Folklor diplomatik: Një ide e drejtë në kohë të gabuar

Shaban Murati

Nuk mjafton të shqiptosh një ide të drejtë, sepse nëse nuk zgjedh kohën e drejtë, ajo bëhet e gabuar. Sidomos në diplomaci, kjo është tepër e rëndësishshme. Ndaj ideja e drejtë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, e shprehur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk gjeti as kohën edhe as mënyrën e përshtatshme për të siguruar një pranim logjik në mjediset diplomatike kombëtare, rajonale dhe europiane. Në datën 27 maj radio “Europa e Lirë” njoftonte deklaratën e presidentit të Kosovës: ”Po krijohen rrethana të reja, që zgjidhja më e mirë do të ishte që dy parlamentet, ai i Kosovës dhe i Shqipërisë, të nxirrnin deklaratat e nevojshme të vullnetit të popullit të Kosovës dhe të Shqipërisë që të jetojmë në një shtet të përbashkët, pa kufij”.

Përtej konsumit të brendshëm, që ka synuar një deklaratë e tillë futuriste, ajo që provokon analizën tonë janë efektet e saj diplomatike në rrethanat konkrete aktuale, ku po zhvillohen marrëdhëniet rajonale dhe ndërkombëtare të Kosovës. Çështja e bashkimit të të dy shteteve shqiptare është një objekt i vjetër i interesimit mbarëkombëtar, siç është edhe çështja e një konfuzioni të vjetër të qëllimshëm në rajon dhe jashtë tij nga qarqe klasike antishqiptare. Ndaj dy shtetet shqiptare dhe diplomacia e tyre duhet të jenë tepër të kujdesshëm në prononcimet publike të ideve dhe propozimeve të tyre patriotike. Akoma më të përmbajtur duhet të tregohen edhe në përdorimin e çështjes së bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës si një instrument presioni diplomatik ndaj Bashkimit Europian, gjë që është një taktikë e palogjikshme shqiptare në të dy kryeqytetet tona, që një dreq e di se kush i ka këshilluar të përdorin udhëheqjet në Tiranë dhe në Prishtinë si kërcënim absurd ndaj BE-së, sikur kombi shqiptar do ta bëjë bashkimin për inat të BE dhe aq më keq ta paraqesësh bashkimin si goditje ndaj BE-së.

Bashkimi i Shqipërisë dhe Kosovës është një e drejtë historike dhe natyrale ekskluzive e popullit dhe e kombit shqiptar, që i njëson historia, gjuha, raca, gjaku, mentaliteti, origjina, traditat, etj. Por ai është një proces, që nuk ndodh në një vakum, por kërkon kushtet, rrethanat dhe faktorët e duhur, që e pranojnë dhe e jetësojnë atë. Bashkimi i Shqipërisë dhe Kosovës nuk është çështje vetëm e dëshirës së shqiptarëve, por është produkt i një kompleksi faktorësh e aktorësh, ku ndërthuren faktori euroatlantik, faktorët shqiptarë në të dy shtetet shqiptare dhe faktori rajonal. Bashkimi i Gjermanisë Perëndimore dhe Gjermanisë Lindore erdhi si bashkëveprim dhe konsensus i disa faktorëve. Por gjermanët, si popull i zgjuar dhe me përvojë historike shtetërore, nuk e komprometuan asnjëherë me zhurma dhe me folklor çështjen e bashkimit gjerman gjatë 45 viteve të ndarjes, derisa erdhi koha e duhur e realizimit të atij bashkimi.

Nëse i bën një analizë të hollësishme dinamikës së zhvillimeve në dy vitet e fundit në Kosovë dhe rreth Kosovës deri në ditët tona, këndvështrimi diplomatik i nxjerr situatën dhe rrethanat më pak të favorshme nga sa mund ta mendojë një strategji populiste me destinacion të brendshëm politik. Vështirë të pohosh nga pikëpamja diplomatike se ka rrethana të reja, që këshillojnë një hap të tillë legjislativ të të dy parlamenteve për deklarata, rezoluta apo vendime të bashkimit të dy shteteve shqiptare. Mund të thuhet se rrethanat e reja të çështjes shqiptare në vetvete dhe rreth çështjes shqiptare në Ballkan jo vetëm që nuk e këshillojnë tani një hap të tillë zyrtar, por këshillojnë një vetëpërmbajtje më të madhe në përdorimin e retorikës ultrapatriotike nga diplomacia dhe nga politika e jashtme e qeverive.

Koha e zgjedhur për të hedhur në publik propozimin apo idenë që dy parlamentet e Shqipërisë dhe të Kosovës të shpallin deklaratat e bashkimit në një shtet është më e papërshtatshmja në planin diplomatik.

Jemi në periudhën e ndërmjetme midis samitit të parë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të thirrur në 29 prill në Berlin nga kancelarja gjermane Merkel dhe presidenti francez Makron posaçërisht për çështjen e arritjes së marrëveshjes përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë, dhe samitit të dytë të të njëjtit format, të thirrur nga dyshja më e fuqishme e Europës në Paris në 1 korrik, po për të njëjtën temë. Në qendër të samitit të Berlinit ishte dhe mendohet se do të jetë edhe në qendër të samitit të Parisit, njohja e ndërsjelltë midis Serbisë dhe Kosovës me një marrëveshje të normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve midis tyre. Në kohen që Berlini dhe Parisi po ushtrojnë presion të fortë mbi Serbinë dhe mbi disa shtete të tjera europiane, që të njohin shtetin e Kosovës, nga Prishtina zyrtare del propozimi i jashtëkohshëm për të vënë në lëvizje parlamentet e dy shteteve shqiptare që të krijojnë një shtet të përbashkët. Kjo do të thotë që të dobësosh kartën e presionit gjerman dhe francez për njohjen e Kosovës, sepse lind opinioni që nuk ia vlen të njohesh një shtet, që mendon të bashkohet nesër me një shtet tjetër.

Një propozim apo ide e tillë ia lehtëson shumë punën dhe terrenin diplomacisë dhe shtetit serb, i cili siç deklaroi presidenti Vuçiç pas samitit të Berlinit e ndjeu veten të izoluar, sepse të gjithë pjesëmarrësit ishin për njohjen e Kosovës. Tani vjen nga qielli argumenti që nuk ka nevojë të njihet një shtet, që planifikon të bashkohet së shpejti me shtetin tjetër të njohur shqiptar. Kështu diplomacia serbe bëhet më e fortë që të lobojë të mos njihet Kosova. Në të njëjtën kohë Serbia, në vend që të zbutet, do të forcojë edhe më shumë intransigjencën e saj për mosnënshkrimin e një marrëveshje të njohjes së shtetit të Kosovës dhe do të këmbëngulë për të realizuar një marrëveshje, ku të marrë një pjesë të territorit të Kosovës dhe pjesën tjetër do të jetë dakord t’ia japë Shqipërisë. Mos harroni se në vitin 2011 presidenti serb Boris Tadic deklaroi tekstualisht dhe publikisht se ishte gati të pranonte “Shqipërinë e Madhe” me kushtin që Kosova të ndahej midis Shqipërisë dhe Serbisë.

Propozimi apo ideja e re e Prishtinës i jep një atu të fortë diplomacisë ruse në kundërshtimin e saj rigoroz kundër pavarësisë së Kosovës. Rusia do ta konsiderojë këtë si projekt të “Shqipërisë së Madhe” dhe si dëshmi që Kosova nuk do njohjen, por dëshiron bashkim me Shqipërinë. Rusia, anëtare e përhershme e KS të OKB me të drejtë vetoje, do të kembengulë që jo vetëm të mos njihet, por as të mos hyjë në OKB një shtet, që do të bashkohet me një shtet tjetër. Në këtë intonim të Rusisë, që e quan bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës si “Shqipëri e Madhe”, ranë këto ditë edhe disa idiotë të dobishëm të Rusisë në Tiranë, të cilët e sulmuan idenë e presidentit të Kosovës si provë e “Shqipërisë së Madhe”, gjë që në fakt nuk është e vërtetë. Idiotët e dobishëm të Rusisë dhe të Serbisë në Tiranë bëjnë sikur nuk e dinë se “Shqipëria e Madhe” është një projekt propagandistik serb, kurse bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është gjë tjetër, është një projekt i natyrshëm, i cili kur të piqen kushtet e rrethanat dhe të ketë kohën e vet, do të realizohet me vullnetin e të dy shteteve.

Propozimi i ri, që vjen nga Prishtina, nuk i ka kushtet e pjekura kombëtare as në Tirane dhe as në Prishtinë. Në Tiranë ka një parlament hermafrodit, që ka mbi krye kërcënimin e shpërndarjes dhe klimën e një krize, ku politika e ka çështjen kombëtare në fund të listës. Në Prishtine kemi një përplasje absurde publike të institucioneve më të rëndësishme të shtetit, ku krerët mendojnë më shumë për kuotat elektorale se për interesin kombëtar, qeveria e parlamenti janë nën kërcënimin e shkrirjes dhe të zgjedhjeve të reja. Edhe pa qenë analist e politikan e kupton se në ditët e sotme as në Tiranë dhe as në Prishtinë nuk e klasifikojnë si detyrë të shtruar për zgjidhje çështjen e bashkimit të Shqipërisë dhe të Kosovës në një shtet. Si shtesë, pyetja e thjeshtë, që mund të bëhet në këtë rast, është se si mund të shpallësh plan për bashkim të Shqipërisë dhe Kosovës kur ke 20 vjet që nuk ke zgjidhur dot as çështjen e Mitrovicës.

Propozimet e parakohshme apo jo në kohen e duhur, kur faktori shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë nuk ndodhet në ditët e tij më të mira, mundet të inkurajojnë shtetet e tjera ballkanike të mobilizohen edhe më fort kundër rolit dhe peshës së faktorit shqiptar në rajon. Nuk duhet harruar se fenomeni i ri i dyshimtë i krijimit të aleancave tre apo katërpalëshe në Ballkan, që nisi pas pavarësisë së Kosovës dhe ku Shqipëria ndonëse shtet i NATO-s nuk është ftuar të marrë pjesë, ka si strategji frenimin dhe neutralizimin e faktorit shqiptar në rajon.

Shihet se efektet negative të një propozimi të tillë janë të shumta në planin diplomatik. Mund ta quajmë edhe foklor diplomatik, me destinacion të brendshëm, por me dëm për diplomacinë, politikën e jashtme dhe interesat e shtetit të pavarur të Kosovës dhe të faktorit shqiptar në rajon.

 

SHKARKO APP