FOTO E DITES, Veliaj dhe Halim Kosova
Dy rivalët për kryeqytetin Erion Veliaj dhe Halim Kosova kanë shtrënguar sot për herë të parë duart me njëri-tjetrin dhe kanë lënë për një moment akuzat dhe deklaratat e fushatës. Kanë qenë disa momente përpara se Veliaj të ngjitej në skenë për të prezantuar programin e tij në konferencën “Sfidat dhe mundësitë për Tiranën”, kur kanidatët mes buzëqeshjeve shkëmbyen disa fjalë.
Tiranë- Kandidatët e partive të mëdha për Bashkinë e kryeqytetit duket se kanë vendosur të bëjnë një betejë ndryshe për Tiranën.
Në nisje të fushatës, i përcollën urime njëri-tjetrit dhe në mes të saj, ka ardhur edhe shtrëngimi i parë i duarve.
Erion Veliaj dhe Halim Kosova i kanë zgjatur dorën njëri-tjetrit, duke kanë lënë për një moment akuzat dhe deklaratat përballjes së 21 qershorit.
Kanë qenë disa çaste përpara se kandidati i majtë, për kryeqytetin, Erion Veliaj, të ngjitej në skenë për të prezantuar programin e tij në konferencën “Sfidat dhe mundësitë për Tiranën”, ku dy rivalët për kryetar Bashkie mes buzëqeshjeve shkëmbyen disa fjalë.
Veliaj iu drejtua kundërsharit Kosova, duke e thirur Doktor, ndërsa ky i fundit, sikurse kishte paralajmëruar më herët, e këshilloi rivalin politik në lidhje me mikrofonin, me të cilin në minutat e para të prezantimit të platformës së tij pati edhe disa probleme të vogla teknike.
Biseda zgjati vetëm pak minuta, por pak më vonë, Erion Veliaj, do të shprehte edhe një herë dëshirën për një debat publik me kandidatin e djathtë.
Në konferencën “Sfidat dhe mundësitë për Tiranën”, organizuar nga revista “Monitor” dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë, kandidatët shpalosën edhe një herë vizionin e tyre për qeverisjen e kryeqytetit, duke u përplasur edhe një herë tek çështja e taksave.
Kosova: “Do të uli çdo taksë lokale të biznesit të vogël dhe që ju faktikisht nuk ju prek, por janë rreth 25 471 biznese dhe një rikonceptim të taksës së pronës me vlerë dhe jo vit ndërtimi që të ketë një vlerësim të drejtë të investimit të tyre. Me të drejtë zoti. Rama kur ishte kryetar Bashkie luftoi që taksën e biznesit të vogël ta merrte si kryetar Bashkie dhe unë jam plotësisht me atë që kështu duhet të jetë, por ndodhi që zoti. Rama shkoi Kryeministër dhe mori me vete dhe këtë taksën e biznesit të vogël që kur ishte Kryetar Bashkie e kërkoi shumë, e kërkoi me shumë të drejtë”.
Veliaj: “I dëgjoj diskutimet për mendimin tim populiste, do ulim këtë, do ulim atë. Sëpari lind pyetja, ulini tani. Parafolësi dhe kryetari i Partisë Demokratike e menaxhojnë tani Bashkinë, mund ti ulin tani. Por e di pse nuk i ulin, tashmë janë shumë keq me realizimin e të ardhurave. Më rezulton se qytetarët nuk ankohen për nivel të lartë të taksës, për 450 lekëshin e pastrimit, por ankohen për padrejtësinë, që disa njerëz e paguajnë dhe disa jo. Unë jam i majtë, besoj në taksimin progresiv, unë besoj që një njeri që jeton në Shkozë apo Kombinat nuk mund të ketë siç e ka sot, të njëjtën tarifë për taksën e pronës si dikush që jeton në Bllok”.
Kjo konferencë që duhet të shënonte rastin e parë ku të 5 kandidatët për Tiranën do të ishin krah njëri-tjetrit, por mungoi kandidati i pavaruar Gjergj Bojaxhi.
Në konferencë shpehën vizionin e tyre dhe kandidatët Sazan Guri nga Aleanca Ekologjike Europiane dhe Arben Tafaj nga Lëvizja Demokratike për Vlera Mirëqënie Progres.