Gramoz Ruçi: Kuvendi ka vetëm baltosje
Nga Gramoz Ruçi
Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi sot në Kuvend:
Unë e kisha regjistruar fjalën për të folur në fund të këtij projektligji që po diskutohej por e mora tani për një arsye duke ndjekur debatin. Ndoshta jam nga deputetët në këtë sallë që në këtë legjislaturë kam folur më pak nga të gjithë ju që jeni këtu. A e dini pse? Vetëm për një arsye. Duke ndjekur të gjithë seancat kam medituar me veten duke dëgjuar të gjithë kolegët dhe kam shtruar pyetjen, mirë këta po ç ’thonë ata që na kanë sjell këtu për ne? Duke na dëgjuar ne në këtë sallë dhe jam munduar që kësaj pyetje t’i jepja përgjigje. Sigurisht, do të isha shumë subjektiv, nuk do të isha realist në qoftë se do të jepja përgjigje unë.
Por këto ditë edhe mazhoranca edhe minoranca kanë në dorë një dokument. Është një dokument ose një raport nga një fokus grup, që bën çdo vit Instituti Amerikan. Midis rubrikave të tjera ka dhe një rubrikë për parlamentin dhe për ne për parlamentarët. Meraku që unë kisha se çfarë thonë njerëzit për ne, e gjej më së miri pikërisht tek ky fokus grup që ka bërë një institucion i pavarur dhe që ka dhënë një kontribut të çmuar për demokracinë në Shqipëri për 25 vite. A e dini se cili është konkluzioni i parë për parlamentin? Më shumë baltosje, konkluzioni i parë dhe këtu citoj këtë dokument, sesa debat. A e dini se kush është konkluzioni? Pjesëmarrësit në fokus grup, pavarësisht gjinisë, pavarësisht grup moshave shprehin një interes shumë të ulët për të ndjekur diskutimet parlamentare për arsye të mungesës së kulturës në debat, thonë konkluzionet, midis anëtarëve të parlamentit si dhe ndjesisë së përgjithshme zhgënjimi nga politika, nga politikanët, janë arsyet thelbësore të këtij interesi të ulët.
Po citoj sipas raportit disa deklarues në të pesë qarqet është zhvilluar fokus grup, nga Shkodra, Tirana, Korça dhe Fieri. Një femër në Shkodër thotë , ”dikur isha e interesuar dhe i ndiqja diskutimet në parlament por tani më ka ardhur në majë të hundës me ta. Sherr shikoj vetëm”. Një mashkull përsëri në Shkodër citoj, “nuk kam ndonjë interes për parlamentin të them të drejtën, nuk interesohem sepse shumë rrallë bëjnë ndonjë gjë për ne”. Ç ‘thotë një femër në Tiranë: “ Nuk i ndjek diskutimet në parlament sepse gjithçka është bërë shumë e mërzitshme, vetëm për njëri- tjetrin flasin”.
Ç ‘thotë një mashkull tjetër në Shkodër: “ Pjesën më të madhe të kohës ata zihen në vend që të merren me problemet e popullit”. Ç ‘thotë një femër në Korçë: ”Deputetët duhet të jenë më me etik në komunikim dhe të pranojnë gabimet e tyre”. Ç ‘thotë një femër tjetër përsëri në Korçë: “ Ata, deputetët, gjithmonë zihen me njëri-tjetrin, është turp t’i dëgjosh”. Ç ‘thotë një femër në Tiranë: “ Deputetët merren me njëri-tjetrin deri në pikën ku nuk bashkëpunojnë më për të mirën e popullit, e vetmja gjë që bëjnë është të flasin për familjen e njëri-tjetrit. Gjë për të cilën ne nuk jemi aspak të interesuar t’i dëgjojmë”. Ç ‘thotë një femër në Elbasan: “Problemi është se jo të gjithë janë të qartë me lidhjet ku mund të kërkojnë informacion për parlamentin, shumica nuk jemi të informuar e as të interesuar”.
Konkluzioni i dytë i këtij fokus grupi: Mungesë kontakti i deputetëve me votuesit! Çfarë problemesh, shtrohet pyetja, keni për deputetët? Një mashkull në Elbasan thotë: “Ai, ajo duhet të mbajnë kontaktin me elektoratin e vetë”. Një mashkull në Tiranë, citoj, “ Nuk e di ku janë zyrat e deputetëve të zonës sime që të shkojë e të ankohem aty”. Një femër në Elbasan: “Deputetët shfaqen vetëm gjatë fushatës, marrin votat dhe pastaj nuk i shohim më”. Një femër në Shkodër, “Me deputetët është e vështirë, e pamundur t’i takosh”. Një femër në Elbasan: “Deputetët të japin numrin e telefonit por nëse i merr asnjëherë nuk të përgjigjen. Duhet të vinë e të mbajnë kontakt me elektoratin e tyre por ata asnjëherë nuk shfaqen për të folur e për të komunikuar me ta”. Një femër në Shkodër: “ Është shumë e vështirë t’i takosh deputetët, kjo ndodh vetëm në fushatë”. Një mashkull në Korçë: “ I takojmë deputetët vetëm gjatë fushatës zgjedhore “. Një femër në Fier: “ Sipas mendimit tim, vetëm njerëzit e duhur duhet të jenë në parlament, nuk më pëlqen mënyra sesi përzgjidhen deputetët”. E kështu mund të vazhdoj më gjatë me konkluzionet e këtij raporti prej të cilit marrim përgjigje të gjithë ne që jemi këtu se ç ’thonë njerëzit për ne.
Të vijmë tek projektligji që po diskutojmë.
Kolegë të dashur, po diskutojmë një projektligj të një rëndësie të veçantë për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut. Sigurisht që nisi diskutimi dhe vetëm për këtë nuk po flitet. Kolegë të opozitës, me debatet parlamentare që keni zhvilluar, parlamenti është vendi i fjalës Halim dhe fjalën si asnjëherë tjetër në këto 25 vjet opozita në këtë legjislaturë e ka pasur me bollëk. Pra nuk ka pasur një rast të dytë që fjala e opozitës të jetë një herë e gjysëm në kohë, më shumë sesa e mazhorancës. Kur ndërkohë duhet të jetë e kundërta e përqindjeve që kemi. Mirëpo nga ato të thoni, që deklamoni këtu në sallën e parlamentit, unë shtroj pyetjen:
Ka apo nuk ka opozita parlamentare alternativë? Ka apo nuk ka opozita parlamentare kauz të sajën?
U bë disa muaj rresht një debat i gjerë, i plotë, i gjithanshëm për reformën administrativo -territoriale. Asnjë fjalë, vetëm “ nuk marrim pjesë”, vetëm “ jemi kundra”. Kjo ishte kauza dhe alternativa e opozitës.
U bë reforma për pensionet dhe natyrshëm një reformë e tillë në çdo vend demokratik duhet të kishte një debat ku dhe foshnja në barkun e nënës duhet të lëvizte se dhe ai një ditë do të dalë në pension. E një reformë e pensioneve ngre apo rrëzon një qeveri, apo sjell opozitën në pushtet. Asnjë fjalë! E dëgjova ish kryeministrin një ditë që tha në fjalën e tij këtu, çfarë reformë pensionesh keni bërë ju, unë këtu e kam pasur dhe se kam miratuar! Po mirë, si ti them unë asaj shtëpiakes në qytetin e Fierit e cila nuk kishte punuar tërë jetën dhe sipas ligjit të vjetër nuk merrte asnjë qindarkë, ligjit të vjetër të pensioneve. Kurse sipas këtij ligji të ri merr 67-68 mijë lekë. Pra përballon minimumin, paguan energjinë elektrike, paguan ujin dhe blen dhe ndonjë ilaç.
E dyta, çfarë ti them unë atij elektriçisti, që në qoftë se do të dilte në pension para hyrjes në fuqi të këtij ligji, merrte 45 mijë lekë më pak. Fati i tij që u bë ky ligj dhe kjo reformë dhe plotësoi moshën në këtë kohë për të dalë në pension. Gjë që do të thotë përballon si pensionist faturën e energjisë elektrike, faturën e ujit, merr dhe ndonjë ilaç. Çfarë ti them unë një inxhinieri të naftës, që në qoftë se do kishte dal me ligjin e vjetër merrte 100 mijë lekë më pak. Fati i tij që doli në këtë kohë dhe që ky parlament dhe kjo mazhorancë bëri të mundur që pensioni i tij të shtohej me 100 mijë lekë. Ky inxhinier tha që po ta mbledhësh në vit këtë 100 mijë lekë, i thonë 1 milionë e 200 mijë lekë. Pra për atë është shumë, se përballon dritat, përballon uji, përballon dhe ilaçet me këtë shtesë. E kështu mund të vazhdoja gjatë.
Po bëhet një reformë e gjithanshme për arsimin. Veç kundërshtisë pa asnjë argument, pa asnjë pjesëmarrje në debat, keni ju ndonjë alternativë për këtë sektor? Të njëjtën gjë do të thosha për shëndetësinë, të njëjtën gjë do të thosha për reformën që është bërë në polici, të njëjtën gjë do të thoja për reformën që po bëhet në drejtësi. Gjithë këto tavolina, dy vetëm dje, s’janë tonat, por janë për një problem që nuk ka shqiptarë që të mos ketë vërejtje për këtë sektorë. Kolegë të opozitës për të gjitha këto që thashë më lart dhe të gjitha të tjerat, nuk jeni një hap pas por jeni kilometra të tëra. Qytetarët shqiptarë ju kanë dhënë një votë që ju të jeni zëri i tyre, fjala e tyre dhe alternativa e tyre. Të jeni monitorues të qeverisë. Ku jeni? Vetëm vini shani, mallkoni, nxini. Ky është roli juaj? U bë reforma në energjetikë, ku është kontributi juaj? Të njëjtën gjë do thosha nëse do të vazhdoja edhe me sektorë të tjerë.
Kolegë, me reformën e re territoriale do të administrohet edhe demokrati edhe socialisti. Në pension do dali edhe demokrati edhe socialisti. Në arsim vete edhe familja i demokratit edhe i socialistit. Në spital e njëjta gjë. Për sigurinë, të dy e kanë të shenjtë jetën. Për drejtësinë, të dyja palët venë njësoj. Energjinë elektrike të gjithë e konsumojnë njësoj dhe e kanë të domosdoshme.
Çfarë mungon? Mungon kauza, mungon alternativa juaj. Mund të ishin bërë më mirë të gjitha këto që unë thashë, nëse ju do të kishit alternativë, në qoftë se do të ishit pjesëmarrës. Po ju nuk jeni.
Në këtë sallë të parlamentit jam ngritur disa herë vetëm e vetëm që ju të na krijoni mundësitë, që ne opozita e djeshme, të përdornim instrumentet parlamentare. Ju s’na lejonit. Keni një vit e gjysmë këtu dhe këtu është këndi i fjalës. Në çdo të enjte keni gjysëm ore për të folur për komunitetin që përfaqësojmë, më thoni një diskutant që e ka marrë fjalën për të folur për hallet, për diskutimet e atyre që përfaqësoni. Asnjë! Asnjë! Shikoni procesverbalet ku flitet për hallet e komunitetit. Parlamenti është vendi i ligjeve. Asnjë projektligj të votuar nga të gjitha këto që thashë më lartë. Asnjë! Parlamenti është vendi i kontrollit. Më thoni, kush nga ju ka bërë një seancë pyetjesh me qeverinë? Kush nga ju ka bërë një interpelancë me qeverinë? Kush nga ju ka bërë një mocion për qeverinë? Kush nga ju ka bërë një mocion me debat me qeverinë? Kush nga ju ka bërë një mocion mosbesimi për organet e zgjedhura? Por edhe një mocion që bëtë e firmosët në darkë dhe e mohuat në mëngjes. Si nuk ju vjen rëndë për firmat që hodhët! Si nuk jeni seriozë! Bëtë mocion mosbesimi, hajdeni. Doni të zhvilloni debat me kryeministrin, thirreni. Keni vërejtje për këta ministra të qeverisë, thirrini të gjithë me radhë.
Kolegë të nderuar,
Ju jeni indipendentë në ato që thoni. Ama një gjë do j’ua u thosha. Qytetarët ju kanë votuar për politikë dhe për politikanë, jo për gazetarë dhe hartimet që shkruani në parlament. Qytetarët ju kanë votuar jo për mllefet dhe inatet, por ju kanë votuar që të jeni sa më konstruktiv dhe sa më luajal që ata të rikthehen tek ju për tu votuar. Qytetarët ju kanë votuar që t’ju provojnë se ç’vizion ofroni, se ç’alternativë ofroni dhe jo pêr sherrxhinj. Ja pse kur flasim për liritë dhe të drejtat e njeriut ato janë thelbësore në të gjitha këto fusha që unë fola. Prandaj ju lutem shumë, duke marrë shkas nga të gjitha konkluzionet që Instituti Demokratik Amerikan na ka dhënë si një pasqyrim se ç’mendojnë votuesit tanë për ne, të zgjedhurit e tyre, ka nevojë të reflektojmë të gjithë. Që nga unë!