Flet Maks Velo: Kush e përdhunoi Alida Hiskun
Po bëhet thuajse një javë që kur motori i kërkimit “Google”, pavarësisht fjalës që ti shkruan për të nisur kërkimin, të nxjerr vetë; Alida Hisku. Këngëtarja në një intervistë tregoi se si i përdhunonin hetuesit gratë në burgje.
Së paku tentoi të thoshte këtë sepse, në fakt, nuk kishte asnjë emër hetuesi e asnjë emër gruaje. Duke dashur, sipas asaj vetë, të ruajë privatësinë e grave, ndërsa në rastin e hetuesve, pretendimi ishte se i kishte falur.
Për një ngjarje të besueshme, në vend që të cenonte gratë, Hisku ofroi ngjarjen personale, përdhunimin e saj.
Mirëpo, siç ndoshta nuk e kishte parashikuar, kolegë të saj, përfshi këtu edhe nga ata që kanë vuajtur ca më tepër, si ajo, si këngëtari Sherif Merdani, mohuan në mënyrë absolute se një gjë e tillë mund të ndodhte në atë kohë; së paku, jo brenda dyerve të institucioneve.
Nga ana tjetër, kompozitori Agim Krajka tha se nuk kishte dëgjuar kurrë për një rast të tillë. E gjendur mes një situate që e shkaktoi vetë, por që nuk arriti ta mbajë “të gjallë” me fakte deri në fund, pasditen e së premtes, këngëtarja Alida Hisku doli sërish në media, por këtë herë për të akuzuar gazetaren e për të thënë se asgjë nga ato që ishin shkruar, nuk kishin dalë prej gojës së saj.
Meqenëse kjo gjë është bërë e zakonshme, tashmë të thuhet nga Hisku apo të tjerë kolegë të saj e më gjerë, media në të cilën ishte botuar intervista zbardhi intervistën video, ku Hisku fliste pikërisht për ato që ishin shkruar 3-4 ditë më parë.
Në vazhdën e kësaj historie kemi pyetur sot piktorin Maks Velo, si një nga njerëzit që e ka provuar vetë dhunën e sistemit, njeh mirë atmosferën e kohës dhe që ka vijuar të shkruajë e të flasë për historitë e kohës së burgut, edhe në liri, kur nuk është e lehtë të marrësh për të mirëqena fjalët e askujt. Historia, për keq apo për mirë, po servilet sipas interesave dhe humorit të gjithsecilit, dhe këtu çështja nuk ngelet më brenda.
Për shkak të asaj çka keni jetuar e gjithë atyre që mund të keni dëgjuar, ju e njihni mirë situatën e asaj kohe. Keni ndjekur gjithashtu rrëfimin e këngëtares Alida Hisku, e cila pretendon se është përdhunuar, por që me sa duket më pas kërkon të tërhiqet prej asaj që ka thënë. Si funksiononte, është dëgjuar për raste përdhunime grash në burgje?
Kjo është e pamundur. Kur merrej një femër në hetuesi ishte kusht që ose hetuesja të ishte gjithashtu femër, ose të ishte gjithsesi një femër e pranishme. Kjo sepse Ministria e Brendshme e kishte pësuar që herët dhe nuk lejonte njeri të përsëritej më e njëjta gjë ose edhe nëse do të ndodhte, ai që do të zbulohej, ishte automatikisht i pushkatuar dhe kjo gjë dihej nga të gjithë. Pra, edhe nëse dikush do të donte, nuk kishte guxim sepse ishte i zhdukur.
Si e kishte pësuar?
Një ngjarje e hershme në ’48, në Mirditë, ishte një lab që bënte çnderime pasivisht, por sapo u zbulua, u var. Për së jashtmi ose jo, puna e nderit ka qenë e rëndësishme që në kohën e partizanëve dhe kjo gjë dihej.
Megjithatë, dhuna nuk mund të mohohet…
Jo, këtë nuk e mohoj sepse së pari, e kam provuar vetë dhe e kanë dokumentuar më pas shumë të tjerë, burra e gra, por përdhunime jo, nuk ka dalë më sot asnjë rast, nuk kam dëgjuar askënd të thotë se është përdhunuar një grua, të paktën jo brenda ambienteve të hetuesisë. A, po, kjo gjë mund të ndodhte jashtë, por në shumicën e rasteve kanë qenë vetë gratë që u shkonin nga mbrapa hetuesve./Panorama/