Gjirizi i besëprerëve
“Shqiptarët janë gjykues, për gjithçka kanë një opinion. Kjo nuk është e veçantë, sepse qënia njerëzore është e gatuar në këtë farë soji. Kudo gjykojnë, por askund nuk lëshohen si qentë të të mbushin mendjen me sharje, fyerje dhe logjikën e përjashtimit“…
Nga Enke Demi
Duke nisur nga fëmijët e deri tek më të moshuarit, në gjuhën e burrnisë lulëzojnë sharjet për nënën, motrën, gruan. Ma merr mendja që shqipja është gjuha më e pasur nga familja indoeuropiane për sharje dhe sulme ndaj femrës, veçanërisht, kur atë e ke nënë, motër, bashkëshorte, por edhe thjesht të njohur. Kaq e pasur është gjuha jonë për këto sulme sa edhe kur duam ta fyejmë në asht një burrë i drejtojmë epitete grarishte të kësaj gjinie.
Sot, në Kuvendin e Shqipërisë Ermira Mehmeti u përlot dhe u mundua mes ngashërimës të shpjegojë do përgjime, të cilat u përthithën jo vetëm nga media sllave e Maqedonisë, por gëzuan shikueshmëri të lart fort në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, diasporë, kudo ku flitet shqip. Natyrisht, lexuesit nuk vuajtën të qëllonin në epitete dhe përcaktorë për zonjën, sepse gjuha shqipe gëlon në të tëra nëndialektet e gegnisë a toskërisë. Megjithatë, ai feminilitet që shfaqi ligjvënësja e BDI-së rrëfen trimëri. Burrat që janë vënë në hall të këtillë janë futur nëpër qoshe, duke shpresuar në aksiomën e tre ditëve të harresës. Ka rrëfyer trimëri, sepse luan me rrezikun të riçelë zellin e gjykimit që ndër shqiptarë nuk shteron kurrë, i ndihmuar ky nga pasuria e fyerjeve në gjuhën shqipe.
Një tjetër grua, e cila ka qenë këto ditë në syrin e ciklonit ishte Ema Andrea. Ajo u shpreh, këtë mëkat bëri. Ajo tha diçka që ndoshta ishte kundër rrjedhës së një pjese të politikës dhe ithtarëve të saj. Koloni ndëshkimore e udhëhequr nga do tipa që kanë thyer bukën e mikut. Fjali të mbushura me sharje që gjuha jonë amtare t’i fal pa kursim. Po të kishin vazhduar edhe më do kishte dalë Ema Andrea dashnore e Ali Pashait. Një histeri ndaj një aktore, të cilën po ta quaje “të madhe” pasonte në rrjet një ushtri kundërshtarësh, të cilët si hiena tentojnë të vrasin, zhdukin, sheshtojnë vlerat e dikujt. Kjo vetëm, pse Ema Andrea nuk merr pjesë në arradhën e “Dum babës”, ashtu si u soll ndaj Edi Ramës, vetëm pak muaj më parë. Janë të njëjtët që i kanë prerë besën mikut, të cilët në at’botë e quanin “aktore e madhe” dhe i thurrnin lavde.
Shqiptarët janë gjykues, për gjithçka kanë një opinion. Kjo nuk është e veçantë, sepse qënia njerëzore është e gatuar në këtë farë soji. Kudo gjykojnë, por askund nuk lëshohen si qentë të të mbushin mendjen me sharje, fyerje dhe logjikën e përjashtimit. Të shajnë se nuk të duan, por këtu të shajnë se duan të ndërrosh mendje. Ndaj këto gra janë trime dhe shumë më patriote se lehjet e besëprerëve.
P.S. Dhe tani, o burra suluni në komente si çakej