Fred Abrahams: Revoltat e 1997 nisën me poshtërimin e Tritan Shehut në Lushnje

 

 

Në librin e tij “Shqipëria e re”, publicisti amerikan Fred Abrahams, i cili ka kaluar një pjesë të jetës së tj në Tiranë si veprimtarë i të drejtave të Njeriut, përshkruan Shqipërinë e psotokomunzimit dhe dështimet e saj. Promovimi i librit do të bëhet në Tiranë më 8 Dhjetor në orën 18 në Hotel Rogner. Po shkëpusim sot kapitullin “Revolta”, që tregon si nisën trazirat e vitit 1997 në Shqipëri. 

Ministri i jashtëm i Shqipërisë,  zëvendëskryeministër dhe kryetar i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, iu përgjigj telefonit të zyrës së tij të nesërmen në mëngjes në 9.30. Në linjë ishte Agim Shehu, zëvendësministri i pushtetshëm i punëve të brendshme.

“Situata në Lushnje është e rrezikshme, kujtoi fjalët e bashkëbiseduesit Shehu. “Njerëzit janë gati të sulmojnë policinë. Policia do të hapë zjarr dhe do të shkaktojë shumë viktima”.

Agim Shehu tha se demonstruesit donin të takonin një përfaqësues të qeverisë dhe dikush duhej të shkonte atje me helikopter, me njerëzit nga Lushnja të arrestuar para pak kohe, për të qetësuar turmën. Policia do të siguronte mbrojtje ndërsa delegacioni do të ulej në stadium për të shmangur vëmendjen nga komisariati i policisë. Tritan Shehu tha se do të mendohej.

Pas pesë minutash mori në telefon Berisha. “Ti je i vetmi që ke për të shkuar”, i tha ai Shehut, duke theksuar nevojën për të shmangur dhunën. “Unë isha nervoz, por gjithashtu doja edhe të shmangia gjakderdhjen”, kujtoi Shehu. Ky ishte një vendim për të cilin ai do të pendohej hidhur.

Dy helikopterë u ngritën në fluturim, njëri me Shehun, truprojen e tij dhe ministrin e drejtësisë, tjetri me një grup të të arrestuarve nga Lushnja. Pilotët e shkarkuan ngarkesën e tyre në stadium, sipas planit, dhe u bënë gati të niseshin. Ndërsa pluhuri vërtitej me shtëllunga poshtë helikave të tyre, u mblodhën turmat e Lushnjes. Njerëzit tundnin në ajër presh – e vetmja perime nëpër dyqane gjatë viteve të fundit të komunizmit – si simbol të varfërisë së tyre. Të arrestuarit e Lushnjes ngritën këmishat e tyre për të treguar shenjat e fshikullimeve dhe vrajat që kishin marrë gjatë kohës së arrestimit. Ndërkohë që i vetmi mjet ikjeje u zhduk përmbi vendet e spektatorëve në stadium, turma u grumbullua mizëri rreth Shehut, si peshkaqenët në mish të gjallë.

Shehu u mundua të qetësonte turmën, por një levë hekuri e goditi në kokë. Burra të zemëruar e rrahën atë me grushta dhe bimë preshi. Atë natë, fjala mori dhenë nga Lushnja në Tiranë se demonstruesit i kishin rrasur Shehut presh në gojë. Duke fluturuar si era nga kafeneja në kafene, historia u shndërrua në presh të futur nga prapa. Meqenëse mitet shqiptare janë më të forta se faktet, Shehu jeton ende sot e kësaj dite me këtë turp.

Oficerë të SHIK-ut në turmë dhe përkrahës të PD-së nga një fshat aty pranë e tërhoqën Shehun brenda stadiumit në një dhomë zhveshjeje. Nja tridhjetë a dyzet veta u dyndën brenda, prapa një dere të mbyllur me çelës, ndërsa turma tërbohej përjashta.

“Nëqoftëse nuk vjen Xhaferri këtu, Shehu është i vdekur”, ulërinin njerëzit. Burrat që mbronin Shehun kishin armë, por askush nuk po gjente ndonjë mënyrë për t’u larguar. Shehut i rridhte gjak nga koka duke i njollosur shpinën e këmishës.

Pas dy orësh, nga Tirana u dërgua një helikopter tjetër me dymbëdhjetë policë. Ndërkohë që ata po uleshin në stadium, turma u rrëmbeu armët dhe i rrahu, thanë dëshmitarët. Tre nga policët u futën në dhomën e zhveshjes. Të tjerët u lutën për mëshirë. Ata thanë se i kishte dërguar me zor komandanti i tyre.

Me rënien e errësirës turma u shpërnda. Një doktor erdhi në dhomën e zhveshjes dhe i qepi plagën Shehut. Atëhere, në stadium ikën dritat. Ato ose i fiku policia për të mbuluar arratisjen, ose ikën nga ndërprerja e energjisë, siç ndodhte pothuajse çdo natë.

Një grup burrash në formacion të ngjeshur e çuan me ngut Shehun e larë në gjak drejt fushës e më tej në pjesën e prapme të stadiumit.

Pasi u kthye në Tiranë, Shehu e minimizoi ngjarjen. “Unë ndesha në zemërimin e një pjese të popullsisë, gjë që u zgjidh në mënyrë paqësore midis nesh”, tha Shehu në lajmet televizive në darkë[i]. Por pavarësisht se sa u mundua ta minimizonte ai ose qeveria, rrahja me presh u bë një moment vendimtar në reagimin e qeverisë. Ajo tregoi se shteti ishte i paaftë të përballohej me turmat.

“Mospërdorimi i policisë që nga fillimi krijoi idenë tek rebelët se shteti ishte i dobët dhe mund të pëmbysej”, më tha vite më vonë Bujar Rama, zëvendëskryetar i SHIK-ut në atë kohë. “Zëvendëskryeministri u zu në kurth dhe përgjigja e policisë nuk ishte të reagonte, por të tërhiqej”.

Në atë kohë, Mero Baze, ishte dakord me këtë. “Shteti nuk i kuptoi përmasat e zemërimit”, më tha ai. “Kur Shehun e rrëmbyen, ata duhej ta kishin shpëtuar, për të treguar fuqi”.

Pavarësisht se e rrahën dhe e bllokuan brenda një stadiumi, as Shehu nuk arriti ta kuptonte plotësisht thellësinë e zemërimit të njerëzve. “Ne nuk e kuptonim realitetin”, më tha ai në 2002. “Më e mira do të kishte qenë të deklaronim zgjedhje të reja në janar, por askush nuk na e rekomandoi këtë”.

Njëlloj siç nuk kishin qenë të aftë Ramiz Alia dhe Partia e Punës të kuptonin thellësinë e zemërimit në 1991, edhe Berisha dhe Partia Demokratike ishin të verbër para tërbimit të 1997-s. Arroganca e pushtetit i kishte shkëputur ata nga realiteti.

Dhuna u përhap me shpejtësi në pjesë të tjera të jugut. Turmat në Berat dhe në Fier sulmuan ndërtesat qeveritare, duke djegur bashkitë dhe zyrat e Partisë Demokratike. Më 26 janar, demonstruesit në Vlorë u ngjitën lart në ndërtesën e bashkisë dhe shkulën flamurin nga ballkoni. Vlora – qytet me karakter të pavarur – qendër e grupeve kontrabandiste të Shqipërisë, u shndërrua shpejt në zemrën fizike dhe shpirtërore të revoltës.

Socialistët u distancuan nga dhuna, duke e quajtur atë një shpërthim spontan kundër qeverisë. Në të njëjtën kohë, ata bënë një miting në Tiranë duke ia hedhur fajin qeverisë për humbjet financiare të njerëzve. Mijëra përkrahës të opozitës dhe investues të mashtruar marshuan drejt Sheshit Skënderbej, ku topat me ujë shpërndanë turmën. Parlamenti e autorizoi Berishën të dislokonte ushtrinë për mbrojtjen e ndërtesave qeveritare dhe spastrimin e rrugëve. Kjo nuk ishte gjendje e jashtëzakonshme, theksoi qeveria, por një hap i nevojshëm për të ruajtur rendin. Kryeministri Meksi lajmëroi se qeveria do të fillonte të paguante më 5 shkurt paratë që kishte konfiskuar.

 

Investuesit e piramidave e pritën me padurim datën 5 shkurt, kur qeveria tha se do t’u kthente fondet. Për zhgënjimin e tyre, ndodhi e kundërta. Në vend të kthimit të parave, një nga firmat më të mëdha, “Gjallica”, deklaroi falimentimin. Qeveria mund të kishte qenë në gjendje t’i kufizonte problemet me “Xhaferrin” dhe “Popullin” në qytetet e vogla ku ishin të bazuara këto skema, por “Gjallica” kishte sipërmarrje dhe prona në të gjithë Shqipërinë.

Në Vlorë, njëmijë veta marshuan nga Sheshi i Flamurit në qendër të qytetit drejt portit me politikanët e Tiranës Skënder Gjinushi, nga Partia Socialdemokrate, ministri i fundit i arsimit i periudhës së komunizmit, dhe Neritan Ceka nga Aleanca Demokratike. Më 7 shkurt demonstruesit u përleshën me policinë. Tri ditë më vonë, në Vlorë u planifikua një demonstratë për në orën 10.00, por policia bllokoi sheshin kryesor. Përgjatë bulevardit kishte një kanal të hapur, ku bashkia po shtronte kabëll telefonik, i cili u dha protestuesve municion. “Drejt Tiranës”, thirrën ata, duke gjuajtur me gurë dhe duke mposhtur policinë.

Gjatë përleshjes, policia hapi zjarr dhe vrau një djalë të ri me emrin Artur Rustemi, që kishte humbur më shumë se 5.000 dollarë në skema. Ditën tjetër, tridhjetëmijë veta e shoqëruan arkivolin përgjatë bulevardit dhe dikush i vuri zjarrin zyrës së Partisë Demokratike në qytet. Vlora ka një mendësi kokëfortë dhe krenare, dhe qeveria ia kishte dalë mbanë me sukses të zgjonte tërbimin e saj.

Në Tiranë, socialistët dhe partitë e tjera të opozitës formuan një aleancë anti-Berishë të quajtur “Forumi për Demokraci”. Qeveria ia mohoi grupit lejen për të protestuar në Sheshin Skënderbej më 12 shkurt, por udhëheqësit prapëseprapë dolën në marshim. Forcat speciale bllokuan rrugët dhe u ndërprenë kalimin drejtuesve ndërsa ecnin drejt sheshit. Policia i futi ata në një furgon dhe i rrahu me grushtore bronzi dhe shkopinj gome. Kryeministri Meksi kërcënoi për më shumë forcë. “Partia Demokratike ka organizuar përgjigje me forcat tona, jo vetëm me policinë”, u raportua se kishte paralajmëruar ai[iii].

Pas dy ditësh, në shtypin britanik doli një artikull që tronditi Tiranën. Nën titullin “Regjimi gangster që financojmë ne”, gazeta “The Independent” pretendoi se kishte parë prova nga burime të zbulimit për bashkëpunim të ministrave të PD-së me krimin e organizuar. Qeveria e Berishës kishte “bërë kontrabandë droge, kishte trafikuar armë, kishte shkelur sanksione dhe kishte pastruar para”, thoshte artikulli. “Megjithatë, ajo gëzon mbështetjen e demokracive perëndimore, duke përfshirë Britaninë”[iv].

* * *

20 shkurti është një datë e rëndësishme në historinë e Shqipërisë, dhe qytetarët e Vlorës ishin fort të vetëdijshëm për këtë. Shtatë vjet më parë, në Tiranë, turmat kishin rrëzuar monumentin e Enver Hoxhës në Sheshin Skënderbej, duke shënuar fundin simbolik të diktaturës. Për të përkujtuar ngjarjen në 1997, demonstruesit e Vlorës ngritën më 17 shkurt tre gishta në ajër – gishtin pëlqyer dhe dy të mëdhenjtë pas tij – si shenjë që Berishës i kishin mbetur tre ditë. Përshëndetja me tre gishta, evolucion i shenjës me dy gishta të fitores për liri dhe demokraci të Partisë Demokratike, u përhap me shpejtësi në Shqipëri si simbol i zemërimit antiqeveritar.

Për shqiptarët etnikë në Kosovë që shikonin revoltën në televizion, tre gishtat ishin një shok trullosës dhe ofendues. Kosovarët e njihnin atë shenjë si përshëndetjen nacionaliste serbe që ua bënte me policia me agresivitet mu në fytyrë ditë për ditë. “Kjo është Shqipëria apo Angola?”, pyeti një mik në Kosovë, i shtangur teksa ne shihnim protestuesit e Vlorës në televizion. “Nuk e dinë ata ç’do të thotë kjo?”.

Kur kaluan tre ditët, pesëdhjeteshtatë studentë të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë hynë në një auditor në shkollë dhe shpallën grevë urie, njëlloj siç kishin bërë studentët e Tiranës para shtatë vjetësh. Kërkesa e kryesore ishte më pak idealiste se e parardhësve të tyre, por pasqyronte qëllimin kryesor të protestës: na ktheni paratë tona! Zyrtarët e qeverisë e deklaruan grevën të paligjshme dhe studentët morën një qëndrim më politik: qeveria duhet të japë dorëheqjen! Duke qenë e shkëputur nga realiteti në Tiranë, Partia Demokratike mbajti një miting në Qytetin Studenti po atë ditë, për të përkujtuar rënien e Enver Hoxhës.

Solidariteti me studentët u përhap në Vlorë dhe në jug. Më 22 shkurt rreth dyzet studentë të Universitetit të Gjirokastrës mbushën një klasë të katit të dytë me dysheqe dhe nisën grevën e tyre të urisë. Pas katër ditësh, katër autobusa nga Shkodra mbërritën në Vlorë për të mbështetur grevën. Megjithëse bastioni i Berishës ishte veriu, njerëzit kishin humbur para edhe atje.

Me SHIK-un e Vlorës nën kontrollin e protestuesve, garnizonet ushtarake të zonës vazhduan të binin. Rekrutët shqiptarë ishin të paguar keq, të pamotivuar dhe simpatitë i kishin kryesisht për turmat e tërbuara që sulmuan me furi portat e reparteve të tyre. Banorët e Vlorës plaçkitën me lehtësi mitralozë, municione, granata, granatëhedhësa dhe raketa antitank. Që nga ajo ditë, mbi Vlorën me diell ra errësira. Burra të armatosur ngritën postblloqe për të mbajtur larg “çeçenët” e Berishës. Askush nuk e dinte se cilët ishin këta njerëz – rrugaçë të rëndomtë apo anëtarë të ndonjë grupi politik.

Duke parashikuar më të keqen, ish-ylli argjentinas i futbollit, Mario Kempes, që punonte në Lushnje si trajner, u largua nga Shqipëria së bashku me dy prej lojtarëve të tij brazilianë. “Ishte e vështirë”, i tha Kempesi një gazetari. “Ne ishim në formë të mirë dhe në gjysmëfinalet e kupës së Shqipërisë”

[i] “Albanian Foreign Minister Holds Intervieë ëith TV,” Agjencia Telegrafike Shqiptare, 25 janar 1997.

[ii] Komunikatë për shtyp e Misionit të Përhershëm të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, 30 jana 1997.

[iii] “Albanian Police Block Protests, Surround Opposition Leaders”, CNN, 12 shkurt 1997.

[iv] “The Gangster Regime Ëe Fund”, nga Andreë Gumbel, Independent, 14 shkurt 1997.

[v] Shih “Dëshmia ime për vrasjet e SHIK­ut”, Albania, 2 mars 2004, dhe “Më 28 shkurt 1997, SHIK­u i Berishës vrau Fatmir Tozajn, Shkëlqim Bogdanin, Artur Zoton dhe plagosi rëndë Agim Hazizin”, Zëri i Popullit, 29 shkurt 2004.

[vi] “Ish­shikasi: Ju tregoj për tmerrin e 28 shkurtit”, Shekulli, 29 shkurt 2004.

[vii] Zilja, Gëzim, 1997: Vrasës dhe Shpëtimtarë (Tiranë: Pelioni, 2001), f. 112–16.

[viii] “Those Ëorld Cup Heroes”, nga Mattheë O’Donnell, Observer, 3 shkurt 2002.

SHKARKO APP