Gjekmarkaj: “Kuturu” është sharje për rilindjen apo sabotim? Si u arrestua Aleksandër Gjoka, ky “rrezik” i madh publik
Nga Agron Gjekmarkaj
Kur të gjithë e kanë mend jen te “Mini-Shengeni” i Ramës e Vuçiçit, që, pasi humbëm Brukselin, na bën si ofertë Beogradin, kryesisht te debati i madh që ka shkaktuar gjuha fyese e Kryeministrit tonë kundër udhëheqësve të Kosovës, sidomos kundërshtia e tyre unifikue-se ndaj Ramës, Policia shqiptare të befason, të lë pa mend, të thyen monotoninë.
Madje, ajo shfaqet më surprizuese sesa Gent Cakaj, gjeniu i lodhur nga leximet, kur ditën e Krishtlindjeve uron besimtarët e “krishterë dhe ortodoksë”, a thua se ortodoksët nuk janë të krishterë, por soj tjetër. Shumëkush pat filluar të humbasë besimin ndaj saj gjatë këtyre viteve nallane. Gabim e kanë pasur gjithë ditën e lume të uruarit. Argumentimet e tyre shpesh dukeshin pasiononte, të tipit: Policia ruante të mbjellat, i ujiste ato, i mbarështonte, i korrte, i thante, i stivonte, madje i mbante në shpinë fidanët e hashashit, pa dallim, në hierarki krejt vllaznisht.
Të tjerë e gjykojnë atë në disa raste të lidhur me krimin, në të tjera të paaftë ndaj tij. Ti tenton t’i kundërshtosh. U thua: “Jooo more, ç’thoni kështu? Kjo është Policia që duam, e Shqipërisë që duam!”. Ata gojëtharbësirë e turimurrëtyer të kthehen, këtu jeta e njeriut vlen me pak se ajo e një gjeli deti, i cili thërret gjithë respekt për festa. Ti bën hëm, ata vazhdojnë. Vrasësit shkojnë në drejtim të paditur dhe Policia vetëm gjen çarçafin për të mbuluar viktimat.
Po ja, për shembull, meqenëse jemi në fundvit, njeriu bën një bilanc e thotë se gazin lotsjellës e përdorën me shpejtësi e bollëk. Edhe në këtë pikë gjen heretikë, që janë gati të të përdredhin zverkun si të pulës. Fjalët të bien mbi timpan si gurët që u zhgalitën nga mali pas këtij shiu, që lagu të marrë e të mençur. More, firaun të kthehen, s’e mban mend se helmonin si Millosheviçi shqiptarët e Kosovës që Rama i tall tani, tym helmues në sheshe, lagje, pallate, kudo ishin njerëzit e opozitës, të cilët pushteti i sheh si armiq? Ti ngre supet! Po ja, u thua, në tërmet bënë sa mundën. Vetë ministri mbajti një fjalim plot yndyrë solemniteti dhe urtie e duke filluar nga Ard Veliu, shumë drejtorë morën nishane e dekorata. U gëzuan evlatërit.
Del ndonjë gojëkeq e të hakërrehet, duke të kujtuar ndihmat që vidheshin nga ndonjë shef Policie, duke u bërë lajm në televizionet e Europës. Por, këto opinione të ndryshme zvogëlohen, shuhen si flokë dëbore përballë lajmit të madh që ia behu në pikun e stinës dhe datave. Thuhet se vetëm pak minuta pas ngjarjes së madhe, doli lajmi kudo në media, me titra. Nuk është çudi që nga terreni, i pari është lajmëruar Ardi Veliu e, sa hap e mbyll sytë, ai ia ka çuar myzhdenë ministrit, i cili, për nurin e Kryeministrit, është hazër të kryqëzohet si Krishti.
S’e mbajti asnjë minutë për vete se duart i digjeshin, por vrap e në pëqi ia hodhi shefit. Më në fund, Policia ia doli. Diku në ujdhesat e Malit të Dajtit i kishin zënë pritë. Kur e panë me makinë nga larg, e kuptuan që u erdhi ora, vetë dekiku i fatit. U këqyrën në sy. Dolën nga pozicionet dhe fap, tabelën e kuqe! Ai u ndal, fliste përçart.
“Hape gojën e fute pipin”, i bërtisnin policët! I shikonte ai me habi e nëpër dhëmbë mërmëriste “tuist again”! Policët me gjasë u kreshpëruan. Kujtuan mos u shau shefin. Aty s’të falin ata! “Pipin, pipin”,-i thërrisnin! Ai i shihte me buzëqeshje e qashtërsi dhe këndonte “E dua dashurinë”, “Zemra e një gruaje”, “Kuturu”. Kur dëgjuan fjalën kuturu, u tërbuan krejt. E morën si kod armiqësor, si sabotim. U dëgjua zhurmë prangash. Në radio dëgjohej pyetja “Çfarë thotë?”. “Ah, mor shef, na thotë kuturu e tuist again”. Mendja e tyre ziente. Çaste vendimtare. Mos po fyen rilindjen? Mos është rreng ndaj ministrit dhe Kryeministrit, mos po përqesh Drejtorin e Përgjithshëm?! Dilema të tmerrshme. U dëgjua një zë i fortë! “Prangaaat! Ku janë prangat??? Sillini, lidheni!”. Situatë e nderë, fatet e Shqipërisë janë në diskutim. Nderi i Policisë, po kaq!
Një njeri i rrezikshëm sa nuk thuhet, që llomotiste gjëra të çuditshme ndaj rendit kushtetues, u be zap nga Policia dhe më e rënda ishte se kishte pirë pak që të hiqej si i dehur. Pipit, kur i fryu, desh e theu nga furia. Por vigjilenca qe e lartë, vetëdija në aksion po kaq, shpejtësia rrufe, guximi epik dhe më në fund e rrasën në furgon e vrap e në burg. Ai ishte këngëtari i shquar Aleksandër Gjoka, që na ka emocionuar kaq shumë me këngët dhe zërin e tij ndër vite. Dukej i pandëshkueshëm, i pakapshëm si ata kriminelët e pafund, që vrapojnë në drejtim të paditur! Por qenka gabuar! Polica e zë lepurin me qerre! Fap! E zuri edhe Sandrin e drejt e në burg dy ditë! Pas këtij akti sublim, Shqipëria është më e sigurt. Kjo është fitorja më e madhe e Policisë! Dukej e pamundur, por jo e pamundura u bë e mundur. Sandër Gjokës, këtij rreziku publik, i treguan vendin.