Gjobaxhiu Edi Rama
Nga T. Çela
Spoti elektoral ku Edi Rama aktron në rolin e një gjobaxhiu ka ngjallur në mënyrë të padrejtë një mëri të madhe në publik. Demokratët akuzojnë për përdorimin e imazhit të policisë në zgjedhje. Qytetarët e paangazhuar revoltohen me filozofinë e shprehur aty që e shikon penalizimin si një qëllim në vetëvete për të mbushur buxhetin e shtetit. Ndonjë personazh televiziv shan e mallkon kur i kujtohen padrejtësitë që i janë bërë në kuriz.
Por të gjitha këto shpërthime duken të ekzagjeruara. Sado reagime që të përndezë, këtij spoti elektoral i duhen pranuar dy merita.
E para se na ka nxjerrë në ekran Ramën e vërtetë. Një personazh me prirje të theksuara aktoriale i cili më lehtë mund të ishte bërë yll i kinostudios sesa kryeministër i gjithë shqiptarëve.
E dyta është se, po, administrata e Rilindjes është treguar e pamëshirshme për të vënë gjoba, e për të mbledhur përmes tyre më shumë para për arkën e përbashkët. Edi Rama me bllokun e ndëshkuesit në dorë, me mënyrën se si nuk tutet nga njohjet e përbashkëta, nga lutjet për mëshirë, nga tundimi për të qenë i butë, është mishërimi më i mirë i të gjitha fabulave të varfanjakëve që kanë përfunduar në qeli se nuk kishin para të paguanin korentin, i të pastrehëve që i’u kanë shkallmuar kasollet pa leje, i hallexhijve me të cilët ligji ka qenë i pamëshirshëm. Në këtë kuptim spoti është realist dhe shumë pranë të vërtetës.
Pra problemi i vërtetë i spotit nuk qëndron tek pretendimet e ngritura deri më tani. Problemi i tij real sendërzohet tek ironia që bëri Blushi me timonin e makinës së Mark Frrokut. Kreu i Libras i referohet një incidenti, kur “policia që duam” megjithëse gjeti një trafikant në makinën e ish deputetit që ndodhet sot në burg, e la atë të vazhdonte i lirë.
Kjo fabul tregon më mirë se kushdo fallcitetin e shtetndërtimit të Ramës. Është e vërtetë se ai ka gjobitur shumë shoferë, pronarë shtëpish, mospagues dritash. Mund të jetë gjithashtu e vërtetë që këto kacidhe kanë shkuar për shkolla kopshte dhe spitale. Por, fatkeqësisht, shteti i tij ka bërë shembuj vetëm në mes të të dobtëve, të pafuqishmëve. Askush nga të fortët, oligarkët, abuzuesit, ndërtuesit e mëdhenj, nuk i ka provuar në shpinë gjobat e kryeministrit. Dhe pikërisht për këtë Edi Rama është një gjobaxhi i vërtetë, sepse duke u treguar i butë dhe elastik me një pakicë, ka varfëruar edhe më shumë shumicën. Ai është dyfish njeriu me bllok në dorë edhe atëhere kur ndëshkon të pambrojturit edhe atëhere kur fal të fuqishmit. Prandaj ai është shumë pranë personazhit që luan në spot