Gënjeshtrat e “luftës” PD-PS

Sot këshilltari mediatik i Ramës, pi pareshtur kafe me këshilltarin mediatik të Lulit dhe ka dritë lumturie në sytë e tyre. Sot vetë Rama qëndis mesazhe ntel për Bashën dhe Basha ja kthen në çdo kohë. Dhe radikali Braçe e grupi i të tjerëve, kanë heshtur mençurisht, se s’dinë më ç’të thonë, “trimat sypatrembur” anti-Berisha. Sepse edhe Braçe nuk thërret më: “O LYl!” se mërzitet Rama. Çfarë spektakli!…

Nga Artur Zheji

Jemi krijesa kalimtare. Sot jemi, nesër s’jemi. Jetojmë brenda flluckës së diçkaje që më së shumti nuk e kuptojmë dhe më të shumtët nuk e kuptojnë.  Shpesh mëngjeseve na ngre në këmbë, një shtysë, që herë ka dhe herë nuk ka emër, por gjithmonë priremi nga një shpresë, se nesër do të na ndodhë një gjë më e mirë, se sa ato që ndodhën dhe nuk ndodhën dje.

Mirëpo si një popull kafenesh që jemi, kur ngec arësyeja, rrëshqet rakia dhe ja marrim vënçe me thashetheme politike. Mirëpo edhe politika, duket se i ka braktisur shqiptarët, i ka lënë pa tema sherri, se “djalli dhe engjëlli”, demokratja dhe socialistja, janë puthur këto ditë në buzë. Kur them djalli apo engjëlli, të kuptohemi, nuk është ky këndvështrimi i im, por i tifozave dhe i besimtarëve të partive, që po të kishin marrë urdhër politik, do të përlesheshin për të mbrojtur Çadrën, nëse qeveria do të dërgonte të vetët, për të liruar Bulevardin.

Mrekulli që ky urdhër nuk erdhi, si përshembull ndodhi më 21 Janar 2011, ku ata që u vranë në mënyrën më të pabesueshme, janë shndërruar në një siklet të madh, për atë dhe për ata, që i dërguan në luftë kundër Doktorit. Në të vërtetë nga 21 Janari dhe nga pabesia e turpshme e grykave të kallashëve, kanë kaluar 6 vjet.

Ish lideri i Opozitës, kryeministri i sotëm, kërcënoi me zjarr dhe hekur, se do të bënte revolucion, nëse nuk e bënin kryeministër. Dhe kishte atëherë Ngjelën dhe Zogajn, që mbështesnin vendimin për Betejën Totale, për Ramën kryeministër!

Mbas 6 vjetësh, kaq i hidhur ish kujtimi i 21 Janarit, sa kryeministri ynë, edhe trimosh edhe liridashës, shënonte në bllok kërcënimet e koduara të Berishës, që dërgonte rregullisht ndaj Ramës, nga Çadra dhe ndryshe nga sa gënjentë në publik, dërgonte mesazhe pajtimi në drejtim të malësorit. Sepse dihet që Doktori e mban fjalën, kur të kërcënon vlla!

Dhe kryeministri ynë është për rrugë të gjatë… Pse po i shkruaj këto? Ah, po, për ata që më lexojnë! Për popullin me një fjalë, që ta marrë sa më lehtë këtë punën e zgjedhjeve dhe do të ishte një kryevepër nëse talleshin herë pas here nga pak, me këta ish armiqtë e tmerrshëm deri dje dhe që sot, janë vëllazëruar për shtatë palë qejfe.

Në 21 Janar isha te studio Blendit dhe u përleshëm edhe ne, “analistët e poshtër” në një betejë televizive. Pro ose kundër argumentave se lufta civile që po zinte fill, ishte e shëndetshme dhe se ishte zgjidhja e duhur. Më sulmuan e më batërdisën atëherë, si njeri i lidhur me pushtetin dhe që mbroja “vrasësin” Berisha…

Sot, ata që më sulmonin me moral të lartë atëherë, ose kandidojnë vetë, në të njëjtën listë politike me “vrasësin”, ose janë partizanë të puthjeve politike Basha-Rama, ose janë me vetë Ramën që akuzonin atëherë.

 Dhe nuk jam penduar aspak që shkrova asokohe “Ndihmona Arvizu!” dhe ish ambasadori amerikan, sigurisht më i miri i ambasadorëve amerikanë që ka parë Shqipëria në këto 26 vjet, reagoi si duhej, duke “kërcënuar” Ramën që të tërhiqej asaj rruge dhe duke kthjelluar Doktorin, që Garda, të fuste armët në këllëf. Por sot kemi një pamje tjetër, sot kemi: “Puç puç!… story!”

Sot këshilltari mediatik i Ramës, pi pareshtur kafe me këshilltarin mediatik të Lulit dhe ka dritë lumturie në sytë e tyre. Sot vetë Rama qëndis mesazhe ntel për Bashën dhe Basha ja kthen në çdo kohë. Dhe radikali Braçe e grupi i të tjerëve, kanë heshtur mençurisht, se s’dinë më ç’të thonë, “trimat sypatrembur” anti-Berisha. Sepse edhe Braçe nuk thërret më: “O LYl!” se mërzitet Rama. Çfarë spektakli!

Është fushatë dhe palët, vetëm sa belbëzojnë kundër njeri tjetrit, thjesht si dy vëllezër të inatosur për plaçkën e shtëpisë që u ka lënë nëna dhe babai, në këtë rast ish Partia e Punës.

Superlojë! Mrekullisht e luajtur për 27 vjet dhe me disa mijëra mjeranë shqiptarë, rënë dëshmorë të vërtetë, në farsën e reme të demokracisë shqiptare.

E pra, duajeni jetën vëllezër, shikoni xhepin, përkushtojuni fëmijëve dhe talluni sa më shumë, kur shikoni ciklat e pështymës të liderëve që ju ftojnë për një sulm apo një yxhym, për triumfin e të lartrave ideale… /360grade.al/

SHKARKO APP