Genc Pollo: Një leksion nga Tbilisi, por edhe nga Brukseli
Nga Genc Pollo:
1-Ngjarja domethënëse në rrëzë të Kaukazit
Javën e shkuar lajm kryesor në mediat europiane e botërore ishin protestat popullore përreth parlamentit në Tbilisi, Gjeorgji. Mijëra qytetarë protestuan mbi 48 orë pa ndërprerje duke duruar gazin lotsjellës e hidrantët e policisë! Deri sa ja arritën qëllimit: projekt/ligji censurues dhe antidemokratik i mbështetur nga qeveria e mazhoranca u tërhoq. Një video ikonike nga protesta u bë virale në internet: aty një studente me flamurin europian në dorë goditej nga shkulma e ujit, rrëzohej e përsëri ngrihej dhe i afrohej skuadroneve të policisë anti-trazirë që e ndanin nga godina e parlamentit.
Tërheqja e ligjit problematik u përshëdet në të gjitha kryeqytetet perëndimore. Josep Borrell, Përfaqësues i Lartë për Politikën e Jashtme i BE, deklaroi se “Gjeorgjianët dolën në rrugë për të shprehur aspiratën e tyre për demokraci dhe vlera europiane. Këto protesta paqësore ishin të forta dhe prekëse. Njoftimi për tërheqjen e projektligjit është një shenjë e mirë, tani duhet të ndiqen hapa konkretë ligjorë”.
Drejtuesit e protestës njoftuan se tubimet do të vazhdonin deri sa të liroheshin të arrestuarit dhe derisa qeveria të jepte garanci me shkrim se p/ligji nuk do të shfaqej më në të ardhmen.
2-Pak kontekst për gjeorgjianët, europianët, amerikanët
Gjeorgjia nën sundimin 11 vjeçar të partisë së majtë “Ëndrra gjeorgjiane” është në fakt nën sundimin e superoligarkut Bidzina Ivanishvili. Ai, mbasi bëri pará në Rusi, themeloi këtë parti dhe faktikisht e kontrollon ende atë. Shteti e drejtësia janë të kapura dhe opozita politike e persekutuar me gjyqe farsë. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë qeveria gjeorgjiane mori një kurs të hapur pro Moskës megjithëse për fasadë vazhdonte retorikën pro BE. Projekt/ligji në fjalë synonte të mbyllte hapësirën e lirë ende të mbetur për shoqërinë civile, mediat dhe opozitën duke ndërprerë sponsorizimet perëndimore. Ky projekti/ligj ishte edhe pika e ujit që pëmbysi kupën, që elektrizoi shoqërinë, që mobilizoi aktorët publikë dhe që prodhoi protesta të paepura. Një motiv i kundërshtimit ishte se p/ligji do të pengonte udhën europiane të Gjeorgjisë. Por motivi më thelbësor ishte se qeveria po kalonte çdo cak dhe shoqëria po humbiste çdo liri e të drejtë.
Euro-amerikanët kanë qenë të superkujdeshëm që kritikën për çmontimin e demokracisë dhe orientimin drejt Rusisë t’a mbajnë në një minimum të pranueshëm për partinë në pushtet. Ata druajnë se po të dalin hapur e fort i presin urat me pushtetin dhe e shtyjnë edhe më shumë drejt autoritarizmit e Putinit. Kështu praktikisht ata injoruan vullnetin e njerëzve për liri dhe shpesh evituan aktorët opozitarë dhe jo-qeveritarë. Pra duke bërë të njëjtin gabim si në Serbi dhe në Shqipëri.
Kur qeveria në Tbilisi publikoi p/ligjin problematik, reagimi i BE ishte i tipit “ngre shqetësime” apo “nuk përputhet me vlerat e BE” dhe kaq. Formulime që publikut vendas nuk i flasin qartë e për më keq relativizohen e shtrembërohen nga mediat dominante të pushtetit. Por protesta e fuqishme e gjeorgjianëve jo vetem zmbrapsi pushtetin abuziv por u hoqi inercinë e përgjumjen edhe kancelarive europiane. Po të mos shihnin mijëra vetë të patrembur nga policia, gazi e uji zor se dikush në Perëndim, përfshirë edhe Borrellin, do të shfaqej në publik me një deklaratë të qartë si ajo më lart.
3-Projeksioni i trekëndëshit Borrell-Rama-AlAbaar në sheshet e Tiranës
Sipas mediave, në 1 mars 2021 gjatë mbledhjes së radhës të Këshillit Shqipëri-BE në Bruksel, zz. Josep Borrel dhe Oliver Varhelyi (Komisioneri i Zgjerimit) i thanë me ngulm KM Edi Rama se traktati me Emiratet dhe kontrata me AlAbaarin për portin e Durrësit shkelnin Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit që mbetet baza e marrëdhenive dypalëshe. Edhe njoftimi për shtyp i tyre mbas mbledhjes aludonte dukshëm për këtë problem. Shqetësimi për kontratën e Portit Durrës u shpreh periodikisht edhe nga Delegacioni i BE në Tiranë deri vonë. Parlamenti Europian ishte edhe më eksplicit: në 19 maj 2022 rezoluta për Shqipërinë shënonte se “projektet e infrastrukturës, përfshirë portin e Durrësit, duhet të jenë në përputhje me standardet e BE-së për prokurimin publik të përfshira në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit”.
Megjithatë qeveria Rama vuri në kandar “përfitimet” nga kontrata AlAbaar dhe ato të Shqipërisë nga BE e pastaj vendosi për të parën. Mbase më thjesht: nuk u lodh fare me kandarin se e kishte ndarë mendjen që në fillim për “përfitimet”. Në fund të nëntorit të shkuar mazhoranca parlamentare soc-rilindiste e miratoi kontratën mbasi Rama mbajti një fjalim të gjatë plot me ofendime për opozitën. Kjo e fundit kundërshtoi sa mundi në sallën plenare mbas dy vjetësh denoncimi të parreshtur. Por jashtë sallës në rrugë mungonin mijëra protestues si dhe studentja me flamur europian në dorë që përballeshin me policinë. Që të jemi të drejtë kontrata e portit të Durrësit për ne është i fundit nga shumë raste të grabitjes së pasurisë publike; kurse për BE është një mohim i mundësisë për biznes i kompanive europiane. Pra është e dëmshme por jo aq fatale sa ligji gjeorgjian. Një ligj i ngjashëm me gjeorgjianin do të kishte qenë ligji antifjalë për median online. Por në këtë rast Rama u zbyth nga presioni i Brukselit e i Strasburgut. P/ligji antifjalë nuk arriti në plenare dhe qytetarët shqiptarë nuk patën mundësi të provohen me “testin Tbilisi”. Por të tillë test mund t’a kenë në të ardhmen p.sh. me amnisitinë fiskalo-kriminale e me pasaportat e arta.
Sepse Tbilisi na e kujtoi se vetëm i zoti e nxjerr gomarin nga balta ndërsa Borrellët miqësore edhe mund të ndihmojnë disi. Dhe siç na mëson Shkrimi i Shenjtë shpëtimi vjen nga sakrifica.