“Gjykatat në Shqipëri ekzistojnë që t’u shërbejnë të korruptuarve”

 

Fjala e Të Ngarkuarit me Punë David Muniz në Takimin e Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri

Shumë nga fjalimet tona në publik janë fokusuar tek shteti ligjor dhe reforma në drejtësi. Sot dua të flas me gjatë për ato tema dhe të flas më në detaj për marrëdhënien kritike mes shtetit ligjor dhe investimit të huaj. Pa një sistem më të mirë drejtësie, Shqipëria do të vazhdojë të përballet me disa sfida serioze në tërheqjen e investimeve dhe rritjen e ekonomisë. Dhe do të përmend disa prej tyre sot.

Tek pyesnim komunitetin e biznesit rreth përvojave të tyre gjatë përgatitjes për këtë fjalim, shumë kompani na thanë se thjesht nuk e marrin më mundimin të shkojnë në gjykatë. Kompanitë amerikane rrallë vijnë tek ne me çështje që kanë të bëjnë me gjykatat sepse politika jonë prej një kohe të gjatë ka qënë të mos përfshiheshim në çështje gjyqësore. Investitorët amerikanë e shmangin sistemin e drejtësisë këtu në Shqipëri sepse kanë humbur besimin tek ai. Kjo nuk është një shenjë aq shpresëdhënëse.

Kostot e kësaj situate janë shumë të larta. Shqipëria humbet miliona dollarë në investime potenciale të huaja çdo vit për shkak të sistemit gjyqësor të dështuar. Vetëm vitin e kaluar ne kemi folur me shumë kompani, një prej të cilave kërkonte të investonte 250 milionë dollarë. Këto kompani kanë zgjedhur të investojnë gjetkë për shkak të frikës se nuk do të mund të kishin gjykim të paanshëm në gjykatat shqiptare.

Kishte një vërejtje në veçanti që ne e dëgjonim gjithë kohën – gjykatat në këtë vend ekzistojnë që t’u shërbejnë të korruptuarve në kurriz të bizneseve të ligjshme. Kjo çon në shumë sfida të tjera.

Një nga këto ishte kostoja e arbitrazhit. Kur investitorët e huaj shmangin sistemin gjyqësor të vendit, ata ose përpiqen t’i zgjidhin mosmarrëveshjet nëpëmrjet arbitrazhit ndërkombëtar ose thjesht pranojnë humbjën dhe shohin përpara. Opsioni i parë është jashtëzakonisht i kushtueshëm. Nëse firmat paramendojnë se se do t’u duhet të marrin asistencë të kushtueshme ligjore për t’i bërë ballë kostove të arbitrazhit, ata mund të mos vazhdojnë me investimin. Opsioni i dytë – ta hedhin pas krahëve e të ecin para – në fakt mund të jetë më i keq për Shqipërinë në vështrimin afatgjatë.  Edhe pse mund të mos ketë çështje gjyqësore, “zhurma” negative nga humbja e një investimi e dëmton reputacionin e Shqipërisë si një destinacion investimi.

Kjo nuk është thjesht një mundësi teorike. Për fat të keq ka ndodhur në disa raste.

Mungesa e mbrojtjes efektive ligjore për investitorët ka një efekt të madh negativ mbi klimën e investimit në Shqipëri. Ka një kërkesë të madhe të mbetur pezull për të investuar në këtë vend. Të gjithë e dinë këtë. Ju mund ta zhbllokoni këtë kërkesë duke ofruar procedura gjyqësore të drejta dhe efikase që u shërbejnë të gjitha interesave në mënyrë të paanshme.

Një tjetër çështje që ka ardhur në vëmendjen tonë është mbledhja e borxheve. Aktorë të korruptuar shpesh përdorin sistemin gjyqësor për të shmangur pagimin e borxheve të tyre. Një kompani amerikane me të cilën kemi folur kohët e fundit ka pesë klientë të cilët thjesht refuzojnë të paguajnë për shërbimet. Pavarësisht faktit që ka kontrata ta qarta, kompanitë kanë korruptuar gjykatës e prokurorë për të shmangur detyrimin për të bërë këto pagesa. Nga këto pesë çështje që kompania ka çuar në gjykatë, ka humbur dy dhe tre të tjerat janë vonuar për shumë vite. Investitorët amerikanë pas kësaj kompanie kanë anuluar planet për të zgjeruar investimet në Shqipëri bazuar në trajtimin e tyre nga gjykatat.

Një tjetër çështje është mungesa e konseguencës. Në një sistem gjyqësor të dobishëm kompanitë në përgjithësi e dinë nëse çështja e tyre është e dobët apo e fortë dhe planifikojnë në bazë të kësaj. Në Shqipëri, pikat e forta të çështjeve shpesh nuk kanë rëndësi. Kompanitë nuk e kanë idenë se si do të trajtohet çështja e tyre apo sa gjatë do të duhet që të zgjidhet. Një kompani amerikane i ndodhi që një gjykatës të përmbyste një vendim të disa ditëve më parë të nxjerrë nga i njëjti gjykatës. Kjo mungesë parashikueshmërie, profesionalizmi, dhe transparence, e bën të pamundur për kompanitë amerikane që të bëjnë plane për investimet e tyre. Edhe kjo kompani është larguar nga tregu shqiptar.

Një anëtar i personelit tonë së fundmi hëngri darkë më një avokat i cili kishte patur një karrierë të shquar në një firmë të madhe ligjore në Amerikë. Tani ai jeton në Shqipëri dhe është partneri kryesor në firmën e tij. Ai merret me transaksionet tregëtare – kontrata, mosmarrëveshje biznesi, etj. Ky avokat na tha se nuk do t’i përfaqësojë klientët e tij në gjykatat shqiptare sepse nuk mund t’i shohë ata në sy dhe t’u premtojë që drejtësia do të mbizotërojë në gjykatat shqiptare, pavarësisht se sa e qartë kontrata dhe se sa i lënduar mund të jetë klienti i tij.

Ka shumë shqiptaro-amerikanë të shquar të cilët do të donin të investonin këtu. Shpesh marrim lajme nga ata. Shpesh gjithshtu dëgjojmë nga ata se nuk mund ta bëjnë këtë për shkak të problemeve me sistemin e drejtësisë. Kjo është vërtet fatkeqe. Këta anëtarë të diasporës përfaqësojnë një lidhje të çmuar midis Shqipërisë dhe mundësisë së investimeve ndërkombëtare, dhe mund të ndihmonin në sjelljen e më shumë investitorëve siç kanë bërë në shumë vende të tjera. Shumë prej tyre megjithatë kanë patur eksperienca të këqija dhe secila prej tyre është një mundësi e humbur.

Kur ne diskutojmë mungesën e konseguencës në sistemin gjyqësor ka dhe një çështje të veçantë që meriton të përmendet. Ky është problemi i mirënjohur i pronave. Kam më pak se një vit në Shqipëri por unë personalisht kam dëgjuar shumë histori nga shqiptarët rreth përvojave të tyre me sistemin gjyqësor me çështjet e pronave.

Një rast për të cilin kam dijeni, një familjeje iu kthye një copë tokë por deri tani, pas 20 vjeteve, nuk kanë qënë në gjendje të realizojnë marrjen në pronësi. Të tjerë pretendues dolën dhe i bindën gjykatësit t’ua jepnin atyre tokën. Ky është një problem i njohur. Ajo që është shumë domethënëse në këto raste është që shpesh nuk ka asnjë lloj transparence gjatë procesit në gjykatë. Pretendentët e rinj takohen privatisht me gjykatësit dhe pronarët e vërtetë nuk kanë as mundësinë të kontestojnë pretendimet që bëhen apo dhe ta dinë se kush janë pretendentët. Vite më vonë çështja nuk ka përfunduar dhe përfundimi i mundshëm nuk është i qartë. Në raste të tilla të caktuara ka më shumë se nje pretendent me pretendimetë njëjta. Procedurat gjyqësore nuk ndiqen, duke dhënë përshtypjen se rregullat përcaktohen nga oferta më e lartë.

Ky kaos rreth çësthjeve të pronave shpesh citohet nga investitorët si një tjetër mënyrë se si sistemi i drejtësisë po shkurajon investimet.

Ne e kuptojmë që qeveria po përpiqet të punojë për të korrigjuar shumë nga këto çështje. Në veçanti e dimë që Ministria e Drejtësisë dhe të tjerë janë duke u përpjekur të zgjidhin pretendimet për prona. Nuk do të komentoj në zgjidhjet specifike që po diskutohen, por do të nxisja që kjo të zgjidhet shpejt dhe me qartësi. Vendimet duhet të merren duke u bazuar tek shteti ligjor, jo tek oferta më e lartë. Vendimet duhen marrë në lidhje me dokumentacionin dhe titujt e pronësisë, për të përcaktuar çfarë është dhe çfarë nuk është pretendim i ligjshëm.

Atëherë, edhe pse kam qënë mjaft i sinqertë sot gjatë fjalës sime, do të doja ta mbyllja me një fjalë inkurajuese për klimën e biznesit në Shqipëri dhe për reputacionin e Shqipërisë. Problemet që janë krijuar mund të zhbëhen. Perceptimet mund të ndryshojnë, dhe në fakt ndryshojnë. Nëse vëzhgon tregjet e reja më tëheqëse për investimet sot, do të shohësh vende që askush nuk ia hidhte sytë vetëm pak vite më parë. Shqipëria është në një pozicion të mirë për t’u bërë tërheqëse kryesore e investimeve në këtë rajon. Javën e kaluar pata privilegjin të bëhesha bashkë me Guvernatorin Sejko dhe shumë diplomatë të lartë për të diskutuar sfidat me të cilat përballet ekonomia dhe klima e investimeve në Shqipëri. Siç e vuri në dukje Guvernatori, pavarësisht sfidave ka shumë pika të shndritshme – një sistem bankar likuid dhe i mirëkapitalizuar, disa përpjekje reformash duke u kryer, dhe potencial të jashtëzakonshëm për rritje në një numër fushash.

Në të njëjtën mënyrë, kemi parë qeverinë të ndërmarrë reforma të vështira por të nevojshme të sistemit të energjisë dhe tani të sistemit të taksave. Përpjekja e dytë është kritikuar por vazhdon të përparojë, dhe suksesi në këtë fushë është i nevojshëm jo vetëm për ta formalizuar ekonominë por gjithashtu edhe për të tërhequr investitorë.

Sidoqoftë, reforma në drejtësi mbetet reforma më kritike për përmirësimin e klimës së investimeve. Një klimë e mirë, mundësi të forta në bujqësi, potencial për turizëm, dhe madje dhe infrastruktura e përmirësuar, janë të gjitha të nevojshme, por një sistem drejtësie që funksionon mirë është i domosdoshëm për rregullimin e atyre lloj problemeve që përshkrova më sipër.

Duke miratur paketën e gjerë të mbështetur nga Komisioni i Venecias, Shqipëria do të dërgojë një sinjal shumë të fortë, jo vetëm tek BE-ja, jo vetëm tek rajoni, jo vetëm tek SHBA, por tek të gjithë investitorët e huaj.

Shumë nga të njëjtat biznese që na kanë treguar për sfidat që sapo ju përshkrova gjithashtu na thanë se ishin të bindur që reforma në drejtësi – e miratuar plotësisht dhe në mënyrën e duhur – do të ishte mënyra më e mirë për të ndryshuar imazhin e Shqipërisë para investitorëve.

Dihet mirë se jemi në një fazë vendimtare të procesit të reformës. Komisioni i Venecias ka folur dhe Komisioni i posaçëm po merret me legjislacionin. Kjo reformë është kritike dhe drafti i tanishëm është bërë bashkë nga shumë ekspertë përgjatë shumë muajsh. I them Parlamentit, që është koha e duhur për ta përfunduar këtë reformë. Megjithëse ka negociata që do të duhet të kryhen para se drafti përfundimtar të shkruhet dhe të votohet, është shumë vonë për ndryshime thelbësore në pjesë të rëndësishme të reformës. Le të ecim përpara dhe ta përfundojmë punën. Nuk ka mbetur kohë për vonesa dhe debate të pafundme.

SHKARKO APP