Gjovalin Gjadri, maratona e një intelektuali të vërtetë

Nga Arben Braçe –

Në një kohë tepër të vështirë, kur bota dhe shqiptarët luftojnë me Covid, virusin makabër, që njeriu vetëkrijoi për të ngënë njeriun. Në një kohë kur shqiptarët kanë provuar të gjithë marrëzitë e qiellit dhe të tokës bashkë, kur akoma kanë të hapura plagët e eksperimentit të ushtruar ndaj tyre, si kavje të “Laboratorit të Madh” të quajtur komunizëm, kur me mund Sizifi, mezi arritën të ndërtojnë një demokraci të brishtë, që po tretet si vesa, të cilën po e çojnë pa u merakosur në portat e ferrit të tiranisë kundër vetes dhe kur për ironi të fatit të tyre të mallkuar, pasi i kanë vjedhur, dhunuar, zhvatur dhe zbuar prej vendit, tashmë, për t’i shtyrë në apokalipsin më të madh të fatit, po i nxisin që të asgjesojnë edhe inteligjencën, si portën e fundit të shpresës që do të mund t’i nxirrte nga gropa e ferrit, duke e denigruar dhe shpallur atë, spiune e bashkëpunëtore e të huajit. Pikërisht në këtë kohë, më bie në dorë, dosja e përpunuar e AIDSSH (Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit) e intelektualit të shquar dhe shkrimtarit Gjovalin Gjadri. Sikur na kanë dashur përherë të gjithë dashakeqësit tanë, natyrisht që edhe në këto kohë të vështira na kërkojnë pa inteligjencë, pa elitë të vërtetë, pa histori, pa vlera, pa tradita, pa trashëgimi, që të na drejtojnë si të verbërin dhe të na kafshojnë ku të mundin, duke na poshtëruar, zhvatur dhe gllabëruar edhe ato pak pasuri, troje dhe vlera shpirtërore që na kanë mbetur. Në Jug, në kundërshtim me atë që përcaktojnë qartë aktet ndërkombëtare, enden të na kafshojnë det. Në Kosovë, duke qënë se nuk kemi inteligjencë të saktë, që të na përfaqësojë me dinjitet, nëpërmjet “institucionit fals të këmbimit” po rreken të na kafshojnë tokë, sikurse ndodhi në Zajednicë. Aty ku jemi vetë “zot” dhe kemi “sovranitet” na kafshojnë më egër se të gjithë fqinjët e babëzitur bashkë oligarkët tanë të panginjur, që me mbështetjen dhe ortakërinë e pushtetit të korruptuar, na kanë zhveshur nga pjesëmarrja në politikbërje dhe çdo njeri të ndershëm e kanë kthyer emigrant brenda vendit të vet. Megjithëse ekzistojmë, nuk kemi mundësi të marrim pjesë në pushtet, sepse na imponojnë për ligj zgjedhor, një ekuacion banal matematikor, që përjashton tërësisht vullnetin e sovranit dhe mban në pushtet, vetëm ata që kanë vjedhur e gllabëruar pasuritë e shqiptarëve. Megjithëse ekzistojmë, nuk kemi asnjë barazi në start, për ngritjen dhe mbajtjen e ndonjë biznesi, sepse gjithçka është monopol i atyre që ndajnë fitimet me pushtetin. Megjithëse ekzistojmë nuk marrim dot drejtësi, sepse ajo është në dispozicion të mbrojtjes së interesave të pushtetit dhe të ortakëve oligarkë, ndërsa e vetmja gjë, që akoma na ka mbetur në dorë është vetëm vetëgjyqësia. Megjithëse ekzistojmë, na janë veshur sytë dhe nuk kuptojmë se asgjesimi i inteligjencës, një mision makabër, ku kemi hyrë me shumë zell së fundmi, është vetëvrasja më e përkryer, është një suicid moral i përsosur, për të hedhur në erë shoqërinë, duke zhdukur dhe përdhosur idhujt socialë dhe moralë të brezave të shqiptarëve. Personalisht jam për purifikimin e shoqërisë, për largimin e pseudointeligjencës shërbëtore të ishregjimit dhe të të huajit, për një inteligjencë me vlera të vërteta bashkëkohore, që në radhë të parë të ruajë interesat e vendit dhe ato të kozmopolitizmit, por nga ana tjetër jam edhe kundër intolerancës harbute dhe përndjekjes së padrejtë për të disatën herë tashmë të inteligjencës, sikur ndodhi me arkivën e deklasifikuar, që nxorri fakte tronditëse për Martin Camaj dhe Ernest Koliqin si bashkëpunëtorë të Sigurimit, UDB-së, CIA-s, etj. Nuk di se çfarë do të ndodhte në një të ardhme të largët, sikur të kishim një ndryshim gjeopolitik dhe gjithë këtë gjeneratë politikanësh dhe shtetarësh shqiptarë, që kanë kontaktuar dhe punuar me homologë të huaj dhe institucionin e CIA-s, MI6, Mossad etj, të cilët sipas kësaj arësyeje duhet t’i dënonim si bashkëpunëtorë të të huajve…!? Duke iu referuar mortajës komuniste, si pasojë e së cilës, humbën jetën me miliona njerëz dhe koha dëshmoi që socializmi revolucionar i lindjes ishte një nga tragjeditë më të mëdha të modernitetit, si mund të mendohet, që një intelektual i vërtetë, i mbrujtur me idealizëm, të mos bashkëpunonte kundër diktaturës, me të gjithë aleatët ku ekzistonte demokracia liberale, sikur Anglia, Amerika dhe shumë me shtete të tjera të perëndimit, për rivendosjen e demokracisë në vendin e tij…!? Në qoftë se do të bënte të kundërtën, do të ishte thjeshtë një njeri pa vlera, që vegjeton kur populli i tij vuan nën një regjim despotik. Natyrisht, që inteligjenca nuk jeton në ndonjë planet tjetër dhe vjen në tokë sa herë ne kemi nevojë, duke lëshuar mesazhe futuriste për vdektarët. Sikurse të gjithë shtresat e tjera të shoqërisë edhe ajo është dëshmitare e realitetit ku pasuria më e përbindshme, ndeshet me mjerimin më të tmerrshëm. Përballet me të njëjtat sfida për të mbijetuar dhe askush, nuk ka të drejtë të kërkojë nga inteligjenca, një jetë prej murgu, të mbushur vetëm me sakrificë sublime, larg interesit të saj personal dhe jetës reale. Pra, përpara se të ndërmarrim luftën donkishoteske, kundër inteligjencës, duhet të mbajmë në konsideratë, që në kaosin e krijuar, ajo mbetet e vetmja forcë, që mund të na orientojë për të shkuar drejt një zhvillimi me të ardhme dhe sikur thotë me të drejtë romantiku, Aleksandër Sollzhenicin: “Shpirti i një intelektuali të vërtetë është i ndriçuar së brendshmi. Krejt qënia e tij konsiston në ndjenjën e përgjegjësisë për fatet e njerëzimit, shenjat e jatshme të kësaj gjëndjeje, që siç mund të pritet, janë thellësia, bindja, mosmarrja me gjëra të kota. Ata që nuk arrijnë ta dëgjojnë këtë thirrje dhe megjithatë vazhdojnë e shkruajnë janë tradhëtarë të lidhur me djallin. Kjo thirrje i jep të drejta të posaçme intelektualit, i jep privilegjin për të udhëhequr ata që nuk shohin dritën…” Një shpirt të tillë, të ndriçuar së brendshmi, një intelektual të vërtetë, pata fatin ta shikoj pak ditë më parë, pikërisht në dokumentat e shkruara nga duartë e djajve të sigurimit, që kishin forcën të sterronin të gjithë botën, por që nuk ia kishin dalë dot të përbaltnin personalitetin unikal dhe dinjitetin e pathyeshëm të shkëncëtarit të shquar, Gjovalin Gjadri. Faktet e jetës dhe përndjekja e vazhdueshme prej sigurimit rrëfejnë se, inxhinieri gjenial, ia doli t’i rezistojë mrekullisht Luftës së Dytë Botërore, si dhe të dy regjimeve, ku ai komunist padyshim, që për nga egërsia mund të krahasohet me atë të kmerëve të kuq dhe atë të Koresë së Veriut në ditët e sotme. Sprova, rezistenca dhe inteligjenca e tij në përpjekjet për të ndërtuar vendin është e njëjtë me kalibrin e rilindasve të mëdhenj sikur Konica, Noli, Fishta etj, të cilët qenë aty dhe bënë të pamundurën me përkushtimin dhe fjalën e tyre, për të ndriçuar dhe frymëzuar shqiptarët, sa herë vendi copëtohej e shkërrmoqej dhe harta me trojet e tij lëshohej në tavolinat e kanceleritë e atyre që ndanin botën. Natyrisht, që sfida e tij nuk ishte politika dhe historia, as arti dhe letërsia, por shkenca ekzakte, nëpërmjet së cilës më mirë se kushdo tjetër ai udhëhoqi personalisht të gjithë punën për ndërtimin e më shumë se 75 veprave inxhinierike të ndërtuara në rajone të ndryshme, kryesisht ura, të cilat lidhën shqiptarët, që për qindra vjet qëndronin të veçuar dhe komunikonin me forma mesjetare me njëri-tjetrin. Ai e filloi karierën me Urën e Matit, Lanës, Bunës, Zaranikës, Gjanicës, Mbrostarit, Rrogozhinës, Bahçallëkut, Mokrës, Mifolit, Vjosës Mezhgoranit, Gomsiqes e shumë të tjera. Perandoria Habsburgase i dha atij mundësinë, që të studjojë në Austri, që në moshë të vogël, në shkollën e mesme të Kremsit, nën kujdesin e murgjve të ditur dhe më vonë të diplomohet me rezultate të shkëlqyera si inxhinier ndërtimi në Universitetin Politeknik të Vjenës. Megjithëse i kishte të gjithë mundësitë që të jetonte në Vjenë, atdhedashuria dhe nevoja e madhe, që kishte vendi i tij, në vitet 1926, e bënë të kthehet, për të dhënë kontribut konkret, për ndërtimin e vendit me metodat më të përparuara bashkëkohore. Sapo u kthye i mbrujtur me një kulturë të epërme perëndimore, u ballafaqua me një strukturë pushtetore të bazuar në një kapitalizëm, që nuk ndodhej as në embrionin, ku teknikat dhe mekanizmat moderne ishin të shartuara në trupin e një shoqërie “gjysmëfeudale”, që karakterizohej nga çifligjet e mëdha, rend fetar dhe një kastë ushtarake të përunjur ndaj “rendit epror” Ura e Matit, e cila sot është monument kulture, ishte sprova e tij e parë, që do ta fuste në maratonën e gjatë të ndërtimit të veprave teknike. Megjithëse ai pati një shkeputje prej rreth 5-vitesh në IshBashkimin Sovjetik, i cili kishte nevojë të madhe për specialistë të nivelit të lartë perëndimor, ai u rikthye përsëri në vendin e tij në superstrukturën e Ministrisë Botore të asaj kohe, si Sekretar i Përgjithshëm, duke përqëndruar brenda një kohe të shkurtër, pothuaj të gjithë ngritjen e veprave të vendit në duartë e tij. Lufta e Dytë Botërore, e gjen përsëri aty ku kishte më shumë nevojë se kudo, aty ku ndërtoheshin urat e shëmbura nga pushtuesi dhe sikur do të deklaronte me përgjegjësinë e tij personale, përpara autoriteteve totalitare mbas luftës, në asnjë rast nuk u afrua as me pushtuesin fashist dhe as me atë gjerman. Sikur thotë me shumë drejtë filozofi i preferuar i tij, Emanuel Kant: “Njeriu i përkryer nga kultura është një “difference” një qënie e papërsëritshme, një individ i mëvetësishëm” Duke qënë një individ i tillë me një kulturë të sistemuar, treguesit e demokracisë liberale, ishin shumë më të përparuara se të gjitha ato që impononte fashizmi dhe nazizmi totalitar. Në Angli modernizimi ishte kryer nga liberalizmi i “laisezz-faire”, në Gjermani nga shteti prusian dhe industria e luftës, ndërsa në lindje Stalini e ndërtonte atë me kampe pune, kolektivizim të dhunshëm, internime masive, vrasje dhe shfrytëzim, e shkatërrim barbar të burimeve natyrore. Kjo ishte dhe arësyeja, që sapo ushtria gjermane shkeli në Shqipëri në vitin 1943, ai jep menjëherë dorëheqjen në formë revolte nga pozicioni i Sekretarit të Përgjithshme të Ministrisë së Punëve Botore, duke shkuar për të jetuar në Hajmel, tek daja i tij famulltar, Dom Nikollë Deda. Largimin prej kryeqytetit ai e vendosi për më tepër mbasi kishte informacion që gjenerali SS Josef Fitzthum, me të cilin njihej qysh kur ky i fundit punonte si sekretar në shkollën e arteve të aplikuara “die Angeëandte” në Vjenë dhe që donte ta përfshinte në qeverinë e regjencës së asaj kohe. Ardhja e komunistëve, e gjen duke punuar pa rezerva, për ngritjen e urave të mëdha dhe duke u përplasur me domosdoshmërinë e pashmangshme të regjimit, që elitat e vjetra të shporren, ose të përulen para të rejave, kur Shqipëria ishte e mbushur me pasion barazitist, populist, që më pas u mëkua me luftën e klasave dhe me hakmarrjen makabre karshi humbësve të pushtetit. Elitat e reja administruese zgjidheshin në bazë të besnikërisë partiake dhe të nënshtrimit politik ndërsa për regjimin komunist, intelektualët që mund të mendonin ndryshe nga dogma zyrtare shikoheshin si kërcënim për ngritjen dhe konsolidimin e pushtetit. I vëzhguar rreptë nga shpurra e sigurimit, që e ndiqte sistematikisht, Gjadri u stigmatizua si një njeri pasiv dhe i pangazhuar në jetën shoqërore dhe politike; si indiferent, si armik. Antikonformizmi i tij dhe prirjet ekscentrike, shikoheshin si të mbarsura me marrëzi, sepse në asnjë rast, ai nuk paraqiti pasion politik, por regjimin e shikoi thjeshtë si një punëdhënës, sikur shprehen vetë punonjësit e sigurimit, që e ndiqnin hap pas hapi. Një intelektual i këtij kalibri, e kuptonte mirë që në krye, që marrëzia komuniste, nuk do të ishte diçka e ngulitur përjetësisht në traditën e pashlyeshme të lindjes dhe në vendin e tij, dhe që padyshim herët a vonë nuk do kish të ardhme. Mbas shtypjes së përgjakshme të kryengritjes hungareze të 1956 dhe skizmës kino-sovjetike, që drejtonte më pas, u bë shumë më e vështirë që të qëndronte miti i revolucionit botëror i udhëhequr nga një grusht profetësh xhahilë dhe sikundër kishte ndodhur në perëndim, nga shekulli XVI deri në shekullin XVIII, ku gjithçka kishte filluar me një betejë, që dukej anësore, me luftën për lirinë e shprehjes dhe kundër censurës, po kështu e njëjta gjë do të ndodhte domosdoshmërisht edhe në vendin e tij. Pikërisht për këtë veprimi i tij ishte “qortimi i heshtur” ndaj udhëheqësve të regjimit dhe “turp të kini” ndaj sehirxhinjve të shumicës. Gjithsesi, megjithëse në një atmosferë mbytëse, vetë regjimi nisur nga përkushtimi dhe nga puna e tij maratonë e nderon me Urdhërin e Punës së Klasit të Parë dhe më pas, mbas vitesh pune pedagogjiko-akademike, me titullin profesor. Në kundërshtim me vullnetin e pushtetarëve totalitarë, që e akuzonin për përdorimin e metodave gjermanike dhe jo të atyre sovjetike gjatë aplikimeve teknologjike, por në harmoni me filozofinë e kohës që ishte qënia ajo që përcaktonte ndërgjegjen, për shkak të punës kolosale dhe të përkushtimit, përcaktuese padyshim ishte qënia, ishin urat e tij madhështore, që lidhnin brigjet e Shqipërisë, vendit me liri të vrarë dhe më të paurbanizuar në Europë. Por sfida që intelektuali gjenial i bëri kohës nuk ndalet deri këtu. Po aq e fuqishme sa fantazia e tij teknologjike është dhe pena e tij ala Schopenhauer në përshkrimin plot dhimbje të tragjedisë së humbjes së bashkëshortes, njeriut të dashurisë së tij. Për të gjithë ata që kanë patur mundësinë të lexojnë veprën e tij, “Letra grues seme të vdekun”, shkruar me pseudonim në gjuhën gjermane, “Briefe an meine tote frau”, përkthyer mjeshtërisht, në një perlë gegënishte, nga studjuesi, shkrimtari dhe akademiku Ardian Ndreca, do të prekin atë që e përdorim shpesh në përditshmëri, por për fat të keq po ndodh tepër rrallë dhe që për çudi po i reziston dhe postmodernitetit, atë që quhet dashuri e vërtetë. Një nekrologji trishtimi për humbjen e dashurisë së jetës për të cilën sikundër thotë Eric From :”njerzit që dashurojnë duhet të kenë vendin me të nderuar në shoqëri” por kaosi i shoqërisë ku jetoi nuk ia dha vendin që meritonte deri kur mbylli sytë. Ai jetoi përherë i izoluar me veten e tij, në një “ishull” i rrethuar nga shoqëria e kazermës komuniste, banor i të cilit ishte vetëm ai. Për këtë ai nuk pati asnjë brengë, sepse që i ri kishte lexuar me pasion kryeveprën e shkrimtarit të madh austriak Robert Musil, “Njeriu pa cilësi”, njerëz ndaj të cilëve koha e tregoi që pati përherë imunitet. Andaj tej luftës së shtrigave, nën këtë model intelektual duhet të orientojmë edhe shoqërinë duke, nxjerrë prej radhëve të saj njerzit pa cilësi, pseudointeligjencën dhe hapur rrugën elitës, inteligjencës së vërtetë.

SHKARKO APP