Gjermania:Po na soset durimi!

Qamil Xhani

Kryetari i  Komisionit Parlamentar për Çështjet e BE në Bundestag:  Konsensus për reformën. Por nëse reforma dhe lufta ndaj korrupsionit nuk funksionon do t’ju heqim statusin e vendit kandidat

Gjermania, vendi kryesor i Bashkimit Europian, ka bërë dje kërcënime të hapura për klasën politike shqiptare. Nëse reforma në drejtësi nuk miratohet me kompromis më 21 korrik dhe nuk zbatohet, Shqipëria jo vetëm nuk do të hapë negociata për anëtarësim me BE-në, por do t’i hiqet edhe statusi i vendit kandidat. Deklarata e pazakontë dhe e para që flet për penalizime të ashpra të vendit është bërë dje nga Gunther Krichbaum, deputet i Bundestagut gjerman dhe Kryetar i Komisionit Parlamentar për Çështjet e Bashkimit Europian. Ndryshe nga shumë zyrtarë të tjerë të BE-së, Krichbaum ishte i prerë dhe kur tha se BE-së dhe Gjermanisë po i soset durimi me klasën politike shqiptare.

“Durimi ynë nuk është i pafund. Ne nga ana jonë, Qeveria federale, Bundestagu ju mbështesim në të gjitha çështjet dhe në këtë kuadër ju keni marrë statusin e vendit kandidat, por në qoftë se ne, në fund të ditës na krijohet përshtypja që kjo reformë nuk është e dëshiruar, që lufta ndaj korrupsionit nuk funksionon ashtu siç duhet, atëherë edhe ne në fund të ditës të marrim vendimin që t’ju heqim statusin e vendit kandidat”, thotë Gunther Krichbaum.

Zyrtari i lartë gjerman, në konferencën e dhënë dje në ambientet e Ambasadës Gjermane, theksoi se, nuk do të merrej me detaje të neneve të Komisionit të Venecias. Pasi kishte takuar gjithë spektrin politik në vend, qëndrimi i tij për reformën përmblidhet në fjalët se palët politike duhet të jenë të përgjegjshme dhe të arrijnë kompromisin.  “Data 21 korrik është një datë vendimtare përsa i përket kësaj çështje sepse duhet marrë një vendim. Ajo që duhet të shmangim ne është që në fund fare Bashkimi Europian dhe natyrisht që, opozita dhe qeveria duhet të ecin në të njëjtën udhë dhe të gjejnë një kompromis. Mendoj që të gjitha palët e përfshira të jenë të ndërgjegjshme për përgjegjësinë që kanë në këtë rast”,- thuhet në deklaratë. Mesazhet e dhëna dje nga politikani gjerman ishin me një gjuhë që nuk është dëgjuar në publik nga ndërkombëtarët. Për gazetarët, Gunther Krichbaum nuk dha detaje se çfarë ka diskutuar me Kryeministrin Edi Rama dhe Lulzim Bashën, por theksoi se, penalizimi i heqjes së statusit të vendit kandidat është një rrezik për të cilin të gjitha forcat politike në vend që janë të vetëdijshme.

Delegacioni i Budenstagut gjerman në Tiranë kishte një mision special në Tiranë këto dy ditë. Bëhej fjalë për verifikimin e fakteve në terren dhe takimin e drejtuesve politikë në vend. Bundestagu dhe Qeveria e Angela Merkel është interesuar për të parë nga afër atë që ndodh në Tiranë, ndryshe nga sa shkruhet në raportet e autoriteteve të Brukselit. E në këtë pikë, politikani Gunther Krichbaum ka qenë më i qartë se çdo diplomat tjetër lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë. Sipas tij, integrimi do të varet vetëm nga lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në kohën kur Bashkimi Europian ndodhet në krizën e shkaktuar pas referendumit për daljen e Britanisë nga Unioni, politikani gjerman ka pasur dhe një mesazh të qartë. “Mesazhi është vijoni përpara me reforma”, por pa ndëshkuar korrupsionin nuk ka afrim me BE-në.

Gjermania është vendi kryesor i Bashkimit Europian. Fakti që një grup deputetësh të Bundestagut dhe deputetë gjerman të Parlamentit Europian zbarkuan këto ditë në Tiranë me mesazhe të qarta tregon se reforma është në axhendën e Berlinit. Ndaj dështimi i konsensusit dhe mosgjetja e gjuhës së përbashkët mes PS-së dhe PD-së këtë herë nuk do të kalojë si zakonisht. Sinjali i parë dhe kërcënimi më i rëndë, u dha. Humbja e statusit të vendit kandidat do të thotë dalje nga orbita e BE-së. E nëse politikanët tanë e lënë që të ndodhë kjo gjë, nuk është thjesht dështim, por dëmi më i madh që mund t’i bëhet vendit.

Ndaj gjejeni kompromisin politikanë!

SHKARKO APP