Grida Duma, historia e patreguar e 37 vjeçares(video)
Sa herë që Grida Duma shfaqet në publik dhe debate televizive, me siguri që shumë njerëz pyesin veten: Cfarë kërkon vallë një femër elegante dhe plot shkëlqim si ajo, në një mjedis politik shqiptar që i përngjan një mocaliste të ndotur me akuza dhe përbaltje? Por 37-vjeçarja nga Durrësi zgjodhi ta sfidonte këtë realitet plitik, duke u bërë pjesë e debateve publike. Pedagogia e Universitetit Europian të Tiranës, u emërua fillimisht si zëvendësministre e Integrimit në kohën e qeverisë “Berisha”. Pas humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit, Grida u zgjodh Sekretare e Marrëdhënieve me Publikun në PD-në me kryetar Lulzim Bashën. Sot asaj i është besuar një sfidë e madhe: T’i kthejë qytetin e saj të lindjes Partisë Demokratike pas një qeverisje disa-vjeçare nga Vangjush Dako. Grida Duma u zyrtarizua sot si kandidatura e PD-së për Durrësin.
Qysh prej kohës kur Grida u emërua si zëvendësministre, ne e kemi parë atë në shumë debate televizive. Performanca e saj gati-gati të kujton atë shprehjen e famshme të Ibsen, i cili thoshte se “ka nga ata njerëz që urrehen, dhe nga ata njerëz të cilët edhe nëse nuk duhen sidoqoftë duhen dëgjuar”. Me siguri ky është rasti i Grida Dumës. Por përtej politikës dhe angazhimit të saj publik, Duma ka edhe jetën familjare. Bashkëshorti, Iliri, ka qenë ish-pedagogu i saj me të cilën ajo sot ndan jetën. Së bashku kanë edhe një djalë 11 vjec. Bashkëshorti i Gridës e ka parë gjithnjë me skepticizëm ambicien e saj për t’u bërë pjesë e politikës shqiptare, por falë këmbënguljes Grida ka arritur ta bindë edhe atë. Përveç përkushtimit për bashkëshortin dhe djalin, dy motrat dhe prindërit janë dobësia tjetër e Gridës. Ata që e njohin Gridën që në adoleshencë, veçojnë guximin dhe ambicien e saj si dy elementë që e dallonin nga të tjerët. Grida Duma është lindur dhe rritur në një familje tradicionale durrsake.
Me kostumin e opozitares, Grida Duma ofroi para pak kohësh një model të vetin mbi mënyrën e politik-bërjes, duke publikuar një libër me 12 tezat e saj liberale, libër të cilin ia dedikoi të birit. Sa herë Grida shfaqet në ekran, nuk do shumë për të kuptuar që ajo është ndër të tjera edhe një femër e bukur, bukuri e cila jo gjithmonë luan në favor të kauzës së saj. E bindur se pavarësisht limiteve që ka vendi jonë ajo e di që ka arritur aq sa për t’u konsideruar nga kolegët si një model suksesi, ku dikush nën zë e dikush duke pohuar e di se ajo edhe nëse nuk u ka rrëmbyer zemrat, në rastin më të pakët u ka rrëmbyer skenën.
Sot rikthehet sërish në qytetin e saj të lindjes, qyteti ku ajo shpalosi të gjitha ambiciet dhe pa t’i realizoheshin ëndrrat e hershme. Por a do t’i realizohet ëndrra apo më mirë të themi objektivi për të qenë kryebashkiake e Durrësit?! Kjo mbetet për t’u parë pas 21 qershorit, ditë kur bashkëqytetarët e saj do të vendosin me votë të lirë(lapsi)