Friend request
Nga Edison Ypi
Të lutem më bëj mik.
Po s’më bëre mik; uji nuk më pihet, buka nuk më hahat, gjumi nuk më flihet, ëndrra nuk më çfaqet, djersët nuk më dalin, kolla s’më ngacmon, teshtima nuk më vjen, piruni nuk më ngulet, qumështi nuk më derdhet, jeta nuk më duhet.
Po s’më bëre mik;
Braktismë në një pyll ku të humbas.
Flakmë në një pus ku ngadalë të mbytem.
Ndiz një zjarr dhe më digj.
Më gjej një shpellë ku të vdes në errësirë.
Më hidh në një humnerë ku të gremisem.
Më sill një ambulancë që të më çojë në një spital ku të më kurojnë me ilaçe të gabuara nga një sëmundje inekzistente.
Vendosmë para një televizori ku po çfaqet një soc-film, që do më kalli datën, ose më detyro të dëgjoj një bisedë televizive ku një idiot thotë “jam artist”.
Thuam se Roma është më e bukur se Tirana, të vij të ta ngul një sqepar në kurriz dhe të përfundoj në burg.
Thuam se bota ka gjëra më magjepsëse se muzgu në Kepin e Rodonit, të vi të ta çaj gurrmazin me një hekur të ndryshkur.
Thuam se Kalifornia është më e bukur se Myzeqeja, të t’i nxjerr sytë me pirua.
Flakmë në një furrë ku të shkrihem, a një gropë gëlqereje ku të tretem.
Hidhmë pa mëshirë në një mulli ku të coptohem.
Nuk do ta refuzoj një mur ku të ma përplasësh kokën.
Një semafor ku të hyj me të kuqe dhe një kamion përballë të më bëjë copa, do ta di për nder.
Me kënaqësi do pranoj të më hedhësh nga një grataçiel dhe do të falenderoj me gjith shpirt.
Një kazan me ujë të valuar ku të zjehem me gjith lecka do ishte po aq mrekulli.
Një grirëse ku të coptohem do ta paguaj me ar.
Dy shina treni ku të ndahem më tresh si Anna Karenina do ishte ndihmë që s’llogaritet.
Ndonjë qiell që t’ja numuroj yjet do më lumturonte sa do më çmendëte.
Ah sikur të më degdisësh në një hënë që të më trishtojë, apo të paktën një liqer të tharë që ta mbush me lot.
Nuk do më bësh mik ?!
Më gjej aher’ një xhami pa hoxhë dhe pa minare ku të falem s’di se pse, a një kishë pa prift dhe pa Altar ku të rrëfehem për mëkate që s’i kam bërë, vetëm më bëj mik