Gazeta gjermane: Ja si Edi Rama po ndihmon Vuçiçin për ndarjen e Kosovës
Planet e Serbisë për ndarjen e Kosovës kanë tërhequr edhe vëmendjen e gazetës gjermane, Frankfurter Rundschau. E përditshmja nga Frankfurti ka shkruar se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po ndihmon presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, rreth kësaj ideje.
Disa forca në Serbi, nën ndikimin e fortë të Rusisë – sikurse ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç-duan ndarjen e Kosovës në dy pjesë – atë “serbe” dhe atë “shqiptare”, ka shkruar FR.
Daçiç, ka theksuar e përditshmja nga Frankfurti, madje e ka quajtur këtë “zgjidhjen e vetme realiste afatgjate”.
Gazeta gjermane ka shkruar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, nuk është kundër kësaj ideje.
“Një ndarje e shtetit të Kosovës, i cili ka shpallur pavarësinë më 2008, jo vetëm që do të binte ndesh me kushtetutën kosovare, por edhe me të gjitha përpjekjet politike të Perëndimit të 25 vjetëve të fundit, që shtetet e Ballkanit të mos organizohen në vija etnike”, thuhet në shkrimin e FR.
Florian Bieber, shef i Qendrës për Studime Evropianojuglindore, në Universitetin e Gracit, ka thënë për të përditshmen nga Frankfurti se “vënia e kufijve në bazë të etnisë do të rrezikonte të krijonte një efekt dominoje, ku grupet nacionaliste do të inkurajoheshin për krijimin e kufijve të rinj”.
Sipas Bieber, “kjo nuk do të ishte vetëm triumf i etnonacionalizmit dhe palëve ndërluftuese të viteve 90, por edhe do të destabilizonte Ballkanin, e mbase edhe Evropën”.
Deri më tani, Bashkimi Evropian, ndërmjetës në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, nuk ka dhënë indikacione se ku duhet të jenë vijat e kuqe të një marrëveshjeje, dhe nëse mundësia e ndarjes do të përjashtohet, shkruan FR.
E përditshmja nga Franfurti ka kujtuar sugjerimin e Ramës, në Prishtinë, për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, që Shqipëria dhe Kosova ta kenë në të ardhmen një president të përbashkët, “si shenjë të unitetit kombëtar dhe të politikës së përbashkët të sigurisë kombëtare”.
Deklaratat, si kjo e Ramës, nxisin frikën në rajon se mund të krijohet një “Shqipëri e Madhe”, shkruan FR.