Greqia, ringjallja e së shkuarës
“Shqipëria do të vijojë me problemet e saj dhe ne jemi të ndërgjegjshëm prej politikës sonë të dobët, por nuk mund t’i mohohet se për më shumë se dy dekada, po i kërkon Greqisë që të gjykojnë sëbashku për heqjen e një Ligji absurd Lufte, ashtu si i kërkon inicimin e përbashkët të një zgjidhje për problemin çam”…
Nga Ben Andoni
Është e disa-ta-herë në tre dekadat e fundit që Greqia shkarkon arrogancën e saj ndaj shqiptarëve. Megjithëse jemi nën një çati interesash evropiane, mbrohemi nga i njëjti sistem prej NATO-s, grekët na kujtojnë në formë kërcënimi për ato që fatkeqësisht na mungojnë. Është e vërtetë që Shqipëria e ka disa herë më pak GDP-në, është e vërtetë se ata kanë sisteme më të komplikuara armatimesh, është e vërtetë se jemi të varur ekonomikisht, por aman kjo nuk e lejon një vend që të shprehë kaq në mënyrë arrogante supremacinë e saj ndaj një shteti tjetër.
Kriza greke e vitit 2008, ndryshe nga çfarë mendon Athina, nuk është se i gëzoi aq shumë shqiptarët, pasi pragmatikisht, ata kanë qenë të varur prej saj dhe e kanë vuajtur në kurriz. Shqiptarët i janë mirënjohës Greqisë për ata qindra-mijëra bashkëqytetarë të cilët kanë ndërtuar jetën në shtetin e tyre. Porse anomalitë e radhës së ditëve të sotme të rrafshit politik, po e tregojnë se kriza e marrëdhënieve tona është në thellësi. Paradoksalisht kjo e zhvleftëson krejtësisht mesazhin e kryetarit të Kuvendit shqiptar pas vizitës atje, ashtu si edhe vizitat e qeveritarëve grekë në vendin tonë. Ajo i shtohet krizës së mbartur të paktit detar, që tashmë ka sjellë në skakierën e mosmarrëveshjeve politike edhe Turqinë, por edhe deklaratave për një të ardhme të mirë mes vendeve tona.
Anipse është e turpshme që Greqia të shfrytëzojë arrogancën, kur asaj i tregohet realisht se ka një problem me shqiptarët e Çamërisë, tashmë artikuluar edhe nga Brukseli, për të cilin ekziston mundësia ta zgjidhë brenda kornizave ndërkombëtare të së drejtës, ka një problem me mbajtjen e një Ligji Lufte që është krejt paradoksal dhe mbi të gjitha ajo vetë ka sot një krizë identiteti. Kjo e fundit e bën të pambrojtur fillimisht nga vetja e saj, që do të thotë se vendi, paraardhësit e të cilit, i kanë falur konceptet e demokracisë qytetërimit të sotëm, nuk di të menaxhojë asetet e saj më të vyera.
Shqipëria do të vijojë me problemet e saj dhe ne jemi të ndërgjegjshëm prej politikës sonë të dobët, por nuk mund t’i mohohet se për më shumë se dy dekada, po i kërkon Greqisë që të gjykojnë sëbashku për heqjen e një Ligji absurd Lufte, ashtu si i kërkon inicimin e përbashkët të një zgjidhje për problemin çam, që do të lirojë pafundësisht politikën e përbashkët, por do të shërbejë edhe si një fytyrë e re e Greqisë, që nuk e respekton asfare problemin e minoriteteve.
Në histori nuk duhet harruar se Shqipëria është kërcënuar vazhdimisht nga Greqia, deri me aneksim, kurse në Konferencën e Paqes, edhe pse e drobitur si ishte nga lufta, nga fqinja e saj u luftua si bashkëpunëtore e fashizmit, paçka se shqiptarët i dhanë Luftës së Dytë Botërore aq sa mundën, duke kontribuar deri në çlirimin e fqinjëve veriorë.
Pa përsëritur të shkuarën, deklarata e fundit e z. Kotzias na bën të mendojmë se grekët thjesht ndërrojnë qeveritë por jo mentalitetin dhe fobinë ndaj shqiptarëve. Element për të cilin duhet të ndryshojë së pari politika jonë e butë ndaj tyre, e cila harron incidentet e vazhdueshme, që duket se nuk janë të rastësishme, fatkeqësisht, por pjesë e një mendimi që shqiptarët i konsideron jo aq miq, saç pretendojnë zyrtarët e dy vendeve tona. (Javanews)