Gjergj Fishta, ndër themeluesit e Teatrit Shqiptar

Fishta ka qenë i suksesshëm edhe në artin e skenës (në gjuhën shqipe) dhe njëri ndër pionierët (apo themeluesit) e teatrit shqiptar, dimension ky më pak i njohur tek ai…

Tonin Çobani

Nga Tonin Çobani

 Gjergj Fishta ka lënë të shkruara mbi 30 vepra teatrore, si: komedi sipas Molierit, tragjedi (si Juda Makabe), drama (si Shën Françesku i Asizit) dhe melodrama (si Shqiptari i qytetnuem), poema liriko-dramatike (si Jerina), skeçe (si Nën hajat të Parrizit), përkthime etj. Këto tekste teatrore (ose shumica syresh) janë venë në skenë së pari nga autori i tyre, d.m.th., nga vetë Fishta, që bënte punën e regjisorit, të skenografit, të realizuesit të dekoreve e gjithçka tjetër duhet për realizimin e një shfaqjeje teatrore. Pra, ai ka qenë jo vetëm dramaturg i suksesshëm që justifikon thënien e Konicës se Fishta “shkroi poezi, drama, komedi…dhe në të gjitha ka qenë i suksesshëm”, por, gjithashtu, ai ka qenë i suksesshëm edhe në artin e skenës (në gjuhën shqipe) dhe njëri ndër pionierët (apo themeluesit) e teatrit shqiptar, dimension ky më pak i njohur tek ai.

  1. Shfaqja e parë

Vepra e parë teatrore e shkruar dhe e vënë në skenë prej Gjergj Fishtës mësohet të ketë qenë komedia e Molierit “Mjeku i përdhunë”. Kështu (“i përdhunë”) e shkruan piktori Simon Rrota në kujtimet e veta kur kumton se kishte punuar për realizimin e skenografisë krah për krah me Poetin e “Lahutës së Malcis”.

Si kuptohet, skenografinë e shfaqjes e kishte bërë Fishta, sepse piktorin e ri e kishte thirrur, siç shkruan vetë Simon Rrota, “për me ba disa skena për teatër, për një dramë të përkthyeme prej tij “Mjeku i përdhunë”.” Pra, Fishta e kishte përkthyer/përshtatur komedinë e Molierit, të cilën do ta vinte në skenë me nxënësit e shkollës së tij. Ai, përveç tekstit, bënte regjinë (kështu bënin aso kohe të gjithë autorët kur shkruanin ose përkthenin një pjesë teatrore), bënte skenografinë dhe interesohej për të gjithë aksesorët e shfaqjes.

 Dhe “drama pati sukses të madh…, – vazhdon Simon Rrota në kujtimet e tij, – veçanërisht pse ishte në gjuhën shqipe…, prandaj bani një përshtypje të madhe në popull, ( i cili) e priti me duartrokitje të vazhdueshme, në drejtim të poetit tonë”

 Komedia e Molierit “Mjek përdhuni” është shfaqja e parë teatrore në Shkodër (por edhe në Shqipëri), sepse “më përpara nuk ishin shfaqur shfaqje në gjuhën shqipe”, shkruan piktori Simon Rrota.

Ne duhet të mendojmë se Fishta me ta shpallur shqipen gjuhë mësimi në shkollat françeskane që drejtonte (1902), duhet të ketë kërkuar që edhe veprimtaritë jashtëshkollore të bëheshin në atë gjuhë. Kështu edhe organizimet argëtuese të fundviteve shkollore bëheshin në shqip (“Vetëm pas vitit 1902 kur… qe futur si gjuhë mësimi shqipja, të gjitha shfaqjet e kësaj shkolle, pa përjashtim, u dhanë në këtë gjuhë për një publik të gjerë”, shkruan në kujtimet e veta “mjeshtri i vjetër Kolë Dema”). Por shfaqja e një komedie (nga repertori evropian i teatrit klasik) në gjuhën shqipe, përshtatur psikologjisë, rrethanave dhe koloritit shkodran, mund të merret prej nesh si fillim i teatrit në Shkodër (e Shqipëri). Jemi në vitin 1905.

Simon Rrota e veçon këtë vit si vit i tërmetit të madh në Shkodër. Fishta sapo kishte spikatur talentin e piktorit të ri dhe e po e ndihmonte me bazë materiale për pikturim. Pas tërmetit që u shoqëruar me pasoja të rënda (“Në Shkodër nuk mbeti  shtëpi pa u prishë e (pa) pësue dame të mëdha”). Fishta është kujdesur edhe për një vend të përshtatshëm në mjediset e Kuvendit ku të ushtrohej me penelat e vet piktori i ri. Ai me raste i ka ofruar edhe punë, si bëri kur e ngarkoi për realizimin skenave të komedisë së Molierit, duke punuar krah për krah me të. Simoni, suksesin e shfaqjes e lidh edhe me punën e vet, me “skenat e bukura”:

 “Drama pati sukses të madh në Shkodër pse (ishte) e organizueme në të tana pikat dhe skenat e bukura”.

 Viti 1905 na ofron edhe një të dhënë tjetër të rëndësishme për teatrin e Gjergj Fishtës dhe në përgjithësi për teatrin e Shkodrës (dhe të Shqipërisë). Më 1905 rikonstruktohet për shfaqje teatrore salloni i Shkollës Françeskane i cili ka qenë i ngritur që më 1899.  Fishta e kishte të qartë se teatri ka nevojë për teatër, d.m.th., duhet një ngrehinë që ka dy pjesë: skenën e aktorëve dhe sallonin e spektatorëve. Dramaturgu, regjisori, skenografi e shumë të tjerë që realizojnë ndriçimin, muzikën, zhurmat… e deri te sufleri, qëndrojnë pas kuintave, të pranishëm në çdo frymëmarrje të shpejtuar a batutë që të bën të qash apo të qeshësh… Prandaj ai e sajoi një skenë dhe një sallë (apo një sallon shfaqjesh) që pas një rikonstruksioni të mëvonshëm (1907) do të shkonte deri në 300 vende. Ajo sallë shfaqjesh ishte e dyta në Shkodër (dhe në Shqipëri) pas asaj që ishte ngritur qysh më 1890 pranë kolegjit të jezuitëve. Por ishte e para për shfaqjet në gjuhën shqipe që te jezuitët ( këto shfaqje në gjuhën shqipe) do të vinin pas 1908-ës.

 2. Një teatër në shqip

Në Shkodër shfaqjet e para teatrore konsiderohen argëtimet e organizuara prej nxënësve të shkollave të jezuitëve (nga viti 1859) dhe françeskanëve (nga viti 1861) gjatë ceremonive të mbylljes së viteve shkollore. Në këto ceremoni përveç nxënësve dhe mësueseve vinin edhe prindër dhe herë pas here edhe personalitete lokale. Pranë këtyre shkollave, si u tha edhe më sipër, u ngritën edhe sallonet e para të shfaqjeve: salloni i jezuitëve me 450 vende, i françeskanëve me 300 vende, i motrave stigmatine (1914) me 250 dhe që nga viti 1919 edhe një teatër veror me 600 vende në oborrin e shkollës françeskane. Pas dhjetëvjetëshit të parë të shek.XX vijnë sallonet e shoqërive kulturore të qytetit: Bogdani (me 350 vende), Rozafat (me 400 vende), Vllaznia (me 400 vende), Shkolla e Parrucës (me 400 vende)… Në vitet ’30 në Shkodër bëheshin shtatë teatro (ndonjë edhe kinoteatër), me gjithsej 2500 vende.

Më herët në Shkodër janë organizuar shfaqje para altarëve të kishave apo në korridoret e shkollave (shfaqje vetëm për nxënësit). Shfaqjet me maska (karnavalet) perfomoheshin rrugicave ose në oborret e shtëpive, ashtu sikundër shtregullat që zhvilloheshin në disa oborre të shënuara për organizimin e tyre në ditët e para të pranverës. Por ka edhe një dëshmi interesante për skenat me çarçafë ose për mjedise të tjera të përshtatura, si është rasti i një depoje të braktisur ushtarake etj.

 Gjithsesi teatri i Gjergj Fishtës është i pari teatër shqiptar, ku skena komunikon me sallën (spektatorët) në gjuhën shqipe. Në këtë gjuhë Fishta ka vënë në skenë pjesë teatrore të shkruara prej tij, duke përfshirë edhe ato, dorëshkrimet e të cilave nuk janë ruajtur, si f.b, “Shën Gjon Kryepremi”, vepër që përmendet prej Fishtës kur sapo ka nisur ta shkruajë. Por ne nuk e njohim as si dorëshkrim, as si vepër të vënë në skenë: të botuar – jo se jo.

Po kështu tragjedia “Hajria”, siç na ka mbërritur (vetëm në dy akte), nuk duket ta ketë parë dritën e skenës. Nga ana tjetër, kemi përfshirë në listën e veprave teatrore të Fishtës edhe pjesët “Oso Kuka” e “Lidhja e Prizrenit”, dramatizime të bëra “nga ndonjë mësues i shkollës”(A. Skanjeti). Për titullin e parë (“Oso Kuka”), e cila u bë një nga shfaqjet më të suksesshme, dihet edhe një autor: ai është Zef Mark Harapi, i cili “e pati shkrue me shumë dashuni… mbi motivet e Kangës së dytë të “Lahutës së Malcis(L. Shllaku).  

Në krye të herës Fishta ka qenë angazhuar seriozisht me përkthiminpërshtatjen e pjesëve teatrore dhe më pas me krijimtari origjinale për skenë, duke i siguruar një vend të nderuar vetes në historinë e dramaturgjisë shqiptare dhe të teatrit kombëtar. Si regjisor, atij i bie të ketë vënë në skenë kështu rreth 30 pjesë, por edhe regjisorë të tjerë kanë vënë në skenë pjesë të dala prej duarve të tij. “I ligu për mend” (komedi sipas Molierit) është vënë në skenë nga pesë grupe aktorësh komikë ku vendi i  kryekomedianit i mbetej aktorit Zef Hilgega, ashtu si “Dredhitë e Patukut” është luajtur nga tre breza aktorësh. Krahas Fishtës pionierë të teatrit shqiptarë me pjesë të shkruara dhe të vëna në skenë prej tyre, janë: Shtjefen Gjeçovi, Anton Xanoni, Kolë Mirdita (Helenau), Hilë Mosi, Ndoc Vasia, Zef M. Harapi…

  1. Dramaturgu dhe regjisori

Janë dy episode domethënëse që duhen përmendur për të kuptuar atë që në krye të këtij kapitulli kam quajtur Teatër të Gjergj Fishtës.

I pari lidhet me pjesën “Dredhitë e Patukut” (Le Furberier Escarpet) që shkroi Fishta “sipas Molierit”. Regjisori i njohur shkodran, Lec Shllaku, tregon se aty rreth viteve 1910-1911, kur punonte për këtë komedi (Dredhitë e Patukut), Fishta bashkëpunoi me aktorin më të suksesshëm të humorit shkodran të asaj kohe, Zef Hilëgegën. Zefit nuk i pëlqeu komedia në dorë të parë. Gjuha është “tepër ala franga”, tha ai. Atëherë Fishta e rishkroi veprën kryekreje sipas sugjerimeve të komedianit. “Dredhitë e Patukut” u bë “loja e gazit” më popullore në Shkodër.

Në repertorin e teatrit fishtjan komedi të Molerit (sipas Molierit) të përshtatura prej vetë Fishtës, përveç komedisë në fjalë (“Dredhitë e Patukut”), ishin edhe: “Mjek përdhuni ose Gjok Tarçuku” (pjesë e repertorit aktiv që nga viti 1905),  “I ligu për mend” (që nga viti 1917), “Nazeqaret qesharake” (Preciozet qesharake), vënë në skenë më 1908(?), “Tartufi” (1914), “Borgjezi Fisnik” (1933) etj.

Episodi i dytë na dëshmon se si punonte Fishta për vënien në skenë të pjesëve në teatrin amator. Një regjisor tjetër i njohur shkodran, Andrea Skanjeti, që kishte asistuar gjatë vënies në skenë të komedisë “I ligu për mend” dhe tragjedisë “Juda Makabe”, kujton:

Kam parë regjisorë të ndryshëm, diletantë dhe profesionistë, të vendit dhe të huaj, por mënyra e regjisurës së tyre nuk më ka lënë ndonjë mbresë të veçantë. Ai (Gjergj Fishta – T.Ç.) punonte me aq brishtësi me diletantët duke përdorur një humor të lezetshëm e tërheqës sa të krijonte një mjedis gazmor që lehtësonte punën e rëndë të skenës dhe nxirrte në këtë mënyrë një rezultat interpretimi të drejtë dhe real në mes të një kënaqësie e mirëkuptimi të plotë”.

Të dy episodet shpjegojnë faktin se Fishta i ishte përkushtuar teatrit në dy shtyllat e tij kryesore: si dramaturg dhe si regjisor. Ai e njihte dhe e çmonte individualitetin krijues të aktorit dhe ishte në kërkim të vazhdueshëm për një gjuhë sa më skenike dhe veprim artistik në koherencë me mesazhin kryesor të shfaqjes. Edhe kur shkruante Fishta nuk krijonte pjesë për teatrin amator si një dramaturg amator. Dhe tekstet e tij dramatike nuk janë dialogë në vargje të një shkrimtari tanimë të afirmuar si poet epik, lirik e satirik. Përveç Molierit dhe Goldonit, Gëtes e Haines, ai studioi me vëmendje, posaçërisht, veprën e Shekspirit. Këtë e bënte ndërkohë që përgatitej të shkruante tragjedinë “Juda Makabe”. “Prej tre vitesh, – i shkruan Fishta një miku më 1911,- i jam vënë studimit të dramaturgjisë dhe, veçanërisht, Shekspirit”.

 Leonardo De Martino

Vetë teatri i françeskanëve, që Gjergj Fishta do ta kthente në një tribunë kulturore për të gjithë qytetarët e Shkodrës, i ka nismat te shfaqja “Natë Këshndellash”, shkruar në gjuhën shqipe nga Leonardo de Martino dhe luajtur në Shkodër (1880-1881) ende pa u ngritur në atë qytet asnjë skenë (dhe sallon) për shfaqje.

Shfaqja “Natë Këshndellash” është realizuar nga nxënës të kolegjit françeskan në Shkodër (dhe Troshan), si dhe nga nxënëset e kolegjit të motrave stigmatine të Gjuhadolit me rastin e Krishtlindjeve.

Gjergj Fishta (Zefi 9-vjeçar) aso kohe ishte nxënës i shkollës publike të françeskanëve të Shkodrës ose i sapotransferuar në kolegjin e Kuvendit të Troshanit. Gjithsesi atë shfaqje të suksesshme që u shfaq për disa net, nga data 25 dhjetor deri më 6 janar 1881, ai duhet ta ketë parë, ndoshta edhe më tepër se një herë. Më vonë, pa tjetër, ai edhe e ka lexuar si tekst në vëllimin poetik të De Martinos “Harpa e një italo-shqyptari”, Venezia, 1881.

Leonardo de Martino (1830-1923) vinte nga arbëreshët e Italisë (da Greci di Puglia) dhe ka një rol të rëndësishëm në orientimin letrar të Gjergj Fishtës dhe e të tjerëve poetë shkodranë të tre dhjetëvjeçarëve të fundit të shek XIX. Leonardoja ishte prift françeskan (Padre Leonardo De Martino, OFM) dhe vinte në Shkodër (edhe në Troshan e Lezhë) si misionar apostolik për të dhënë mësime feje e qytetarie. Duke shfrytëzuar miqësinë me Frano Krispin, aso kohe ministër arsimi i qeverisë italiane, ai kontribuoi në Shkodër për mbarëvajtjen e shkollës popullore të françeskanëve për djem (hapur më 1861) dhe për çeljen e shkollës së vajzave (1879), të dyja në italisht deri sa në drejtimin e tyre vjen Gjergj Fishta (1902).

Gjatë kohës gati 30-vjeçare që shërbeu në Shqipëri (1865-1903) Leonardo De Martino shkroi vargje të frymëzuara në gjuhën letrare shqipe, të cilën e gjet të kultivuar si gjuhë poetike në ato treva qysh nga Budi e Bogdani. Një pjesë të poezive të veta i përmblodhi në librin “Harpa… ”, ku, siç e thamë e më sipër, u përfshi edhe drama e parë shqipe “Natë Këshnellash”. Ky botim është edhe më i pari vëllim poetik i një autori të Letërsisë së Rilindjes sonë Kombëtarë që jeton në troje shqiptare. Dhe është një vëllim voluminoz (442 f).

Fishta e ka ndier ndikimin e mësuesit të vet, prandaj, ndoshta , kur Zefi i vogël (emri i pagëzimit), u bë poeti i madh Gjergj Fishta (emri si françeskan), tek po kthehej nga Franca (ku kishte përfaqësuar Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris:1919-1920), bën një ndalesë kortezie në kuvendin françeskan të Sarnos (Itali), thjesht për t’u përshëndetur me mësuesin e vet 90-vjeçar, At Leonardo de Martinon: “një takim vërtet prekës në mes të mësuesit të madh dhe nxënësit të madh” (R. Petrotta).

Në kujtimet e tyre ata me siguri kanë folur edhe për tekstin dramatik origjinal të shkruar në gjuhën shqipe (“Nata e Këshnellave”), për dramën baritore (Dramma pastorale), pra, që është luajtur me sukses disa herë dhe autori i saj (Leonardo de Martino) është përgëzuar prej kolegëve të vet se ka arritur të prekë shikuesit (publikun) e pamësuar me shfaqje teatrore. Sot ai tekst i bie të jetë drama e parë shqipe (në Letërsinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare) dhe shfaqja e parë teatrore (e Artit Skenik të Rilindjes Kombëtare Shqiptare) që nis rrugëtimin e vet si lëvizje amatore në qytetin e Shkodrës për të vazhduar me teatrin e Fishtës në gjuhën shqipe.

Viti 1880 shënon kohën kur Gjergj Fishta fillonte shkollimin e vet për të marrë edhe ai rrugën e të varfrit të Asizit. De Martino ka qenë mësues i Gjergj Fishtës në të dy kuvendet françeskane, të Shkodrës dhe Troshanit. Atij i kishte takuar të pagëzonte poetin e sapolindur në fshatin Fishtë, shumë pranë fshatit Troshan. Më tej, duhet pohuar se Poeti ynë Kombëtar, nën ndikimin e tij, u mëkua shëndetshëm me romantizmin italian (dhe kulturën europiane) ashtu si kishte ndodhur edhe me të tjerë shkrimtarë shqiptarë kur kishin rënë në kontakt me veprën e De Radës, i cili e fillon krijimtarinë e vet po me një dramë në gjuhën italiane, “Numidët”.

  1. Mesazhi fishtjan i teatrit të tij

Vepra e parë dramatike e botuar e Fishtës është “Të kthyemit e Uliksit në Itakë” (ose “Odisea”), shfaqur dhe botuar më 1909. Pas saj vjen “Sh’Francesku i Asizit” (shfaqur më 1909 dhe botuar më 1912). Ndërkohë është projektuar edhe tragjedia “Kryepremja e Shën Gjonit”, e cila duhet të ketë mbetur diku si dorëshkrim. Këta vepra të para dramatike, pavarësisht nga subjektet e shpërndara në shekuj, janë konceptuar prej autorit si një triologji, sepse, si shprehet vetë Fishta, ishin tri drama që do të përçonin mesazhin “e triumfit të lirisë” (Uliksi), “të vllaznimit” (Sh’Françesku) dhe “të barazisë” (Shën Gjoni Kryepremi).

Këndej është e thjeshtë të vihet re se Teatri i Gjergj Fishtës ka qenë që në nismë i orientuar nga Revolucioni Borgjez Francez (Liri-Barazi-Vëllazëri), orientim të cilin e gjejmë të shprehur edhe në programin ideologjik të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Por te Fishta ka diçka më tepër: është një program që po vihet në jetë. Aso kohe edhe vetë teatri është një formë e komunikimit demokratik, është një tribunë artistike, përmes së cilës idetë progresiste shtrohen në tryezë për të gjithë.

Dhe jemi në vitin 1909, kur ende nuk ka filluar kryengritja e përgjithshme antiosmane (1910-1912), si rezultat i të cilës erdhi Pavarësia e Shqipërisë. Për sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe është vendi të theksojmë se vetëm pas Kongresit të Manastirit (1908) ishte siguruar një farë lejeje për të dhënë shfaqje publike në atë gjuhë. Siç e kemi cekur më lart, më parë shfaqjet në gjuhën shqipe jepeshin vetëm në Kolegjin Françeskan, ku, që nga viti 1902 Fishta kishte futur gjuhën shqipe si gjuhë mësimi, duke shfrytëzuar maksimalisht disa “privilegje” që gëzonin shkollat fetare (edhe ato jo islamike) në kuadrin e Perandorisë Osmane.

U bë kjo parantezë për të ndriçuar një dimension të interpretuar jo mjaftueshëm prej studiuesve të veprës fishtjane, në përgjithësi, dhe të Teatrit të tij, në veçanti. Fishta më parë se të dukej Pavarësia e Shqipërisë, e kishte parandier ardhjen e saj, prandaj u bë aq aktiv për të futur gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në shkollë, për të unifikuar alfabetin e gjuhës shqipe, për të kënduar epopenë kombëtare, për të rigjallëruar letërsinë dhe për të krijuar Teatrin Shqiptar, tribunën e munguar të qytetarisë.

Madje Fishta parandien edhe mëtuesit që do të shtroheshin në tokën shqiptare, si tregohen me dhimbje mëtuesit e Penelopës, të cilët kishin zaptuar me të ngrëna e me të pira pallatin mbretëror, ndërkohë që Telemaku sillej rrugëve, se nuk mund të kthehej në shtëpinë e vet dhe Uliksi/Odiseu afrohej i maskuar asaj shtëpie, si një bari mjeran. E pra, ishte në pronat e veta, në vatrën e tij familjare.

Dhe, në qoftë se ky interpretim tingëllon aktual edhe sot e kësaj dite, sepse “mëtuesit modernë” të Shqipërisë së sotme kanë lënë jashtë pronave trashëgimtarët e ligjshëm, mos të hamendësohet se po bëj një koment aktualizues të veprës së Fishtës, për t’i bërë favore asaj. Jo, jo. Fishta na e ka pohuar këtë kryemesazh të veprës së vet që më 1909, kur i shkruan Pal Dodajt për dramën “Odisea” (“Të kthyemit e Uliksit në Itakë”):

Që ka edhe sot mëtonjës në botë, ky është fakt i pamohueshëm dhe është e natyrshme që ata, me gjithë urdhrin e poetit, nuk turbullohen aspak për t’i lëshuar shtëpitë e uzurpuara… të gjithë dashnorët e Penelopës shqiptare ndihen të goditur prej vargjeve të mija. Aq më mirë, nga horra dhe fundërrina të tilla nuk mund dhe as dua të shpresoj gjë…

***

Nga të tridhjetë pjesët teatrore që mbajnë firmën e Gjergj Fishta, të cilat edhe janë vënë në skenë prej tij (dhe të regjisorëve të tjerë), vetëm dy apo tri pjesë nuk e panë dritën e skenës. Rreth 23 e tyre (të pjesëve teatrore) janë botuar dhe ribotuar, ndonjëra deri në tri-katër herë.

Për dramaturgjinë e Gjergj Fishtës kanë shkruar studiues të Paraluftës së Dytë Botëror (Kolë Ashta, Henrik Lacaj, Zef M.Harapi) dhe më pas deri në ditët e sotme (Daniel Gjeçaj, Sabri Hamiti, Josif Papagjoni). Ndërsa për teatrin e tij (regjinë, skenografinë etj) është shkruar më pak. Janë dy regjisorë shkodranë që në kujtimet e tyre, botuar më 2002 në Shkodër, na bëjnë me dije (sado në mënyrë anekdotike) për atë që kemi quajtur Teatër të Gjergj Fishtës: njëri është Andrea Skanjeti (“100 vjet teatër në Shkodër”) dhe tjetri, Lec Shllaku (“Maskat shkodrane… ”).

Dihet se shfaqja e fundit, që u vu në skenë me njëherë pas Luftës së Dytë, është “Juda Makabe” (Shkodër, 1945) me regjisor Zef Zorbën dhe më pas, thuajse një gjysmë shekulli më vonë, kanë parë dritën e skenës “Gomari i Babatasit” me regjisor Edmond Mëhillin (Teatri Migjeni i Shkodrës, 1902), “I ligu për mend” (Teatri Kombëtar i Prishtinës, 2017) me regjisor Altin Bashën dhe “Shfaqja G” me vargje satirike nga veprat e Fishtës (Teatri Shqiptar i Shkupit, 2017) me regjisor Sylejman Rushitin… Suksesi i tyre na bën të mendojmë se edhe shfaqje të tjera nga repertori i teatrit fishtjan do të luhen nga Teatrot Kombëtarë (apo Shqiptarë) të Tiranës, Prishtinës, Shkupit dhe nga teatro të tjerë profesionistë që nuk u mungojnë qyteteve tona. Këto shfaqje kanë për ta bërë më të prekshëm Teatrin e Gjergj Fishtës, pasi me rikthimin e opusit fishtjan nuk mund të thuhet me plot gojë se është rikthyer meritueshëm edhe Teatri i Poetit tonë Kombëtar.

SHKARKO APP