Fushata paralele e Berishës

 

Nga Mero Baze

Ka një kujdes të shtuar nga Berisha në daljet e tij publike, të theksojë se nuk po merrë pjesë në këtë fushatë elektorale. E thotë këtë në studio, në rrjetet sociale, dhe kudo ku pyetet për fushatën. Në pamje të parë duket një nga broçkullat e radhës së tij, pasi ai është prezent përditë në betejën politike. Biles nëse përdorim fjalorin e ish-ambasadorit Withers, ai është kthyer në një zagar gjahu kundër çdo kandidati të shumicës që rrezikon njerëzit e tij në fushatë.

Po cili është në të vërtetë roli i Berishës në këtë fushatë?

Berisha është duke udhëhequr një fushatë paralele me PD-në.

Për të kuptuar sesi po funksionon ai, mjafton tu hedhësh një sy postimeve të tij dhe djalit të tij që drejtojnë fushatën preferenciale për disa kandidatë të tyre.

Për shembull babë e bir janë shumë të angazhuar të mbështesin fushatën e kandiatit të PD-së në Vlorë, Deromema. Nuk është se Deromema ka ndonjë shans për të fituar, por Familja ka borxhe të vjetra ndaj tij. Për të gjithë ata që nuk e dinë kush është, Deromema është ndërtuesi i pallatit të vjehrrit të Lulzim Bashës në Vlorë, apo siç ka qejf të thotë Basha, të Sarajeve të Zenit dhe Kunatit të tij. Pallati, i cili u ndërtua në tokë të zaptuar në det dhe me falsifikime që po u kushtojnë vite burg punonjësve të hipotekës, u ndërtua nga viktima në fjalë Genc Deromema. E vërteta që provohet dhe nga akte noteriale, është se Basha dhe Berisha si aksionerët real të këtyre sarajeve, nuk e paguan Deromemën por ia dhanë pjesën në klering dhe tani që pallati u shemb, ndërtuesi shpreson të marrë lekët e dëmshpërblimit nga qeveria. Edhe pse Vlora kishte plot kandidat dinjitozë nga PD-ja, që mund të rrezikonin ose së paku të bënin një garë dinjitoze, Familja përzgjodhi Deromemën, për t’ia quajtur si nder, meqë shpenzoi lekët e veta për Sarajet e Bashës dhe Berishës në Vlorë. Tani nëse vëreni Shkëlzenin dhe Berishën, i keni gjithë ditën në mbështetje të tij.

E njëjta gjë ndodhi dhe për Durrësin. Berisha e turpëroi publikisht Lulzim Bashën tre herë, kur e vendoste Dukën kandidat në darkë dhe Berisha ia rrëzonte në mëngjes. Në fund u tha se do të bëhej sondazh mes Dukës, Carës dhe Mukës. Sondazhi u bë, por candidate u vendos dikush që nuk ishte pjesë e sondazhit dhe ajo ishte Grida Duma.

E vërteta është se Familja ka shumë investime në ndërtime në Durrës dhe sidomos në zonën e re që i shtohet Bashkisë së Durrësit. E bija e Berishës bleu në vitin 2005 dhjetra hektarë tokë në Porto Romano dhe u përfshi në trasaksione për t’ua shitur ato bashkë me projekte biznesmenëve që u kërkonte tre përqind për firmën e babait. Në zona të tjera bregdetare që i shtohen Durrësit deri në Katund të ri, po ashtu kanë hedhur kthetrat e tyre në bregdet. Është kjo arsyeja, që atyre u duhet doemos kryetari i ri i Bashkisë së Durrësit. Nuk i duhet Bashës, pasi ai me qejf e kishte heq ndërkohë Gridën dhe nga partia, por i duhet Familjes. Dhe kanë gjetur kandidaten tipike të përshtatshme për të qenë e kapur qysh në start. Duma ka një histori të pistë të  përfshirjes në biznes me një ortak në moshën 25 vjeçare, duke i marrë përqindje nga kompania, duke mashtruar qytetarë dhe duke shkuar adminsitratori i kompanisë në burg. Më pas ajo ka një histori të errët, së cilës i ka dal zot Sali Berisha dhe që lidhet me vrasjen e Artan Santos. Edhe pse ky i fundit ka qenë duke folur me të për 12 minutat e fundit të jetës së tij dhe kjo ia ka rrëfyer këtë menjëherë Berishës, por dhe “organeve kompetente” që e thirrën, Berisha doli menjëherë publikisht dhe tha se Saimir Tahiri nuk i ka hapur telefonin Santos që kërkoi ndihmë. Pse e bëri Berisha këtë, kur e dinte fare mirë të vërtetën? Pas kësaj pyetje fshihet dhe përgjigjia pse Berishës i duhet pikërisht Grida në Durrës, për të mbrojtur hipotekat e familjes së tij. Është njeriu që i ka në dorë sekretin e rëndë.

E njëjta situatë është dhe në Shkodër. Edhe  pse brenda PD-së kishte kandidatura serioze si Sokol Ramadani apo vet kryetari i PD-së në Shkodër, në fund vendosi Berisha dhe vendosi Voltanën. Përveçse kandidatja është njeri problematik dhe josociale në raportet me njerëzit, Berisha e ka përdorur atë për një histori po ashtu të pistë. Të gjithë mund të kujtojmë historinë sesi dikush që u tha se ishte Shullazi, i çoi mesazh kërcënues Lulzim Bashës përmes Voltanës në një klub në periferi të Tiranës….Ngjarja u bë publike me shumë vonesë, pasi para se të bëhej publike shqetësimi për “fatin e Lulzim Bashës”, kandidates iu desh të sqaronte së paku tek Berisha se kish pas një incident në një klub periferik të Tiranës që nuk shkohet kurrë për qejf, me dikë që i ishte paraqitur si i fortë. Dhe Berisha e gjeti zgjidhjen, duke e kthyer problemin në heroizëm dhe duke paraqitur problemin pse kandidatja gjendej në atë klub me persona që njihnin Shullazin, në një debat politik, pse dikush që kish fol në emër të Shullazit i kish çu fjalë Lulzim Bashës përmes Voltanës se do ta vriste….

Duke mbajtur pengje njerëz me histori personale ose biznese personale, Berisha është duke bërë një fushatë të pistë për ta, duke sulmuar kundërshtarët dhe duke bërë palaçon e fushatës. Ai deklaron vazhdimisht se nuk bën pjesë në këtë fushatë, pikë së pari, pasi kërkon të shkëpusë pjesën e baltës që ai bën në fushatë, duke përdor disa portale anonimë onlinë kundër rivalëve të njerëzve që ai ka diktuar në disa bashki.

Nga ana tjetër, i qartë për rezultatin e keq, ai kërkon të mos marrë asnjë përgjegjësi për të. Ai do që vetëm atyre që u ka borxhe ose që i duhen për nesër nëse ka shanse të fitojnë, tu tregojë se janë nën kontrollin e tij. Për të tjerat natyrisht fajin do ta ketë Basha. Dhe duhet ta shlyejë fajin duke ndenjur “si qen i rrahur” në parti.

"Tema"

SHKARKO APP