“Gazetaria investigative mund të ndryshojë jetët e njerëzve në vendet në tranzicion”

Gazetari amerikan Marty Kaiser, gazetarët e të cilit janë vlerësuar tre herë me çmimin prestigjioz Pulitzer ndërsa ai ishte redaktor në Milwaukee Journal Sentinel, tha se e filloi profesionin me shpresën për të bërë ndryshime pozitive dhe beson se gazetaria investigative ende mundet ta arrijë atë synim. “Kam punuar me një grup historish që kanë shpëtuar jetët e foshnjave. Ne pamë ekzaminimet që ndodhnin në spitale’ pamë se si bëheshin testet e gjakut dhe kur shpëton jetët e foshnjave kupton vlerën,” tha Kaiser për BIRN.
“Ne gjithashtu analizuam ligjet për ngjarjen e makinës në gjendje të dehur në Uiskonsin, prej nga ku unë vij, që ishin aq tolerante, saqë zbuluam se më shumë se 200 njerëz vdisnin nga efekti i alkoolit ndërsa drejtonin makinat dhe i thamë njerëzve diçka që nuk e dinin, ndaj ata vepruam dhe i bënë komunitetet tona një vend më të mirë,” shtoi ai.
Kaiser po fliste në qytetin Konjic të Bosnje-Hercegovinës, ku ishte një nga mentorët e Shkollës Verore për Gazetarinë Investigative të BIRN që mbahet çdo vit dhe zgjat një javë. Blake Morrison ishte gjithashtu pjesë e mentorëve, me një eksperiencë si redaktor i projekteve investigative të agjencisë së lajmeve Reuters në Nju Jork.
Morrison citoi një artikull rreth birësimit me të cilin ai punoi me Reuters si një tjetër shembull se si gazetaria investigative mund të ndryshojë dhe madje shpëtojë jetë. “Punova mbi një histori që bëri vërtet një diferencë, rreth fëmijëve të birësuar nga vende të huaja dhe të sjellë në SHBA dhe më pas prindërit vendosnin se nuk mund të kujdeseshin më për ata fëmijë dhe në vend që të siguroheshin që fëmijët të merrnin kujdes të veçantë, ata fëmijë reklamoheshin online dhe jepeshin te të tjerët,” tha ai.
“Kisha një gazetare të talentuar që ndoqi historinë dhe ishte e jashtëzakonshme të shihje ndryshimet që historia solli, ajo shpëtoi jetët e fëmijëve që po abuzoheshin dhe personat abuzues janë tani në burg,” shtoi ai.
Morrison i tha BIRN se ai ishte i lidhur me gazetarinë nga dëshira për t’i bërë pyetje të vështira njerëzve në pushtet. “Kam zbuluar se është shumë e rëndësishme që një gazetar të përfaqësojë njerëzit. Ne përfaqësojmë lexuesit. Ne përfaqësojmë njerëzit që varen nga ne për t’i kërkuar llogari njerëzve që mbajnë detyra zyrtare, që shpenzojnë dollarët e taksave apo njerëzve që drejtojnë vendet tona,” shpjegoi ai. “Ndaj pjesë e përgjegjësisë sonë është t’i bëjmë atyre pyetje të vështira, të cilat njerëzit nuk mund t’i pyesin, ndoshta sepse nuk kanë akses te ata persona,” shtoi ai. Kërkimi investigativ është shpesh i kushtueshëm, por çmimi ia vlen të paguhet sepse shoqëria përfiton nga e vërteta që thuhet, argumentoi Kaiser.
“Kjo gazetari është gjithnjë e shtrenjtë – kërkimi, koha dhe përpjekja që nevojitet. Është problem në Shtetet e Bashkuara dhe ne po humbasim një betejë teksa kompanitë mediatike pakësojnë numrat e gazetarëve, por kjo e bën edhe më të rëndësishme që redaktorët dhe liderët të marrin vendime të vështira dhe të themi që duhet të bëjmë histori që kanë ndikim,” tha ai.
Morrison tha se edhe më e rëndësishme se paraja, është ruajtja e një mentaliteti investigativ. “Çdo ditë kur shkoja në punë, pavarësisht nëse titulli im ishte gazetar investigativ, gazetar apo çfarëdo që të ishte, unë isha një gazetar investigativ. Synimi im ishte të gjeja diçka që njerëzit nuk donin që unë ta dija apo që ata nuk e dinin,” tha ai. “Nuk kishte nevojë për një buxhet të madh, nevojitej këmbëngulje dhe vendosmëri,” shtoi ai. Pasi kaloi një javë në Konjic, Morrison argumentoi se gazetaria investigative është jetësore për çdo vend që kalon në periudha tranzicioni. “Ndonjëherë ndryshimet vijnë ngadalë për një shoqëri, por një nga ndryshimet e para që duhet të ndodhin është që shoqëria të jetë transparente dhe e drejtë. Edhe nëse ndryshimi nuk ndodhi, ndryshimi që ndodh është ekspozimi i të vërtetës dhe kjo nuk mund të kalojë pa rëndësi,” tha ai. Kaiser shtoi se ai ishte frymëzuar nga gazetarët e rinj që takoi të cilët punojnë në kushte të vështira në shoqëri të tilla. “Kur shoh këtë situatë, kuptoj se sa të llastuar janë gazetarët amerikanë ndonjëherë. Gazetarët këtu bëjnë shumë punë për të raportuar në mënyrë të pavarur, të ndarë nga partitë politike dhe interesat e veçanta, për t’i dhënë njerëzve informacionin e nevojshëm për të qenë të lirë dhe për të qeverisur vetë,” tha ai. “Gazetarët e mirë ofrojnë informacion që ndihmon në përmirësimin e jetës së të tjerëve”.
Erna Mackic/BIRN

SHKARKO APP