Grushti ka ndodhur
Frrok Çupi
Do ta kisha vënë në thonjëza, sikur fjala “grusht” të mos ishte përdorur aq shumë. Aq u përdor “grushti i shtetit” këto kohë, saqë mediat botërore nuk e vënë më në thonjëza, madje e shkruajnë shkurt: Grusht! Kjo për arsye të grushtit ushtarak në Turqi, i cili ose dështoi, ose u përgatit nga vetë presidenti, ose nuk ka ndodhur, ose vazhdon të ndodhë…
Edhe ne kështu kemi ecur, nëpër lëngatë, prej tre vjetësh, të paktën. “A ka ndodhur, a nuk ka ndodhur?!”. “Cili e përgatiti e cili e pësoi?”… Të gjithë shikojnë sjelljen politike të udhëheqësve, dhe shpesh ndalin frymën: “Grusht në koalicion!… Grusht në Parti!… Grusht nga Reforma,… grusht nga Amerika,… grusht nga droga…”.
Përderisa “grushti” dhe “komploti” janë kthyer në regjim, kjo do të thotë se ka ndodhur.
Por edhe praktikisht, grushti ndodhi. Dita e hënë dhe e martw e kësaj jave i ngjanin ditës së premte të grushtit në Stamboll; veçse më në degjeneratë. E vini re?… Kryetari i Kuvendit, numri Dy i shtetit, mori disa trajta: Fillimisht si “njeriu- grusht”. Mediat, duke e vëzhguar Metën, iu transmetuan njwrëzve idenë se për pak presim “tjetër gjë”, dmth., rrëzimin e qeverisë dhe qeveri teknike. U krijua kryeministri i qeverisë teknike dhe u thërrit në bisedime nga numri Dy i shtetit. U thërritwn rebelët miq; dhe kjo dihet pse bëhet në prag të stuhisë. Ura me Opozitën u vu në përdorim si në një situatë të pazakontë…
Pamja tjetër e grushtit:
Kryeministri, sipas njoftimeve, ndodhej në një vilë të Politbyrosë në Durrës, dhe nuk po lëvizte që atje. Apo nuk po e lejonin të dilte? Sa kohë që kryeministri (ose Tresh i shtetit), nuk ka avion të dedikuar si Erdogan, mbetej vila. Media njoftoi se kryetari i Kuvendit, Dyshi që mori rolin e Njëshit, natën u nis urgjent për në Durrës, drejt vilës së “pengut”. Kush mund të mos mendonte se te pengu po dërgonte fermanin (njoftimin, alias grusht shteti në Stamboll). Fermani për “çelësat”, do të ishte kulmi i grushtit.
Të gjitha ndodhën kështu. Pastaj, çfarë ndodhi? Njëri nga miqtë e politkanëve, i konsideruar si njeriu magjik në organizimin e sofrave për kompromise, deklaroi: “Ç’ne Meta në darkë me Ramën! Ishim bashkë, për qejfin tonë, te restorant Andi”… Edhe fjalët ishin zgjedhur për të shfryrë grushtin, deri edhe emri i hotelit, një emër fëmije, innocent.
Grushti këtu po ndodh ngadalë, thuajse si vdekja. Vetë ideja dhe fantazma e grushtit këtu ngrihen nga vetë kapot e shtetit, njësoj si Erdogan i Turqisë. Edhe kësaj here po ndodh si në shekullin e kaluar, kur për model u zgjodh Turqia dhe kur lëngata ndodhi si në skajin fundor të Perandorisë Osmane.
E vërteta është se këtu ka ndodhur, tashmë. Koalicioni qeveritar është i shpartalluar; qeveria ose nuk mblidhet ose nuk vendos dot, sidomos për ministritë e aleatit LSI. Kryeministri ka mundur të blejë 71 deputetë që i duhen në rastin e grushtit dhe i ka vendosur në “rezervë”. Edhe kryetari i Kuvendit mat forcat, thërret rebelë, numëron, shkon e vjen nga kontinenti amerikan ku mendohet se ndodhet gjeneratori i pushtetit, përdor fjalor të saktë politik si në një emergjencë pushteti… Shikon pwr Shtetin mbi Pushtetin.
Ja ku janë edhe viktimat dhe protagonistët e grushtit:
Viktimat:
1.
Prapa grushtit fshihet individi, ose shumësia e individëve që e quajnë popull. Pjesa më e madhe e njwrëzve, të rraskapitur ekonomikisht, e humbin mendjen te ngjarjet e grushtit. Padronët e dinë këtë dhe prandaj në mëngjes ngrenë tallazet e grushtit, ndërsa në mbrëmje e bëjnë lojë. Kalon një ditë në këtë mënyrë. Kalojnë shumë ditë. Po shtohet varfëria. Të papunët janë shumicë. Gjysmë milion familje jetojnë me dy dollarë në ditë. Njoftimet se jemi vendi më i varfër në rajonin e varfër të Ballkanit kalojnë mbi kokat e njerëzve. Pjesa më e madhe thonë “më mirë kështu, se në grusht”. Të tjerë pyesin: “cili goditi më shumë, Rama apo Meta?”. Lufta kthehet në para për oligarkinë. Të tjerët, një pakicë, mendojnë se “më mirë që ndodhi grushti; të paktën nuk lejon Ramën të marrë të gjitha pushtetet”. Viktima ka hyrë në regjim grushti.
2.
Viktima e dytë.
Kryeministri e ka në natyrë shtirjen si viktimë. Tani që vërtet ndodhet në darën e Ilir Metës, është edhe viktimë, por më shumë shtiret. Mendo veç kaq: Në momentin kur Meta la vizitën e “artë” në Amerikë dhe u nis drejt Tiranës, si një dem i egërsuar kundër Ramës që po i bënte komplotin, çfarë bëri viktima?!… U struk, tërhoqi deputetët ushtarë të tij dhe hyri në vilën e Durrësit. Nuk pipëtiu; thuajse viktimë, por edhe hileqar. Që nga roli i viktimës përgatitet për ekzaltim dhe hakmarrje, njësoj siç po bën Erdogani i Turqisë. Me gjithë ekzaltimin e tij i drejtohet rivalit, Metës, por kurrë nuk e përmend me emër. Sigurisht nga frika. Kur i del dikush tjetër përpara, bëhet agresiv duke lëshuar mesazhe për Metën. Nuk e vini re si iu sul Bashës, kryetar i PD dhe kryeministër i nesërm?! I foli si në panik, si i sapo dalë nga seanca e kokainës. Si përdorues i kokainës e ka denoncuar vetë Meta; jo Basha… E patë çfarë zbuloi te vetja? Zbuloi viktimën që në gjenezë. Ja, ta citoj. Basha- tha ky- “duhet të rritet vetë… Nuk ka më keq për fëmijën se një baba harbut…”. Shiko sa elementë të psikologjisë së viktimës shfaqen te kryeministri nga efekti i grushtit! E para, kompleksi i djalit të një intelektuali dhunes dhe nipit të disa harbutëve në diktaturë. Sjelljen e të atit, Rama e përjetoi keq, si pengesë për karrierë në post- diktaturë! Prandaj e telendisi të atin me shkrime në gazeta…
3.
Protagonisti i grushtit:
Nuk është veç Ilir Meta. Ilir Meta, i cili bën dhe çbën qeveri, është njeriu që di të zhytet por edhe të ngjitet mbi ujë. Nuk ka dhembshuri për viktimën, edhe pse nuk është katil. Në natyrën e tij është përzierja në një kazan me viktimën. Ky është rreziku që merr mbi vete ndotjen nga viktima. Por ndryshon nga viktima Rama. Meta, ndryshe nga Rama di të vet-gjenerohet, si ameba. Sepse godet pikërisht mbi pikat e dobëta ku e godasin. A nuk ishte kështu me Amerikën? I thanë se Amerika nuk e pranon. E gjuajti “gjahun” me vite të tërë, derisa hapi portën e Amerikës. Pikërisht në momentin kur ia mbyllën Ramës. Në qoftë se te komploti i 80 mijë dollarëve për Obamën nuk është edhe dora e Metës; kjo dyshohet… A nuk po ndodh njësoj edhe me “burgosjen e Metës”. Diletantët e kërcënuan me këtë kartë. Por ky mori “Reformën” dhe e po e përdor si parzmore. Viktima rri te vila në Durrës. Ai ndryshe nga Meta, kurrë nuk ngrihet mbi pikat e dobëta. Janë shënuar rolet: I dobëti- i dobët, i forti përgjon viktimën.
Meta tani ndodhet para dobësisë së fundit: Ta rrëzojë apo të mos e rrëzojë qeverinë? Po të mos e rrëzojë, rrëzohet vetë; qeveria ka bërë turpe dhe tani është një trup i vdekur. … Ta rrëzojë qeverinë, rrëzohet edhe vetë, sa kohë që nuk ka marrë të gjitha garancitë.
… Ja kështu po shkon ky grusht. Si një regjim dhe si një lëngatë. Grushti tashmë ka ndodhur.