Fytyra e Ramës në pasqyrën e Brukselit

Placeholder Image

Nga Andi Bushati

Edi Rama ka treguar edhe njëherë në Bruksel se ai di të jetë një manipulator i talentuar. Në qëndrimet që ka mbajtur dhe në intervistat që ka dhënë, gjatë një turi të kësaj fillim jave, për t’i mbushur mendjen autoriteteve të BE që t’i hapin dritën jeshile Shqipërisë, ai ka thënë një numwr të vërtetatsh që të gjitha sëbashku krijojnë një imazh të gënjeshtërt.

Le t’i marrim me radhë…

Ai ka përsëritur tezën e vjetër se është në interesin e BE që Ballkani perëndimor të jetë “këndi i lojrave të ndonjë fuqie tjetër.

Ai ka bërë apel që politikanët e kontinentit plak nuk duhet të bihen pre e ideologjisë të forcave nacionaliste që luajnë me frikën e zgjerimit.

Ai ka ridikulizuar shqetësimin për lidhjet e politikës me krimin e organizuar duke lënë përshtypjen se steriotipi i një vendi që e ka në ADN-në e vet të keqen, duhet përbuzur.

Ai madje ka shkuar edhe më tej duke nënvizuar politikën e dy standarteve, që dikur pranoi bullgarët (populli që plagosi papa Vojtilën) dhe rumunët (që i mbushën bulevardet e Europës me prostituta) , ndërsa sot përdor të tjera kritere për gjashtçen që mëton të antarësohet.

Ai nuk ka pranuar faktin se ka vende që janë përpara Shqipërisë në garën e antarësimit duke hedhur dorashkën e sfidës se me problemet që ka me Kosovën, Serbia nuk do të mbërijë kurrë në Bruksel, përpara nesh.

Ai e ka quajtur tashmë një dëshirë që ne i’a përmbushëm Europës, e cila e kërkoi me ngulm reformën në drejtësi dhe se ata nuk kanë më arsye tjetër për të na mbajtur peng.

Po t’i shohësh një e nga një të gjitha argumentat që kryeministri shqiptar ka renditur në intervistën për Politico.eu janë të vërteta.

Në Europë fryma kesonofobe si rrezultat i suksesit të partive populiste po rritet, rreziku që kjo pjesë e Ballkanit të bëhet pre e forcave aniti-perendimore po shtohet, frika nga zgjerimi është po aq e fortë sa dhe stereotipet që gëlojnë për popullsitë tona.

Të gjithë këto faktorë, që nuk varen nga ajo, janë pengesë reale për përparimin normal të Shqipërisë drejt Brukselit.

Por, pranuar këtë, duhet thënë gjithashtu se kjo është vetëm njëra anë e medaljes.

Fakti se në Europë na paragjykojnë, nuk e fsheh dot realitetin e lidhjes së politikës me krimin dhe mbushjes së parlamentit me banditë.

Fakti se “nuk e kemi krimin në ADN”, nuk e mohon dot se gjatë qeverisjes së rilindjes tonelatat e narkotikëve që i çojmë Europës janë shtuar.

Fakti se kemi votuar Reformën në Drejtësi nuk e mbulon dot “largimin në drejtim të paditur” të gjitha kokave të policisë që drejtonin skemën kriminale të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.

Fakti që Serbia ka probleme të rënda me Kosovën nuk e zhbën dot prapambetejen tonë në përmbushjen e detyrimeve.

Fakti e dikur BE ka pranuar Rumunët dhe Bullgarët, nuk na jep ne të drejtën të kërkojmë të bëjë të njëjtat lëshime.

Në këtë kuptim, duke thënë të vërteta të thjeshta dhe të ditura për atë që çalon në kontinentin e vjetër, Rama mëton të fshehë përgjegjësitë e tij si kryeministër i një vendi që kërkon të bëhet anëtari më i ri. Ai nuk është në rolin e një mendimtari të lire, apo të një intelektuali vizionar që ka për qëllim të tregojë se si bëhet më e mirë BE. Fatkeqësisht për të, ai është në petkun e përfaqësuesit të një vendi të vogël dhe me probleme që duhet të jetë i pranueshëm për të trokitur aty.

Duke veshur rrobat plot lara dhe ngjyra të të parit, ai rrfuzon të mbajë kostumit e ngushtë të atij që më shumë se me të drejtën për të imagjinuar, shkon në Bruksel me detyrimin për të raportuar.

Dhe duke përmbysur këtë ekuacion ai e dëmton vendin e tij. Sepse ai nxjerr përpara Europës një fytyrë që shtrembron realitetin, për të cilën ajo nuk ka shumë nevojë./lapsi.al/

SHKARKO APP