Greqia: Kronika e krizës
Llogaritet që, nga fillimi i krizës, çdo ditë 700-1000 grekë kanë humbur vendin e punës, me subvencionet për papunësinë që garantojnë vetëm një vit, dhe shtrëngimin e huave që i nxjerrin nga shtëpitë. Jashtë pallateve të pushtetit, në rrugët ku varfëria është tashmë e pranishme kudo, vullnetarë të veshur me të zeza shpërndajnë ushqime dhe slogane kundër Europës dhe emigrantëve. Në vitin 2012, partia neonaziste Agimi i Artë hyn në Parlament. Votohet dy herë. Në maj nuk ka shumicë, në qershor Antonis Samaras (Demokracia e Re) bën aleancë me PASOK-un dhe bëhet kryeministër. Rritët, dalëngadalë, ylli i Syrizës
Fotograma e parë është një kartolinë pranvere, me në sfond detin e kaltër, qiellin e kthjellët, shtëpitë shumëngjyrëshe të Kastellorizos, një ishull i vockël disa kilometra larg nga brigjet turke, që në censusin e fundit numëronte 200 banorë. Është 23 prilli 2010, Kryeministri grek, George Papandreou shpall që deficiti i buxhetit është jashtë kontrolli, parashikimet ishin të gabuar, vendi po shkon drejt një krize të paprecedentë. Pjesa tjetër dihet…
Papandreou udhëheq PASOK-un, partinë socialiste që, në Greqinë e cila u mbijetoi luftërave civile dhe diktaturave, ndan prej dekadash pushtetin me konservatorët e Demokracisë së Re. Gjashtë muaj më herët, ekipi qeverisës ka rishikuar ngritjen e vlerësimit për deficitin, duke e çuar nga 6.7 në 12.7% të GDP. Llogaritjet e Eurostatit janë edhe më pesimiste. “Është provuar ndonjë manovër për të bërë korrigjime, – thotë Papandreou, – por nuk dimë më çfarë të bëjmë, dhe e vetmja rrugë është t’i kërkojmë ndihmë Europës dhe Fondit Monetar”.
Nis kështu një provë ndërgjegje kolektive, mbi një sistem të ngritur mbi komisione mes publikut dhe privatit, tangente dhe bilance të fryra. Grekët kuptojnë se për vite të tëra kanë jetuar mbi mundësitë e tyre, bashkëfajtorë të një klase drejtuese, e cila ka qenë më e angazhuar për të shpërndarë favore, se sa për të konsoliduar një ekonomi shumë të brishtë, pa baza industriale, e shtyrë përpara nga turizmi dhe shërbimet terciarë.
Një dehje kjo, e simbolizuar mbi të gjitha tek Olimpiada e Athinë 2004, më e kushtueshmja e të gjitha kohërave (9 miliardë euro), e cila u organizua nga qeveria e djathtë e Kostas Karamanlis, e akuzuar se kish falsifikuar për një kohë të gjatë bilancet, me qëllim që të përmbushte kriteret e Mastrihtit. Pa shkaktuar alarme në Europë.
Në fillim erdhën shkurtimet në shpenzimet publike, paga dhe vende pune. Dhe nisën trazirat e para. Në mars, greva e tretë e përgjithshme brohoret nisjen e programit të shpëtimit prej 110 miliardë eurosh, për tre vjet. Në skenë futet “trojka” e kredidhënësve: Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane, Fondi Monetar Ndërkombëtar. Inspektime ministrish, direktiva nga Brukseli, rregullime nga Uashingtoni.
Nis drama e fundit të dinastive politike që konsumohet në një Parlament të rrethuar, i cili miraton plane kursimi, ndërkohë që grekët zbresin në sheshe. Në korrik 2011, plani i dytë i shpëtimit parashikon ndihma në vlerën 109 miliardë euro dhe shkurtim me 20% të borxhit.
Papandreou pret vjeshtën dhe trondit Europën, kur paralajmëron një referendum popullor mbi ristrukturimin e borxhit, që rrezikon të hedhë gjithçka në erë. Presionet e jashtme janë shumë të forta. Vërshojnë telefonatat me Nicolas Sarkozy-në në Paris dhe Angela Merkelin në Berlin. Në fund referendumi anulohet, qeveria bie dhe ish- zëvendëspresidenti i Bankës Qendrore Europiane, Lucas Papademos merr timonin e një koalicioni të përbërë nga PASOK-u, Demokracia e Re dhe e djathta ekstreme e Laos. Nisin privatizimet dhe hapja e tregut energjetik për investimet e huaja: ulet sërish paga minimale, shpenzimet për pagesat sociale, mbrojtjen dhe shëndetësinë. Llogaritet që, nga fillimi i krizës, çdo ditë 700-1000 grekë kanë humbur vendin e punës, me subvencionet për papunësinë që garantojnë vetëm një vit, dhe shtrëngimin e huave që i nxjerrin nga shtëpitë. Jashtë pallateve të pushtetit, në rrugët ku varfëria është tashmë e pranishme kudo, vullnetarë të veshur me të zeza shpërndajnë ushqime dhe slogane kundër Europës dhe emigrantëve. Në vitin 2012, partia neonaziste Agimi i Artë hyn në Parlament. Votohet dy herë. Në maj nuk ka shumicë, në qershor Antonis Samaras (Demokracia e Re) bën aleancë me PASOK-un dhe bëhet kryeministër. Rritët, dalëngadalë, ylli i Syrizës.
Në pesë vjet, papunësia ka arritur 28%, ajo mes të rinjve 60%; të ardhurat mesatare kanë rënë me 40%. Borxhi publik ka kaluar nga 124% në 180% të GDP. Nga pothuaj 11 milionë banorë, 2.5 jetojnë nën kufirin e varfërisë dhe 3.8 milionë të tjerë janë në rrezik. Në 25 janar, Alexis Tsiprasi solli Syriza-n në pushtet me 36.3% të votave dhe një siguri: në Greqi, programi i kursimit ka dështuar.
*Corriere della Sera. Në shqip nga bota.al