Fluksi i refugjatëve, Ballkani “kërcënon” me mbyllje kufijsh
Vendet ballkanike në vijën e frontit të krizës së emigrantëve paralajmërojnë mbylljen e kufijve, nga frika se mund të kthehen në zona qëndrimi për të ardhurit e rinj.
Deri tani, kalimi i refugjatëve në rrugën e tyre migratore drejt veriut është lejuar nga shtetet e rajonit, për sa kohë destinacioni i tyre ishte i qartë, e dyert e vendeve ku këta duan të mbërrijnë vazhdojnë të mbeten të hapura.
Por, nëse kjo ndryshon, atëherë Serbia, Bullgaria e Rumania do t’i mbyllin pa hezitim kufijtë e tyre.
Paralajmërimi, që tingëllon më shumë si kërcënim, vjen përpara bisedimeve mes shteteve ballkanike dhe anëtarëve të Bashkimit Europian.
Presidenti slloven, Borut Pahor deklaroi gjithashtu se, po nuk u gjet një zgjidhje, vendi i tij do të hidhet vetë në veprim, para se të jetë shumë vonë.
Më herët, kryeministri Miroslav Cerar refuzoi të përjashtonte mundësinë e ngritjes së një barriere telash me gjemba përgjatë kufirit me Kroacinë.
Gjermania, deri më tani nuk ka lënë të kuptohet se nuk është e gatshme të presë emigrantë të tjerë. Megjithatë, Bullgaria po e ndjek situatën me vëmendje të madhe.
“Ne qëndrojmë në gatishmëri, që të mos i lejojmë vendet tona të kthehen në zona qëndrimi, nëse Gjermania dhe Austria mbyllin kufijtë. Në çdo moment, edhe ne do të jemi gati t’i mbyllim kufijtë tanë”,- tha Boiko Borisov, kryeministër i Bullgarisë.
Homologu i tij slloven ishte në një linjë me shqetësimet e Borisovit, në pohimet e tij se Sllovenia nuk mund të kthehet në “xhep” për refugjatët, që mbeten në mes të rrugës, në rast se Austria dhe Gjermania do të refuzojnë pranimin e refugjatëve të tjerë.
“Suksesi i samitit, – shkroi Pahor në faqen e tij në Facebook, – do të matet pjesërisht me implementimin e kontrolleve më të rrepta, për t’iu ndaluar emigrantëve rrugëtimin nga Turqia drejt Greqisë”.
Edhe për kryeministrin kroat, Zoran Milanoviç, të tilla kontrolle janë e vetmja zgjidhje e kësaj krize të ngutshme. Çdo gjë tjetër është thjesht humbje kohe, u shpreh ai.
Sipas të dhënave të organizatës ndërkombëtare të Emigracionit, mbi 9000 emigrantë kanë mbërritur çdo ditë në Greqi javën e kaluar, niveli më i lartë ky i regjistruar deri më tani përgjatë gjithë këtij viti.