Fotoja që nxjerr hipokrizinë e Ramës
Nga Andi Bushati
Një foto që qarkullon prej dy ditësh, ka lënë gojëmbyllur dhe pafjalë, socialistët që nuk dinë të përgjigjen. Në këtë foto, të postuar nga vetë Rama, ky i fundit shfaqet përkrah një personi të cilin socialistët e kanë hequr nga puna, si pjestar të grupit të zjarrit në 21 janar (shiko rubrikën lajme). Por del se personi në fjalë fillimisht është bërë drejtor në KESH, pastaj kryetar rrethi i PS-së e së fundi është shfaqur edhe në fushatë përkrah kryeministrit. Megjithëse prej dy ditësh kjo foto qarkullon në shumë media, megjithëse ajo po çmend rrejtet sociale, askush në selinë rozë nuk merr guximin të japë përgjigje. Askush nuk mundet të shpjegojë se si dikush që del nga dera e zyrave të shtetit “si mbrojtës i gardhit kriminal të Berishës” gjen anën të futet nga dritarja për t’i shërbyer misionit të Rilindjes për të mos vjedhur energji.
Nëse do ta bënin, nëse do të duhej të jepnin një shpjegim, dihej se çfarë do të thoshin. Se kjo qenkësh një rastësi fatkeqe, se në fund të fundit Agron Malaj nuk qenkësh i dënuar, se përsa kohë nuk është i tillë atij nuk mund t'i hiqet e drejta për punë, etj. Pallavra.
Rasti i njeriut që shfaqet në foto me Ramën nuk është një rastësi. Ashtu sikur nuk qe rastësi lidhja në koalicion me ata që viktimat i trajtuan me përçmim si kokëpalarë. Ashtu sikurse nuk qe rastësi votimi që bënë socialistët, ende në opozitë, për avokatin e Fatmir Mediut edhe pasi ky u tha se klienti i tij ishte i pafajshëm. Ashtu sikurse nuk qe rastësi futja në kabinetin qeveritar e avokatit të tij “de facto”.
Të gjitha këto raste tregojnë se Rilindasit nuk kanë pikë sensibiliteti për kauzat madhore që kanë mbrojtur si socialistë. Dhe deri këtu nuk ka asgjë të re. Kjo tashmë dihet. Por sa herë dalin fakte të reja, si kjo foto e Ramës me një nga pjestarët e grupit të zjarrit, vetëm një gjë të shkon në mend: të paktën të shmangin hipokrizinë. Sepse sa herë kapen me presh në duar, kur lirojnë një deputet me drogë, kur harrojnë në sirtar një dokument Interpoli, kur “u shpëton” një kriminel apo fshehin gjurmët e një tjetri, gjithnjë nga selia e PS-së del dikush që i kujton prokurorisë se bllokon hetimet për kriminelët e 21 janarit.
Të paktën këtë teatër ta kursejnë. Sepse njerëzit mund t'ua tolerojnë harrimin e 21 janarit, por nuk do t'ua falin kurrë hipokrizinë dhe cinizmin me të.