Franca nis vaksinimin të dielën, kryeministri shqiptar bën propagandë

Mentor Hoxha

Nga Mentor Hoxha (Paris)

…Pas një viti të tmerrshëm me muajt të gjatë në izolim, papunësi, ankth, tmerr dhe me mbi 60 mijë të vdekur e miliona të infektuar nga Covid-19, më në fund, 67 milionë francezë marrin frymë lirisht. Të dielën me 27 dhjetor, nis në faza e parë e vaksinimit në Francë. Vaksinimi ishte planifikuar të fillonte në janarin e vitit të ardhshëm, por dhënia e dritës jeshile vaksinës Pfizer dhe BioNTech këtë javë nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe Agjencia Kombëtare e Sigurisë së Barnave (ANSM) e përafroi datën e vaksinimit në Francë duke dhënë të hënën miratimin për përdorimin e vaksinës amerikano-gjermane. Edhe autoriteti i Lartë për Shëndetin (HAS) miratoi të enjten më 24 dhjetor përdorimin e vaksinës kundër Covid-19 të zhvilluar nga Pfizer dhe BioNTech, si hapi i fundit rregullator përpara përdorimit të vaksinës në vend.

FRANCA POROSIT 200 MILION VAKSINA ANTI COVID-19

Swiss Digital Desktop Reklama

“Sapo autoritetet shëndetësore evropiane aprovuan vaksinën më shpejt sesa ishte njoftuar fillimisht, ne e vendosëm veten në një pozicion për të filluar pa vonesë vaksinimin në të njëjtën kohë me të gjithë të tjerët”, -tha Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Rajonale të Shëndetit (ARS) të Ile-de-France, Aurélien Rousseau. Në fakt, autorizimi për vaksinën Pfizer-BioNTech nga Agjencia Evropiane e Barnave u botua të hënën më 21 dhjetor, kur pritej nga ekzekutivi francez për në fund të muajit. Autoriteti Kombëtar Francez për Shëndetin (HAS), i cili pritej të lëshonte mendimin e tij në fillim të janarit, e dha dritën jeshile këtë të enjte. Pfizer thotë se është në gjendje të japë doza më shpejt pas një porosie të vetme nga 27 vendet e BE-së.
Injeksionet e para do të prekin disa dhjetëra banorë të dielën e parë. Pastaj do të shtrihet në qendrat e tjera të hënën dhe më pas të martën. Vaksinat kundër Covid -19 do të mbërrijnë të shtunën në Francë. “Për të gjithë popullsinë”, sipas strategjisë së vaksinimit nga qeveria franceze jan porositur paraprakisht nga Franca 200 milion vaksina për të vaksinuar 100 milion njerëz. “1.160 milion doza do të jenë në territor deri në fund të vitit, pastaj 677.000 doza shtesë rreth datës 5 ose 6 janar dhe 1.6 milion në muajin shkurt”, -tha Kryeministri francez, Jean Castex më 16 dhjetor në Asamblenë Kombëtare të Francës.
“Franca ka zgjedhur vaksinimin progresiv, kryesisht duke u përqëndruar në ata që janë më në rrezik dhe bazuar në pëlqimin e tyre”, -shkroi në Tëiter ministri i Shëndetësisë, Olivier Véran.

Swiss Digital Mobile Reklama

VAKSINIMI PËRFSHIN TRE FAZA, NIS NË DHJETOR, PËRFUNDON NË PRANVERË

Vaksinimi i popullsisë së Francës do të kryhet në tre faza: Faza e parë do të nis këtë të diel, më 27 dhjetor dhe do të zgjas deri në fillim të shkurtit, Faza e dytë nis midis shkurtit dhe marsit dhe faza e tretë në fund të pranverës. Në fazën e parë do të kenë prioritet në vaksinim institucionet e akomodimit për të moshuarit (Ehpad) dhe njësitë e kujdesit afatgjatë, të cilat kanë më shumë se 14.000 institucione në të gjithë vendin. Kjo valë e parë e vaksinimit do të synojë gjithashtu profesionistët që punojnë në institucione që mirëpresin të moshuarit dhe paraqesin një rrezik të lartë. Në përgjithësi, faza e parë e fushatës do të prek një milion njerëz dhe do të vazhdojë deri në janar dhe ndoshta në fillim të shkurtit për shkak të vonesës prej tre javësh midis administrimit të dy dozave të vaksinës.
Në fazën e dytë midis shkurtit dhe marsit vaksinimi do të shtrihet, “sipas normave të lindjes”, në 14 milion francezë, -deklaroi më 16 dhjetor Kryeministri francez, Jean Castex. Këta janë “njerëz me një faktor rreziku të lidhur me moshën ose patologji kronike” dhe “disa profesionistë të shëndetit”, -tha ai. Përparësi kanë personat e moshës mbi 75 vjeç, pastaj njerëzit e moshës 65 deri 74 vjeç, dhe së fundmi ata të moshës mbi 50 vjeç. Më pas vijnë profesionistë nga sektorët e shëndetësisë dhe mjeko-shoqëror të moshës 50 vjeç e lart ose me një ose më shumë sëmundje.
Në fazën e tretë në fund të pranverës, vaksinimi do të jetë i hapur, pasi të ekspozohen profesionistët (shëndetësia, siguria, arsimi, sektori i ushqimit, njerëz të prekshëm dhe të pasigurt, etj.).

KU DO TË KRYEHEN VAKSINAT E PARA KUNDËR COVID -19
Injeksionet e para të vaksinës Pfizer-BioNTech kundër Covid-19 do të kryhen në Seine-Saint-Denis, në Sevran dhe Dijon. Vendndodhja nuk u zgjodh rastësisht. Seine-Saint-Denis është një departament ku vdekshmëria nga Covid -19 është më e larta në Ile-de-France. Është rajoni që ka paguar çmimin më të rëndë për epideminë që nga marsi, ku rezultojnë shumë të vdekur dhe mijra të infektuar. Injeksionet do të kryehen të dielën më 27 dhjetor, për disa pacientë në njësinë e qëndrimit afatgjatë (USLD) në spitalin René-Muret në Sevran. Ky shërbim, i cili varet nga AP-HP, përfshin 90 pacientë shumë të vjetër që vuajnë nga disa patologji, Shumë prej tyre vuajnë nga çrregullime neurokognitive. “Zgjedhja e vaksinimit të tyre si përparësi është një vendim i drejtë”, – thotë një profesor i geriatrisë dhe ekspert i njohur për profilin e pacientëve në USLD. Të dielën do të vaksionohen “disa dhjetëra banorë të Ehpad. Siç rekomandohet nga Haute Autorité de santé (HAS), banorët e shtëpive të pleqve do të kenë përparësi. Pastaj do të shtrihet në qendrat e tjera, të hënën pastaj të martën. Sipas ministrit të Shëndetësisë, vaksinimet e para të ditës së diel do të kryehen në “dy ose tre institucione për të moshuarit. Më pas “në anën e Bourgogne-Franche-Comté”, qendra geriatrike e Spitalit Universitar Dijon. Një institucion i tretë “është në diskutim. Kjo është në total, “disa dhjetëra banorë” të vaksinuar të dielën, për të siguruar që Franca të fillojë fushatën e saj të vaksinimit “në të njëjtën ditë” si “të gjitha vendet e Bashkimit Evropian”, -deklaron ministri i Shëndetësisë, Olivier Véran.
Vaksina Pfizer-BioNTech, e cila të mbron nga format e rënda të sëmundjes “mund të përdoret te njerëzit e moshës 16 vjeç e lart “për shkak të efikasitetit të saj”, -vlerësoi HAS. “Strategjia e prioritizimit” e shpallur tashmë (duke filluar me popullatat më të rrezikuara nga forma të rënda dhe ato më të rrezikuara nga infeksioni) mbetet e vlefshme për këtë vaksinë”, -thotë Autoriteti Shëndetësor, dhe specifikon se “ky mendim do të rishikohet në përputhje me evolucionin e njohurive, veçanërisht në lidhje me rezultatet e plota të provave të fazës 3”. “Ne konfirmojmë se kjo vaksinë e parë ka një vend në strategjinë e vaksinës, si për sa i përket efikasitetit dhe profilit të saj të sigurisë, i cili është një lajm i shkëlqyeshëm”, -deklaroi presidenti i HAS, Dominique Le Guludec, në një konferencë për shtyp në internet të enjten në mesditë. “Modelet matematikore që kemi kryer konfirmojnë strategjinë tonë për të vaksinuar si përparësi” banorët e institucioneve rezidenciale për të moshuarit dhe personelin në rrezik që punojnë atje”. “Vaksimi që do të fillojë të dielën, ka qëllim kryesor “zvogëlimin e vdekshmërisë dhe formave të rënda” të sëmundjes dhe “ruajtjes së sistemit shëndetësor në Francë”, -kujtoi ajo. Lidhur me njerëzit mbi 75 vjeç, të synuar si përparësi, “të dhënat e sigurisë dhe efikasitetit” janë “ende të kufizuara në këtë fazë”, sepse pacientët në këtë grup moshe ishin të paktë në numër gjatë provave laboratorike klinike. Sidoqoftë, të dhënat e raportuara (efikasiteti 94,7% në të gjithë 65 vjet e sipër) “nuk sugjerojnë ndonjë ndryshim të dukshëm të pritur ose pa sinjale të dëmshme sigurie”, shton ajo. Vaksina është me “shumë pak efekte anësore serioze”, -shtoi Elisabeth Bouvet. Efektet anësore më të raportuara, si dhimbja në vendin e injeksionit, janë “në përputhje me atë që vërehet zakonisht kur administrohet një vaksinë”, -shtoi ajo. “Sfida kryesore është të identifikojmë efekte anësore që nuk janë vërejtur në provat klinike”, shpjegoi Céline Mounier, drejtoresha e mbikëqyrjes në ANSM. Qendrat rajonale të farmakovigjilencës do të jenë përgjegjëse për analizimin e efekteve anësore të deklaruara dhe “do të marrin parasysh, jo vetëm rastet e raportuara nga profesionistë të shëndetit dhe pacientë, por edhe raste të raportuara nga laboratorë”. Në rast se virusi pëson mutacione, Laboratori gjerman BioNTech është i aftë “teknikisht të shpërndajë një vaksinë të re në gjashtë javë” në rast të një mutacioni të virusit, siç është ai i zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar, siguroi të martën bashkë-drejtori i tij, Ugur Sahin. “Në parim, bukuria e teknologjisë së dërguesit të ARN-së është se ne menjëherë mund të fillojmë të hartojmë një vaksinë që imiton plotësisht mutacionin e ri,” -shtoi ai. Ekspertët e BE-së, nga ana e tyre, besojnë se vaksinat aktuale kundër Covid-19 mbeten efektive kundër llojit të ri të virusit. “Në këtë kohë, nuk ka asnjë provë për të sugjeruar” se vaksina Pfizer-BioNTech “nuk është efektive kundër variantit të ri,”- tha AEM

VAKSINA ËSHTË FALAS DHE JO E DETYRUESHME

Një vit pas pas fillimit të pandemisë së koronavirusit Covid -19, vaksina e parë kundër koronavirusit është autorizuar në Bashkimin Evropian. Vaksina e shpresuar prej kohësh për t’i dhënë fund krizës Covid-19 është bërë e vërtetë. Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) i dha dritën jeshile të hënën, me 21 dhjetor vaksinës së dyshes Pfizer-BioNTech, e ndjekur nga autorizimi i Komisionit Evropian. Fushatat e vaksinimit kanë filluar tashmë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.
Kryeministri francez, paraqiti strategjinë e Francës në Asamblenë Kombëtare të mërkurën, e cila bazohet në vaksinimin falas dhe jo të detyrueshëm. “Franca ka zgjedhur vaksinimin progresiv, kryesisht duke u përqëndruar në ata që janë më në rrezik dhe bazuar në pëlqimin e tyre”, -deklaroi ministri i Shëndetësisë, Olivier Véran në Tëitter, duke na kujtuar se vaksinimi nuk është i detyrueshëm.
Ndërkohë që Franca po finalizon qëllimin e saj për vaksinimin e mbarë popullsisë franceze, Kryeministri shqiptar, Edi Rama, pas një xhiroje që bëri në Amerikë në kërkim të vaksinës anti Covid-19, u kthye duarbosh, ndonëse harxhoi mijra dollarë nga taksat e shqiptarëve të varfër dhe të papunë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?