Gjermania midis kujdesit dhe panikut

Çfarë do të thotë epidemia e virusit Korona për Gjermaninë? A do të ndalet së shpejti jeta publike, a do të anulohen aktivitetet e mëdha, siç po bëhet në Zvicër? Virusi i ri është në titujt e të gjitha gazetave gjermane. “Mos kalo në panik” këshillon të paktën gazeta e përditshme “Taz”. Por epidemia përcakton në masë të madhe bisedat mes njerëzve: në autobus dhe në tren, në rrugë, në restorante dhe në vendin e punës.

Qëndrim i arsyeshëm te ekspertët

Relativisht me qetësi reagojnë ata që duhet ta dinë më mirë: Instituti-Robert-Koch, autoriteti më i lartë në Gjermani për sëmundjet infektive, mban konferenca shtypi të përditshme. Lars Schaade, mjek specialist në mikrobiologji dhe nënkryetar i institutit, rendit: 52 infektime njihen deri tani në Gjermani, ka tre zona lokale të përqendrimit. Një në Renaninë Veriore-Vestfatli me një pacient të sëmurë rëndë, një në Baden-Württemberg, një rast të ri në Mynih.

Sa për krahasim: në të gjithë botën janë infektuar me virus deri tani mbi 80.000 vetë, në 52 vende. Dhe, sipas ekspertëve, numri i rasteve të paraportuara është i lartë. Kjo është arsyeja pse Schaade arrin në përfundimin se “për momentin virusi nuk duket të ketë një përhapje të gjerë në Gjermani. Dhe kjo është arsyeja pse rreziku për shëndetin e popullatës është i vogël deri në mesatar”.

Më e rëndësishmja tani: larja e duarve

Schaade edhe njëherë dha këshilla shumë specifike se si duhet të sillet popullata tani: “Përdorni shami që mund t’i flakni, kur kolliteni ose teshtini, hidhini ato. Lani duart, dhe kur kjo nuk është e mundur është mirë të ktheheni pas kur teshtini ose kolliteni dhe teshtini në bërryl. “Për më tepër, prekeni sa më pak të jetë e mundur fytyrën, gjë që një person normal e bën deri në dyqind herë në ditë.

Çfarë ndodh, e pyesin Schaade, në rast të një infektimi? Rreth 85 përqind e rasteve kalojnë si grip i butë, por: “Ka disa raste që përkeqësohen, që përkeqësohen pas rreth nëntë ditëve: këto janë rastet që kanë rrjedhën më të rëndë të sëmundjes. Dhe kur ke një rrjedhë kaq të rëndë të sëmundjes , atëherë mund të duhen tre, katër, ose në raste ekstreme madje edhe gjashtë javë për ta marrë veten, siç përshkruhet në Kinë”:

Qeveria federale ka reaguar dhe ka ngritur një ekip krizash të cilit i përkasin shumica e dikastereve. Ministri i Brendshëm Horst Seehofer (CSU) dhe Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn (CDU) e kanë diskutuar gjendjen e punëve me kancelaren Angela Merkel. Zëdhënësi i Merkel-it, Steffen Seibert tha të premten: “Kancelarja, për këtë të jeni të sigurtë, do të informohet çdo ditë për përparimin e ngjarjeve, si në aspektin e përhapjes, ashtu edhe për gjendjen e përgatitjeve”.

A duhet të anulohet panairi i turizmit?

Ndërkohë, është shtyrë edhe panairi kryesor botëror i turizmit ITB me mijëra vizitorë nga e gjithë bota, i cili do të fillonte në Berlin të mërkurën e ardhshme. Një temë tjetër do të jetë ndoshta nëse Gjermania ka mjaft kostume speciale dhe maska ​​mbrojtëse, veçanërisht për personelin ndihmës, po të përkeqësohet epidemia. Nuk duket se ato mjaftojnë. Ministri Spahn, pra, po shqyrton, siç tha dje në “Televizionin e Dytë Gjerman” (ZDF), një ndalim eksporti, nëse është e nevojshme.

Burimi: /DW/

SHKARKO APP