Francë/ Muslimanët “mbrojnë” kishën gjatë meshës së Krishtlindjes (VIDEO)

 

Dhjetëra muslimanë janë mbledhur në mënyrë simbolike për të mbrojtur një kishë në veri të Francës gjatë meshës së mesnatës për Krishtlindjet, një “gjest i fortë”, sipas presidentit të Federatës të shoqatave myslimane në rajon, Abdelkader Aoussedj.

“Është shumë normale që muslimanët të respektojnë besimet e tjera dhe ky gjst i fortë që nderon të gjithë myslimanët tregon se ata janë përkrah bashkëqytetarëve tanë pas atentateve në Paris”, deklaroi Aoussedj.

Kjo iniciativë e pazakontë, organizuar në kishën e Lensit dhe parashikuar që prej disa ditësh, ishte ndërmarrë nga unioni i qytetarëve muslimanë të Pas-de-Calais dhe kishte si qëllim për t’i dhënë një tjetër imazh muslimanëve.

“Dëshirojmë që kjo të bëhet kudo, kryesisht në këtë periudhë kur myslimanëve iu drejtohet gishti. Ky është islami i vërtetë, ai nuk ka të bëjë fare me këto çmendurira”, shtoi përfaqësuesi i kultit.

Ky veprim u vlerësuar në mënyrë të veçantë nga rreth 200 besimtarë të ardhur për të marrë pjesë në meshë.

Pas atentateve në Paris më 13 nëntor, atentatet më të rënda të kryera ndonjëherë në Francë me 130 të vdekur, Krishtlindjet zhvillohen këtë vit nën masa të larta sigurie dhe me frikën e një sulmi tjetër xhihadist.

SHKARKO APP