Gazeta e Kokëdhimës analizë fenomenit Rama
Në një analizë të botuar tek e përditshmja “Shekulli”, pronë e Koço Kokëdhimës zbulohet se ndarja mes tij dhe Edi Ramës, ka kaluar tashmë në një demonstrim force mes të dyve. Analisti i Shekullit, Genc Burimi, duke folur për shkaqet që çuan në këtë ndarje, lë të kuptohet se “hatërmbetja” për mandatin e Kokëdhimës është vetëm një nga arsyet e ndarjes. Në fakt, sapo Rama është zgjedhur kryeministër, pranohet se Kokëdhima ka nisur nga kërkesat dhe pretendimet e tij për qeverisjen. Nga kërkesat që ka bërë Kokëdhima për Ramën përmenden vetëm refuzimet e njëpasnjëshme të kryeministrit, që çuan në përplasjen mes të dyve.
Kokëdhima nuk e ka harruar shpërflljen që iu bë propozimit për legalizimin e kanabisit farmaceutik. “Nga legalizimi do të goditej mafia e kanabisit dhe do të shpëtonin nga përndjekjet penale mijëra të rinj përdorues dhe mijëra prindër të shqetësuar e të tronditur për fëmijët e tyre. Për më tepër, sipas Kokëdhimës, legalizimi i kanabisit është në të gjithë botën një përpjekje e së majtës. Ndryshe nga e djathta fanatike dhe konservatore të majtat në demokracitë perëndimore shquhen si progresiste dhe liberale. Janë të majtat që kanë udhëhequr betejat për heqjen e dënimit me vdekje, për legalizimin e abortit apo për legalizimin e kanabisit” shkruan Burimi.
Njeriu që e mbështeti Edi Ramën në çdo hap drejt kryeministrisë, i ka pasur idetë e qarta edhe për organizimin e Partisë Socialiste në jug të vendit. Nga ky organizim i ri, i dirigjuar nga Kokëdhima do të dilnin kandidatët e rinj për këshilltarë bashkiakë, kryetarë të bashkive dhe më pas deputetët. Idetë e Kokëdhimës për organizimin e ri në Partinë Socialiste argumentohen me rezultatet positive në zgjedhje:
“Pyetje me logjikë e Kokëdhimës: Po sikur emrat e kandidatëve të PS-së në të njëjtën listë t’i kishim vënë midis tyre e me të tjerë në garë te militantët para zgjedhjeve? Mbase nuk do të kishte rezultuar e njëjta përbërje dhe renditje liste si ajo e fiksuar nga kryesia e Partisë. Kryesia e partisë në Tiranë s’mund ta dijë më mirë se cilin kandidat preferojnë qytetarët në bazë”
Pas organizimit të Partisë, Kokëdhima kërkoi të diktonte reformën në drejtësi. Me fuqinë e superdeputetit, ai nuk ia pranoi Edi Ramës Operacionin e Monitorimit Ndërkombëtar në Kushtetutë. “Interesat e SHBA-ve nuk do përkojnë ose mund të jenë të kundërta me interesat tona. Ashtu si Komisioni Europian nga ana e tij mund të vdesë me shpërbërjen e BE-së” ishte thelbi i kundërshtimit të Kokëdhimës, që duket se ka qenë në të njëjtin mendim me Berishën, kur vjen puna tek sovraniteti. Madje analiza përmend edhe një debat mes tij dhe Ramës, që duket se ishte një moment kyç në marrëdhënien mes të dyve.
“Kokëdhima apostrofoi ashpër kryeministrin në një mbledhje të sekretariatit të PS-së. Kokëdhima foli pikërisht aty për neglizhim të pafalshëm sipas tij të interesave të Shqipërisë, por dhe të PS-së. Drafti i reformës në drejtësi bën, sipas tij, viktimë Kushtetutën që “kapet” nga një prani e huaj! Kushtetuta është e përjetshme, por të huajt miq sot, ndodh që s’mund të jenë të tillë nesër. Miqësia e ShBA-ve për Shqipërinë është me rëndësi strategjike për ne, por mund të mos jetë e tillë nëse në një moment a për një çështje të caktuar, interesat e SHBA-ve nuk do përkojnë ose mund të jenë të kundërta me interesat tona. Ashtu si Komisioni Europian nga ana e tij mund të vdesë me shpërbërjen e BE-së. Kokëdhima, dhe jo vetëm ai, beson se këta skenarë nuk janë aspak teorikë dhe për këtë u kërkoi me forcë kolegëve në parti të lihej e paprekur Kushtetuta nga të huajt. Mbaj mend se pas asaj mbledhjeje të sekretariatit të PS-së, më kontaktoi Rama, që e njoh prej shumë vitesh dhe që ia vlerësoj diapazonin e kapaciteteve që shpalos si sportist, artist, shkrimtar, poliglot, politikan, teknokrat etj. Është Edi që më apostrofon se si unë, i mbrujtur me formim perëndimor, nuk shokohem nga kursi anti të huaj që po merr Koço, sipas tij.
E dëgjova me miqësi dhe respekt dhe i dhashë një shembull që nganjëherë të huajt vetë mund të gabohen; të manipulohen apo të manipulojnë. Të kujtohet, – i thashë, – ai raporti “konfindencial” i ambasadorit të OSBE-së? Ty të nxirrte me qindra milionë dollarë të fshehur në Amerikë, Koçon e nxirrnin agjent të huaj, të tjerët i nxirrte kështu e ashtu. Ç’të të them, – i thashë. -Perëndimorët i kemi vërtet miq, me ta jemi në raport e bashkëpunimit të vazhdueshëm e për gjithçka; sekrete s’kemi. Por t’i fusim deri në Kushtetutë, domethënë që mos të arrijmë dot t’i kontrollojmë më edhe kur ia këpusin me budallallëqe, këtu nuk i vë faj Koços që thotë jo. E kuptoja Ramën dhe situatën e ndërlikuar në të cilën ishte me Kokëdhimën. Kishin hyrë në divergjenca thelbësore, ato që kanë të bëjnë me vijën politike aty ku miqësia nuk shton as nuk ndreq gjë” shkruan Genc Burimi.
Ishte pikërisht ky debat për reformën në drejtësi, që u pasua me heshtjen e socialistëve për vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Më pas përplasja u përcoll në bazë. 24 orë pas heqjes së mandatit të Kokëdhimës, Edi Rama nis Mimi Kodhelin në Vlorë për ta zëvëndësuar në strukturat e Partisë. Opinionisti i Shekullit lë të kuptohet se Kokëdhima nuk e lejoi këtë gjë. Mimi Kodheli u rikthye në Tiranë katër javë më pas, e detyruar.
“Kjo divergjencë lidhur me reformimin e Partisë Socialiste mund të jetë arsyeja më e rëndësishme e largimit të Ramës nga Kokëdhima. E them këtë bazuar te fakti pse Rama de facto zëvendësoi Kokëdhimën si drejtues në qarkun e Vlorës me Mimi Kodhelin vetëm 24 orë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Zëvendësim që përballë peshës reale të Kokëdhimës në qark u anulua, megjithëse me vonesë, gati katër javë më vonë”
Një vendim i Edi Ramës i anuluar në Jug të vendit përballë “peshës reale të Kokëdhimës”. Fjalët e zgjedhura me kujdes duket se e zhveshin Edi Ramën nga fuqia reale që ka në jug të vendit dhe ngjajnë me një sfidë rebelizmi nga një territor që ai nuk e kontrollon dot më. Kokëdhima ndjehet i plotfuqishëm në jug. Sfida bëhet akoma më e fortë kur opinionisti i Shekullit shkruan se nuk ka bashkërendim mes Kokëdhimës, Metës dhe Berishës kundër Ramës, por vazhdon më tej se: “Kur Kokëdhima, Berisha (që gjithmonë ka kërkuar skalpin e Kokëdhimës) dhe Meta, u gjendën në të njëjtën llogore në dosjen e armëve kimike, pse askush nuk pa aty asnjë komplot? Në të njëjtën mënyrë, tre politikanë që s’janë të së njëjtës parti mund të ndajnë fare mirë të njëjtin opinion mbi disa aspekte themelore të reformës në drejtësi”