Gazetari malazez dënohet për racizëm ndaj shqiptarëve
Kryeredaktori i versionit malazez të gazetës Serbe Informer, Novak Uskokoviç, u shpall fajtor për botim të komenteve raciste ndaj shqiptarëve në raportimin e ndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri.
Nga Dusica Tomovic, BIRN
Një gjykatë në Malin e Zi të mërkurën shpalli Novak Uskokoviç, kryeredaktorin e gazetësInformer, fajtor për ‘lejimin e publikimeve të artikujve ofendues rreth shqiptarëve’.
Uskokoviç, që drejton botimin e versioneve malazeze të së përditshmes me bazë në Beograd, u gjobit me 3,000 euro – dënimi minimal për të tilla shkelje. Maksimali parashikonte gjobën 10,000 euro.
Gjykatësja Jelena Peroviç tha se ishte e qartë që synimi i artikujve ofendues nuk ishte raportimi objektiv i ngjarjeve por fyerja e shqiptarëve etnikë të Malit të Zi.
Zyra e prokurorit e akuzoi Uskokoviçin për veprën penale të dhunimit të reputacionit të pakicave në dhjetorin e shkuar.
Artikujt bënin fjalë për ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri të mbajtur në Beograd më 15 tetor 2014, që përfundoi në dhunë pasi një dron që mbante një hartë të “Shqipërisë së Madhe” fluturoi mbi fushë.
Në raportimin e saj, faqja e parë e versionit malazez të Informer i quajti lojtarët shqiptarë ‘shiptari’ – një term fyes.
I njëjti botim përdori gjuhë të ngjashme në raportimet e veta mbi zënkën që ndodhi midis nxënësve në një gjimnaz shqiptaro-malazez në kryeqytetin, Podgoricë, mbi ndeshjen e futbollit.
“I pandehuri… i talli publikisht pakicat që jetojnë në Malin e Zi, kur, në tetor 2014, miratoi titujt kryesorë diskreditues në dy botimet e gazetës,” tha prokurori.
Liderët shqiptarë në Malin e Zi gjithashtu ngritën padi kundër gazetës për gjuhë urrejtje nëntorin e shkuar.
Pas kritikimit për stilin e raportimit, Informer lëshoi një ndjesë, duke pretenduar se ‘nuk kishte pasur kurrë si qëllim të ofendojë qytetarët me origjinë shqiptare që kanë jetuar për shekuj në Malin e Zi’.
Pasi u lajmërua vendimi, Uskokoviç tha se ai do ta apelonte atë dhe ishte gati të shkonte përpara Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Ai ka pretenduar më parë se një fushatë politike po kryhej kundër Informer dhe se ‘dikush dukej që donte të nxirrte nga botimi gazetën’.
Vitin e shkuar, Gjykata e Shkallës së Parë të Malit të Zi ndaloi dy herë shpërndarjen e disa botimeve të Informer për përmbajtje provokuese.
Gazeta pretendoi se kishte provë se aktivistja e të drejtave të njeriut Vanja Valoviç, drejtore e OJQ-së së mirënjohur MANS, kishte pasur lidhje seksuale me dy qentë e saj.
Shqiptarët përbëjnë rreth 5 për qind të popullatës së Malit të Zi.