Grua do të vras

 

Nga Ilir Levonja

Nisur nga ngjarja e fundit në Fier. Por edhe nga shumë të tilla. Përfshi edhe ato raportimet kontraverse që vinë nganjëherë si bujë e madhe. Që iks grua u denoncua nga i shoqi për dhunë etj. Apo burri denoncon gruan që e rreh se pi. Me një fjalë vjen i pirë. Dhe bën ato që në zanatin e pijanecit quhen llogje, llum, sharje, llapje goje, qaravitje, nevrikllëk, thyerje pjatash etj. Ka në të vërtet një trajtim dy pamjesh. E para si sensacion, që si është e mundur kjo apo ajo grua të rrahi, denoncojë burrin? Dhe për më tepër me humor, aq sa pjesa dërrmuese e shoqërisë kënaqen duke u shfryrë, duke thënë që, ama burrë qënka ky? Burrë muti. Burrë koti. Të isha unë ia këpusja kokën. Ndërkohë që ka edhe gra që nuk ngurojnë ta quajnë kurvë apo rrospie rrugësh, për faktin e thjesht se i mori erzin burrit të saj. Nxorri në treg hallet apo problemet e shtëpisë. Pak rëndësi ka se i ka vajtur në majë të hundës. I ka mbaruar durimi. Dhe nuk ka çudi që kjo grua të jetë kandidate e shkëlqyer e një spitali psiqik etj. Pra në përgjithësi trajtohet me humor dhe debate sharjesh të forta mes njëri-tjetrit. Pa e pranuar asnjëherë se debati i nxehtë mban akoma të shtresuar, rolin parësor të burrit pasha dhe parazit. Dhe atë dytësor të gruas. Të një soji shërbyeseje, kokëulur e tipit të Çajupit nga Zagoria.

Aktualisht sot, thuajse një pjesë e madhe e grave në provincat e shqipfolëse, e dine akoma se burri ka të drejtë t'i vrasi. Madje shumë prej tyre e kanë kthyer këtë mëndesi në një devotshmeri shembullore. Aq sa e kanë për nder të vriten nga dora e tij. Nga ana tjetër, burrat e konsiderojnë veten si shenjtin e traut të shtëpisë. Edhe pse nuk punojnë, pasi u bie vlera përshembull të shesin në treg. Ose me ndonjë tezgë në dorë, diku në rrugë, pranë shkollave, stacioneve të autobuzëve etj. Vende ku ka pik lëvizjesh…, prapë kërkojnë llogari.
Prandaj edhe sot realiteti jonë është dy pamjesh. Pamja e parë, burra që përcillen në mëngjes tek dera. Që u sojitet paraqitja, hekuri, rruarja, mustaqa. Që u kontrollohet xhepi i praptë e kanë plot apo jo. U jepet çelësi i makinës për të shkuar në zyrën kafene, me profesionin e përditshëm, kafe teke raki, xhiro, fara luledielli, stadium, mitingje politike. Që u lahen këmbët, u shtrohet tavolina, u bëhet gati krevati të pushojnë se janë lodhur nga llogjet e ditës. Nëse vine të dehur, u afrohet legeni dhe u mbahet koka. Dhe kështu e përjetësisht, burri është burrë.
Pamja e dytë, gra që veshur e ngjeshur pasi kanë përcjellur burrat dalin e shesin. Ku…? Në vendet pik, që përmenda më sipër, si shkolla apo lulishte, kryqëzime etj. Bërtasin që të shesin. Bërtasin në rrugë. Kurse në shtëpi e kanë të ndaluar. Në rrugë e kanë me pash lejen. Dhe nëse nuk e kanë bërë gati drekën për pashallarët e tyre, darken po ashtu. Që nuk kanë planifikuar tu lajnë edhe makinën. Burri ka të drejtë t'i rrahë, t'i vrasi. Aq më tepër kur nuk I ka ecur edhe dita. Në ato bisedat me gjizore e teke raki. Në ato biseda që ky apo ai mu tregua legen, jo burrë etj. Në ato biseda që
mbyllen sot e kësaj dite me një togfjalësh krenar, ai është burrë dhe i lumtë dora.
Kështu edhe sot. Edhe pse e përdorim Turqinë si tallje për kulturën pashallore që na la. Prapë ne jemi tek koha e saj. Sepse vdesim për pak dembelizëm. Për pak qyl, rehatllëk dhe para që vine nga qielli.
Megjithëatë në tokë rri e shtrirë një grua, një nënë. Simboli i një blete robotike shqiptare. Nderi i një burri që vetëm mburret.

 

SHKARKO APP