësit me Kumanovën, se Kumanova sot është simboli i shqiptareve kudo qofshin, është qyteti i rezistencës, i moralit, i flamurit dhe gjakut, kjo është Kumanova sot dhe shqiptaret kudoqofshin jetojnë me sytë nga Kumanova.

 

*Fjala e mbajtur gjatë takimit me banorët e Kumanovës

SHKARKO APP