Gështenjat e qytetit tim

 

"Ju që dashuroni sot, që prisni aty një vajzë. Që bëni një shëtitje. Që keni një foto. Ta dini, do ngordhni si qeni nga malli. Kur të shikoni palmat në vend të gështenjave. Dashuritë e juaja nuk do të jenë memoria e vjeshtës me gjethe që bien”…

Nga Ilir Levonja

1) Ne asnjëherë nuk pyetëm se përse po e bëjmë një rrugë: Përse na duhet…, dhe si duhet bërë ajo.? E ngrita këtë shqetësim në një shkrim të para pak javëve me titullin, “Pak pudër mbi rrudhat e mia”. Këtë në kontekstin e pranverës së fushatës. Ku veç furishëm, hedhim atë ziftin e zakonshëm. Rrugëve, apo bulevardeve. Dhe pas gjashtë muajsh, nuk e kemi për gjë ta çajmë në mes e të ndreqim tubat e kalbur nën dhe'.

Por le të futemi drejt e në temë.  Ka ditë që në internet, në webe të qytetit të Lushnjes. Madje edhe në youtube qarkullon një video, se si do të jetë pedonalja, apo shëtitorja kryesore në të ardhmen e afërt. E parë me planet kompjuterike, apo atë që aq për zemër e kemi ta themi, me high definitione. Duket një mrekulli. E zeza, vijat e bardha, kumbullat e çelura, palmat etj. Mirëpo realiteti natyror është krejt tjetër nga ai kompjuterik. Kjo edhe përballë atij realiteti me faunën apo atë pak histori të atij qyteti. Që ne vdesim t'i ngjisim edhe titujt e Turqisë otomane, si bej apo pasha. U vozita edhe unë disa herë. Si qytetar i atij vendi. Si një nga ata që ka orë të jetës nën ato gështenja, në ato qoshe, ku herë i dëshpëruar herë i gëzuar, ndërtova personin tim. Ndofta është kjo arsyeja që mbajmë edhe frymën aty. Mbajmë vetveten. Dhe vetiu më ngelën sytë tek ato palma. Që do zëvendësojnë gështenjat kaba. Po çfarë është për tu shqetësuar? Përse duhet të na dhëmbi për disa pemë. Për disa qoshe. Apo për një kryqëzim rrugësh etj.?

2)Kur punoja në Lushnje, në ato aktivitet e mia artistike. E kisha për zakon që të rrija pas kuintave të skenës. Në një nga këto pasdreke shfaqesh, u gjenda ballë për ballë me një burrë të moshuar, flokë thinjur, dhe vështrim artë. Ishim vetëm ne të dy. Tek shkallët mbrapa. Përjashta. Në atë ballkonin e vogël të teatrit. Ai shikonte mëhallën në të mugtë dhe nuk fliste. Por nuk qe vështirë të kuptoje se sa shumë trishtim mbante brenda vetes ai njeri. Unë i thashë se çfarë shikon nuk është më Lushnja jote. Dhe ai veçse psherëtiu, Më rrahu supet dhe iku i vetëm nëpër mbrëmje. Ky ishte i madhi i skenës shqiptare, Ilia Shyti.

Dhe ata që kanë memorien e freskët, duhet ta kujtojnë më mire se unë, se rruga e kalldrëmtë, shitoret, ndërtimet karakteristike, qofshin edhe prej Turqie, apo selvitë e larta etj…, janë një humbje e pariparueshme. Është njësoj sikur t'i heqësh sot Shkodrës rrugën e kafes së madhe. Akoma e kam të gjallë një pijeshitës, kur i vogël shkoja mbushja me raki një faqore qelqi për tim atë. Më vonë ajo botë e kalldrëmtë u përmbys e tëra. Modernia ndrinte, por historia u varros.

3)Si një botë virtuale, me komunikim edhe ndër këto webe ka plot zëra pro dhe plot kundër. Mirëpo vërej se tërësia e debateve qëndron nga kahjet politike. Dhe ne fakt jemi duke rritur breza me theks të dukshëm prirjesh politike. Nuk ka asgjë të keqe. E keqja fillon kur prirja bëhet luftë e ashpër. Deri me sharje e fyerje të rënda. Ndërkohë kur është më e domosdoshme, nga të rinjtë, që të shikojnë njëri-tjetrin si pjesë po e njëri-tjetrit. Jo si demokratë palaço dhe socialistë të kulluar. Apo edhe anasjelltas. Lërjani liderëve aktualë këtë metodologji politikëbërje. Këtë frymë agresive. Dhe kthejuni botës reale të komunikimit njerëzor. Aq më tepër kur mundësitë janë më të mëdha. Aq më tepër që jemi në kohën e argumenteve, jo të çjerrjeve dhe poshtërimit të shoqi-shoqit.

4)Nuk e di se sa do realizohet, se sa i vërtetë është si plan projekt etj. Pasi u mësuam tashmë më këto histori investimesh në kohë fushatash. Por thellë vetes time thashë, ju lutem mos na i hiqni ato gështenja. Janë stinët aty. Janë hapat tona. Shëtitjet. Pritje-përcjelljet. Çdo arkitekti, çdo projektuesi i duhet thënë se, pedonalet, bulevardet, ato qoshe etj. Ndërsa i projekton mendo edhe korifejt. Mendo Ilia Shytin kur ecte në ato rrugë. Mendo Vaçen kur këndonte. Mendo Margaritën, Pavlinën kur recitonin. Mendo poetin. E dini sa poezi ka shkruar Faslliu tek bredhi i Buçit. Vura re se aty ju do ndërtoni një shatërvan. Pemët e Lushnjes janë hinxat katana, koliptet, selvitë, gëhtenjat, blirët. Nuk janë palmat. Nuk ka ecur Ilia nën palma. Dhe nuk e di nga keni rënë në dashuri me këtë pemë tropikale. Që këtu e quajnë pema e dembelëve. Pasi nuk ka nevojë për ujë, nuk ka nevojë për krasitje. I thanë vetë degët, që nuk i duhen më dhe i rrëzon përtokë. Nuk e ndërton dot folenë guguftuja në degët e palmës. Do hinxat, do selvitë, kolipset etj. Kjo është Lushnja. Jo ajo me palmat e reja të Arabisë.

5) Ju që dashuroni sot, që prisni aty një vajzë. Që bëni një shëtitje. Që keni një foto. Ta dini, do ngordhni si qeni nga malli. Kur të shikoni palmat në vend të gështenjave. Dashuritë e juaja nuk do të jenë memoria e vjeshtës me gjethe që bien. Me shira të vonuar. Me gështenja të zhveshura në dimër. Me gjethe të reja në pranverë. Jo, nuk do të jetë. Kësisoj, as qyteti i juaj.

SHKARKO APP